I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se nuk duan ta kopjojnë Dejtonin (marrëveshjen që i dha fund luftës në Bosnjë më 1995) në Kosovë, ndërsa foli për Asociacionin.
Escobar në një intervistë për mediumin boshnjak, Klix.ba, i pyetur se “kush mund të garantojë që nesër ndonjë grup tjetër etnik në Serbi, Mal të Zi apo diku tjetër nuk do të kërkojë autonomi shtesë apo status special” duke marrë shembull nga ky asociacion, Escobar tha se “çështja e Kosovës është e veçantë”.
“Ne nuk duam ta kopjojmë Dejtonin në Kosovë apo Kosovën në Maqedoninë e Veriut apo në Mal të Zi. Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë anëtarë të atyre institucioneve që kërkojnë mbrojtjen e kombeve pakicë në përputhje me standardet e BE-së. Ne shohim që Asociacioni është në përputhje me standardet e BE-së. Ne e shohim Asociacionin si asgjë më shumë sesa aftësinë e serbëve për t’i organizuar institucionet lokale në gjuhën e tyre. Ne nuk shohim ndonjë kërcënim në këtë dhe nevojën që vendet e tjera që janë tashmë në rrugën evropiane të bëjnë diçka tjetër që nuk po e bëjnë tashmë për t’i zbatuar reformat që BE-ja ua kërkon atyre”, tha Escobar në këtë intervistë ku në një pjesë të shkurtë foli për Kosovën.
Diplomati amerikan tha se politika e SHBA-së “nuk ka ndryshuar kurrë”, duke iu përgjigjur pyetjes për “një qasje të re amerikane në Ballkan” dhe nëse Amerika “po krijon një rend të ri”.
“Dhe pse nuk e përkrahni kaq hapur, për shembull, Procesin e Berlinit, nëse e mbështetni Ballkanin e Hapur?”, pyeti gazetari.
Emisari amerikan, edhe gjatë qëndrimit në Kosovë, ditën e djeshme ka thënë se nga perspektiva e tij, Asociacioni është i dobishëm për Kosovën që ta shtrojë sovranitetin në veri të vendit.
Escobar tha se Asociacioni ia heq kontrollin Serbisë nga veriu, për ta futur nën kontrollin e Kosovës.
“Kjo është arsyeja pse na duhet Asociacioni. Nga perspektiva ime Asociacioni është për ta hequr kontrollin e Serbisë nga Veriu dhe për ta futur nën kontrollin e Kosovës, të Kushtetutës suaj dhe të strukturës tuaj legale, nuk shoh arsye pse dikush duhet ta shohë ndryshe këtë”, ka thënë Escobar në një takim me gazetarë.
Emisari amerikan para gazetarëve po ashtu ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka draftin e Asociacionit, por që sipas tij ai po e mban fshehur.
Escobar, i cili që nga dje po qëndron në Prishtinë nuk ka zbuluar nëse draft-statuti për Asociacionin është hartuar nga Kosova apo Bashkimi Evropian, mirëpo ka theksuar se ai draft ekziston, por po fshihet.
Tre të mitur e godasin me grushte dhe i vjedhin para një 38-...
Vendimi i Gjykatës Speciale për Shalën, Jonuzin dhe Bahtijar...
U asfiksuan nga gazi, humbin jetën dy persona në Kamëz
Flet ministri Çeku: Serbia shkeli Marrëveshjen e Brukselit
Asfiksohen nga rrjedhja e gazit, dy të vdekur në Tiranë
Putin shpreh gadishmëri për negociata, por përsërit kërkesat...