Gjermania nuk e përkrah idenë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për mundësinë e rishikimit të vizave për Kosovën.
Siç raporton portali EUROACTIV, Gjermania përkrah vendimin që kosovarët të udhëtojnë pa viza prej datës 1 janar të viti 2024.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri bujë javën e kaluar kur sugjeroi se regjimi pa viza i Kosovës, i vendosur për të hyrë në fuqi nga 1 janari 2024, mund të rishikohet nga Parisi dhe Berlini nëse Prishtina nuk dakordohet lidhur me tensionet e vazhdueshme me Serbinë.
Por siç raporton EURACTIV, Gjermania nuk është dakord me ketë. Ata do t’i përmbahen afatit fillestar, duke sugjeruar një ndarje në qëndrimin midis dyshes franko-gjermane.
Franca dhe Gjermania prej kohësh kanë pasur një qasje të koordinuar ndaj Kosovës, duke dalë me qëndrime dhe deklarata të përbashkëta, përfshirë edhe një nga planet e fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të quajtur jozyrtarisht si ‘plani franko-gjerman’.
Megjithatë duket se deklarata e presidentit francez, Emanuel Macron, për mundësinë e pezullimit të vizave për kosovarët, kësaj radhe është bërë pa dakordimin e Gjermanisë.
Një burim pranë Ministrisë së Jashtme gjermane i tha EURACTIV se “Gjermania është subjekt i rregulloreve të miratuara nga BE në prill 2023. Sipas tyre, shtetasit kosovarë do të mund të udhëtojnë në të ardhmen pa viza për qëndrime të shkurtra në zonën Shengen (deri në 90 ditë brenda 180 ditëve).
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, me 29 gusht gjatë një adresimi para ambasadorëve të Francës, paralajmëroi se Parisi zyrtar do të mund t’i rishikojë zotimet e bëra në rrafshin e ekonomisë si dhe politikën e vizave për Kosovën dhe Serbinë, po qe se palët “nuk sillen me përgjegjësi”.
Sugjerimi se Franca dhe Gjermania do të rishikonin politikën e vizave shkaktoi tronditje në Prishtinë.
Pezullimi i vendimit për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët që nga 1 janari i vitit të ardhshëm do ta vriste dialogun Kosovë-Serbi, kishte thënë presidentja Vjosa Osmani, në një kundërpërgjigje ndaj presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka kërkuar që liberalizimi i vizave të mos lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.
“Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave të vonuara prej kohësh. Ne duam të jemi të qartë – udhëtimi pa viza nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun me Serbinë. BE duhet të mbajë premtimin e saj duke lejuar qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirisht nga 1 janari 2024”, kishte thënë Von Cramon.
Pas një procesi të gjatë që përfshiu mbështetjen vendimtare të dyshes franko-gjermane, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Evropë njësoj si çdo shtetas tjetër evropian, pa pasur nevojë për vizë, që nga janari i vitit 2024./rtk
“15 minuta për 15 jetë”: Studentët në Serbi kërkojnë llogari...
SPAK-u kërkon që Sali Berisha të kthehet në arrest shtëpie
De Jong drejt transferimit në Arabinë Saudite? Agjenti i tij...
Treqind euro për 50 metra katrorë: Faturat e Termokos-it “ng...
Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndi...
Mali i Zi vendos ta ekstradojë në SHBA “mbretin e kriptovalu...