Eurodeputetët e BE-së miratojnë raport për Kosovën: Anëtarësimi varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë

22:25 | 26 Prill 2023
K.B

Në një raport të miratuar të mërkurën, eurodeputetët e Komisionit për Punë të Jashtme i BE-së i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë që të angazhohen për dialog të denjë.

Eurodeputetët kanë lavdëruar Kosovën për progresin e saj në zbatimin e reformave që lidhen me Evropën dhe njëherit i kanë kërkuar BE-së që të përgatisë pa vonesë të mëtejshme një opinion mbi meritat e aplikimit të Kosovës për anëtarësim.

Po ashtu, bëhet me dije se anëtarësimi i Kosovës në BE varet nga procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë.

Tutje, në këtë raport, eurodeputetët përgëzuan Kosovën për arritjet në luftën e saj kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme i BE-së u bëjnë thirrje vendeve anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet sovran, veçanërisht Spanjën, Sllovakinë, Qipron, Rumaninë dhe Greqinë, që ta bëjnë këtë pa vonesa të mëtejshme.

“Pavarësia e Republikës së Kosovës është e pakthyeshme, thonë eurodeputetët, duke shtuar se ritmi i procesit të anëtarësimit do të varet nga përparimi në sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, bën të ditur njoftimi.

Eurodeputetët kanë shprehur pakënaqësi me faktin që përfshirja e komunitetit serb në institucionet e Kosovës është shumë e limituar, ndaj edhe bëjnë apel që të dy palët të angazhohen në dialog.

Ndërkaq kritika bazë e eurodeputetëve ka të bëjë me Gjyqësorin, i cili, siç u theksua në raport të Komisionit, vazhdon të jetë joefikas dhe i cenueshëm ndaj ndërhyrjeve të panevojshme.

Ata inkurajojnë autoritetet kosovare që të zbatojnë instrumentet ekzistuese në mënyrë sa më efektive për të mbrojtur pavarësinë, efikasitetin dhe integritetin e sistemit të drejtësisë.

Raporti u miratua me 44 vota pro, 8 kundër dhe 3 abstenime ndërsa tash mbetet të dorëzohet për votim në Parlamentin Evropian në seancën plenare në maj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme