I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës kanë kërkuar që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Gjatë një bisede me gazetarë, Escobar tha se çështja e Asociacionit dhe e disa çështjeve që kanë të bëjnë me minoritetin serb, që nuk janë përmbushur, kanë qenë kërkesa të vazhdueshme.
“Kjo është ajo që po nxit shqetësimin se Kosova mund të mos ketë votat për Këshillin e Evropës”, tha Escobar më 8 maj.
Ai tha se SHBA-ja nuk ka votë në këtë organizatë evropiane për të drejtat e njeriut, por qëndrimi i Uashingtonit është që Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara “dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë”.
“Sa i përket integrimit evropian, mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë aleatët e saj evropianë dhe të punojë me aleatët evropianë, teksa ne forcojmë kandidaturën e Kosovën në të gjitha strukturat euroatlantike”, shtoi ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më herët gjatë 8 majit se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE.
I pyetur nëse çështja e Asociacionit dhe Këshillit të Evropës janë çështje të lidhura, Escobar tha se “janë shumë të lidhura”.
“Mendoj se janë shumë të lidhura. Së pari, Këshilli i Evropës ka të bëjë me trajtimin e minoriteteve dhe Kosova ka bërë zotim të qartë për trajtimin e minoriteteve dhe kjo përfshin edhe Asociacionin. Ky është një zotim i kamotshëm që është i shkruar edhe në Planin e Ahtisaarit, është i shkruar në Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit”, tha Escobar.
“Ne e kemi të vështirë ta kuptojmë pse Kosova nuk e përmbushë obligimin e saj ligjor dhe nuk ka sinjalizuar se është e përkushtuar që ta bëjë këtë. Shqetësimi ynë është se pas pranimit [të Kosovës në KiE] vetëm do të kishte më shumë vonesa [për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin] dhe këtë gjë e besojnë disa”, shtoi zyrtari i lartë amerikan.
Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 2013 dhe më pas më 2015 për themelimin e Asociacionit.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte thënë se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk kishte në përputhje të plotë me Kushtetutën.
BE-ja dhe SHBA-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Kosovës që themelojë Asociacionin. Vitin e kaluar, bashkësia ndërkombëtare i paraqiti Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin.
Palët fillimisht e pranuan draft-statutin, por ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap drejt themelimit të tij.
Gjatë kësaj bisede virtuale me gazetarë, Escobar, që në fund të këtij muaji përfundon mandatin e tij. Ai tha se posti ishte 2-vjeçar, por kishte kërkuar edhe një vit shtesë me shpresën që do të bëhej përparim drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Sepse vërtetë kam besuar që deri në fund të këtij viti ne do të kishim më shumë përparim në Marrëveshjen e Ohrit, se do të kishim zbatim të plotë të disa kërkesave për Serbinë dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe që do të ishim në gjendje ta sillnim Kosovën më afër integrimit evropian përmes Partneritetit për Paqe dhe kandidaturës për BE.
Ai fajësoi Kosovën dhe Serbinë për dështim të përmbushjes së zotimeve të tyre që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të zbatimit të saj, që palët arritën vitin e kaluar.
Escobar tha se ende shpreson që kjo mund të arrihet përmes zbatimit të plotë të marrëveshjes për normalizim, që ai e cilësoi “historike”.
Marrëveshja prej 11 nenesh ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Diplomati amerikan tha se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ndodhet në Uashington. Temat kyçe, sipas tij, do të jenë strategjitë se si të lëvizet përpara me zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë për kryerjen e pagesave.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, zhvillojnë negociata për normalizim që nga viti 2011. Procesi mbështetet nga Uashingtoni dhe ndërmjetësit kanë thënë se qëllimi i dialogut është që palët të arrijnë normalizimin e plotë të raporteve.
Escobar tha se ka menduar që një marrëveshja për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte dashur të ishte aq e vështirë që të zbatohej.
Kosova, sipas tij, do të përfitonte njohje të reja, Partneritetin për Paqe, kandidaturën për BE, dialog për partneritet dypalësh strategjik me SHBA-në dhe një konferencë donatorësh. Për Serbinë, po ashtu si përfitim do të ishte organizimi i një konference donatorësh, zgjidhje më e shpejt për Kapitullin 35 të bisedimeve për anëtarësim në BE, që do t’i mundësonte Serbisë ta mbyllte këtë kapitull dhe investime shtesë për të dyja palët.
Në këmbim të këtyre përfitimeve, Escobar tha se shtetet do të duhej të pranonin që të punonin së bashku për t’ia përmirësuar jetën shtetasve serbë në Kosovë shumë më të mirë.
Lajmi është duke u përditësuar…./Radio Evropa e Lirë/
“M’u kujtua kjo indiferencë turpshme”, Pacolli p...
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të vizitojë...
Driloni-Edit: Nëse e fitoj çmimin, e ndaj me ty
Suhareka dhe Ferizaj kërkojnë të rikthehen te fitoret, forma...
Xheneta-Arionit: Të mëson Edi me qenë burrë
LVV i kërkon Përparim Ramës anulimin e tenderit për menaxhim...