Zëvendësndihmës Sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, tha se Shtetet e Bashkuara kanë besim që i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak do të arrijë synimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që, sipas tij, është “arritja e një zgjidhjeje” ndërmjet dy shteteve.
Escobar, që njëherësh është i dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se çështjet, që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme është ajo e personave të pagjetur.
“Tema më urgjente (që do të lëvizte gjërat përpara në dialog) është çështja e personave të pagjetur. Kjo është një temë humanitare që nuk duhet të bllokohet për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Ka familje që po presin me vite për të kuptuar se çka ka ndodhur me më të dashurit të tyre. Unë thjesht nuk e kuptoj pse për këtë çështje nuk mund të ketë kompromis”, tha Escobar, për REL.
Ai tha se ka edhe një sërë çështjesh për të cilat kanë punuar dhe që nuk kanë “asnjë ndikim në statusin”, siç janë “lidhjet ekonomike që tashmë ekzistojnë, revitalizimi i tyre në mënyrë që jenë funksionale”.
“Shembull, është çështja e targave të veturave. Është edhe çështja për energjinë në veri të Kosovës. Pra, ka një sërë çështjesh të vogla, që mund të zgjidhen menjëherë”, tha ai.
“Integrimi i ngadalshëm drejt BE-së”
Escobar tha se politika e SHBA-së në Ballkan ka qenë mjaft e qëndrueshme. Uashingtoni, sipas tij, do që shtetet e këtij rajoni të bëhen pjesë e komunitetit të shteteve demokratike të Perëndimit. Dhe mekanizmi për ta arritur këtë qëllim, sipas tij, është anëtarësimi në BE.
Megjithatë, ai u shpreh kritik për procesin e zgjerimit të bllokut evropian.
“Ne do të donim të shihnim një integrim më të shpejtë sesa një më të ngadaltë. Është pak zhgënjyese të shohësh se – kam shërbyer në Ballkan (dhe) jam larguar më 2001 – të kthehem 20 vjet më vonë dhe të shoh se nuk ka pasur shumë përparim në atë drejtim. Kështu që unë shpresoj se përmes partneritetit amerikan dhe mesazheve amerikane dhe angazhimit amerikan, ne mund t’i kthejmë të dyja palët në rrugën e duhur. Ky ka qenë një nga proceset më të ngadalta të zgjerimit ndonjëherë. Kur e mendoni se sa shpejt e kanë arritur këtë vendet e tjera në rajon. Ne do të donim ta shihnim atë lloj dinamizmi”, tha Escobar.
Ndikimi i Rusisë dhe Kinës në Serbi
Duke folur për ndikimin që ka Rusia në Serbi, Escobar tha se Rusia nuk po bën investime në Serbi.
“Ky është një mit. Rusia nuk jep ndihmë humanitare. Nuk është në të vërtetë një partnere tregtare. Nëse shikoni dhjetë partnerët tregtarë kryesorë të Serbisë, Rusia nuk është në mesin e tyre”, tha Escobar.
“Në çështjen e lidhjes me Rusinë, një gjë që ne vazhdimisht e paralajmërojmë Beogradin është që të shmangin çështjet që mund të vënë në rrezik aspiratat evropiane të tyre ose që i vendos në rrezik për të kaluar një kufi që mund t’i çojë në sanksione. Dhe ne kemi një dialog të mirë me (presidentin e Serbisë, Aleksandar) Vuçiqin për këtë. Ai dhe qeveria e tij janë gjerësisht pro-evropianë, pro-perëndimorë. Pyetja është sa larg mund të shkojnë? Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull në bisedimet për anëtarësimin tyre në BE tash e dy vjet. Ata kanë premtuar se do ta bëjnë këtë. Të paktën një ose dy deri në fund të vitit. Unë shpresoj se mund ta bëjnë dhe kanë mbështetjen tonë në këtë”, shtoi ai.
Derisa për lidhjen e Serbisë me Kinën, Escobar tha se nuk është vetëm financimi që i jep Kinës avantazh.
“Ka çështje të mungesës së transparencës që pengojnë aftësitë e kompanive tona (amerikane) për të marrë pjesë në mënyrë të drejtë në ekonominë e Serbisë. Dhe unë jam i bindur që nëse i jepet një mundësi e drejtë, kompanitë tona mund të garojnë më shumë se ato të Kinës”, tha Escobar.
Vetoja bullgare
Escobar foli edhe për mosmarrëveshjet ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi Bullgaria vlerëson se nuk është përmbushur Marrëveshja për fqinjësi të mirë e cila u nënshkruar gjatë vitit 2017.
Për këtë, Bullgaria ka vendosur veto për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në për anëtarësimin e Shkupit, duke insistuar që paraprakisht, të zgjidhen kontestet që kanë të bëjnë me identitetin, gjuhën maqedonase.
“Nuk mund të mos i llogarisë shqetësimet e një minoriteti në Evropë. Por, kjo është një çështje bilaterale, dhe ata po e shndërrojnë në një çështje shumëpalëshe që na prekë të gjithëve. Ka zgjidhje kompromisi dhe ne i inkurajojmë ata që të shikojnë në mënyrë strategjike dhe konstruktive se si ta zgjidhim këtë. Ka mënyra të tjera për ta adresuar këtë përveç bllokimit të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Gabriel Escobar ka marrë postin e Zëvendësndihmës Sekretarit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në fillim të shtatorit. Ai në këtë post e pason Matthew Palmerin./rel/
Stano këtë të shtunë përfundon mandatin, Lajçak është emisar...
Rama publikon pamje nga Aeroporti i Vlorës: Punimet po ecin ...
Xhaka: Sot festojmë lirinë dhe identitetin tonë, gëzuar 28 N...
Grenell uron shqiptarët për Ditën e Pavarësisë: Mirënjohës p...
Drita uron 28 Nëntorin me një video të veçantë
Osmani; Kjo ditë e shenjtë për kombin tonë, mori kuptim edhe...