I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha sot se ende po punohet në planin tre pikësh evropian për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës, e cila sipas tij po krijon kushte të vështira për tërë rajonin.
Escobar tha se asnjë vend ose udhëheqës nuk mund të përcaktojë kursin e stabilitetit rajonal dhe se ndaj atyre që refuzojnë partneritetin do të ketë pasoja.
Zyrtari amerikan gjithashtu kërkoi lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që po mbahen të paraburgosur në Serbi, por tha se hetimet se ku u kapën ata ende po vazhdojnë.
Ndonëse tha se hetimet ende po vazhdojnë për këtë çështje, ai shtoi edhe sikur ata të kenë kaluar kufirin, kjo padyshim është bërë pa qëllim.
“Ne nuk po bëjmë një deklaratë të plotë derisa të kemi të gjitha faktet, megjithëse për momentin ka dy skenarë të mundshëm. Njëra është se ose janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës dhe janë dërguar në Serbi, ose kanë kaluar pa dashje kufirin dhe janë gjetur brenda territorit serb. Në të dyja rastet, është shumë e qartë se këta policë nuk kanë pasur qëllim të hyjnë në Serbi dhe ata duhet të lirohen”, tha Escobar gjatë konferencës telefonike me gazetarë.
Ai tha se tensionet nuk janë duke rënduar vetëm situatën në Kosovë dhe Serbi, por tërë rajonin, ndërsa kundërshtoi vendimin e qeverisë së Kosovës për, siç tha ai, mbylljen e kufirit dhe pengimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë. Escobar tha se përpjekjet për shtensionimin e situatës janë duke u bërë në kuadër të planit tre pikësh të Bashkimit Evropian
“Ne besojmë se policia speciale duhet të tërhiqet nga ndërtesat e komunave dhe kryetarët të punojnë nga vende të tjera. Ne besojmë se protestuesit duhet të largohen nga rrugët. Ne besojmë se kushdo që ka kryer veprime të dhunshme kundër KFOR-it apo policisë së Kosovës duhet të mbajë përgjegjësi. Ne besojmë se zgjedhjet e parakohshme me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve duhet të zhvillohen sa më shpejt”, tha zoti Escobar.
I pyetur nëse do të ketë sanksione të tjera ndaj palëve për t’i detyruar ato të plotësojnë kërkesat e Brukselit dhe Uashingtonit, Escobar tha se po, por nuk pranoi ti quajë ato sanksione por masa ndëshkuese.
“Asnjë vend dhe asnjë udhëheqës nuk do të përcaktojë kursin e stabilitetit rajonal dhe evropian. Pra, ndaj atyre që refuzojnë partneritetin do të ketë pasoja”, sqaroi më tej zoti Escobar.
Ai nuk e përmendi me emër kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, por diplomatët amerikanë ditët e fundit kanë ngritur pikëpyetje nëse zoti Kurti është partner i Shteteve të Bashkuara.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor u pyet disa herë nga gazetarët nëse qëndrimet e Uashingtonit janë më të ashpra ndaj Prishtinës se sa Beogradit, duke marrë parasysh përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të penguar njohjen e Kosovës, zyrtari amerikan fajësoi Prishtinën për acarimet e fundit.
“Ndërsa është shumë e vërtetë që një pjesë e çështjes është se Serbia nuk ka përparuar deri në atë pikë sa ne dëshirojmë në rrugën e saj drejt një marrëdhënie paqësore, normale me Kosovën, do të thoja se shumë nga ato që po ndodhin duke filluar nga nëntori kanë qenë për shkak të veprimeve të njëanshme të qeverisë së Kosovës për të imponuar zgjidhje që nuk janë të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare”.
Ai e pranoi që në të dyja vendet shihen përpjekje për të mbajtur nivelin e lartë të tensionit pasi sipas tij ushqehen nga kriza. Por, ai hodhi poshtë pretendimet se Uashingtoni së fundmi po ndihmon më shumë Serbinë se sa Kosovën duke përmendur një mori kërkesash që ai thotë ia kanë refuzuar Serbisë. Ai tha se perëndimi përkrahu Kosovën për zgjedhjet në veri të Kosovës dhe e njohu rezultatin e tyre megjithë pjesëmarrjen e ulët të votuesve. Escobar tha gjithashtu se nuk u pranua as kërkesa e Beogradit që të mos përkrahet kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Në asnjë rast gjatë 90 ditëve të fundit, dhe i sfidoj të gjithë që të gjejnë ndonjë gjë që ne kemi bërë që nuk ka shkuar në favor të Kosovës. Tani, e vetmja gjë që kishim, e kishim paralajmëruar Kosovën në lidhje me përdorimin e ndërtesave në veri. Përdorimi i godinave ishte një përshkallëzim i panevojshëm në një kohë kur emocionet ishin të larta”, tha ai.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor sërish përmendi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si një detyrim të Kosovës, para së gjithash, me komunitetin ndërkombëtar./VOA
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...