Erion Velijaj: Ajo që është arritur në Kosovë është e mrekullueshme

10:00 | 14 Shkurt 2018
Arbresh.info

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Velijaj, është i impresionuar me arritjet e Kosovës për 10 vjet si shtet.

Në një videomesazh, duke uruar qytetarët e Kosovës për ditën e pavarësisë, Velijaj shprehet se, në një rrugëtim të jashtëzakonshëm, ajo që është arritur është e mrekullueshme.

“Përshëndetje të gjithëve nga Tirana. Sot është një ditë fantastike për t’ju uruar të gjithë vëllezërve tanë në Kosovë gëzuar 10-vjetorin e pavarësisë”.

“Ky ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Të mendosh gjithë atë përpjekje, për luftën, për fitoren e luftës dhe pastaj për të fituar paqen, ajo që është arritur në Kosovë është e mrekullueshme. Unë e di që ne të gjithë jemi kritikë, të gjithë jemi cinikë, të gjithë jemi skeptikë, gjithmonë mundohemi të gjejmë diçka që nuk shkon, por le t’i shikojmë 10 vjet dhe atë që është arritur”, thotë Velijaj.

“Unë kam qenë i impresionuar që nga dita e parë, kur kam ardhur të punoj në Kosovë fill pas luftës, dhe sa është transformuar vendi, çfarë rinie progresiste ka Kosova, çfarë inovacioni bëhet në Kosovë, sa krenarë kemi qenë sa herë është ngritur flamuri i shtetit të ri të Kosovës me sportistët dhe me të gjithë arritjet e të rinjve kosovarë”, shton ai.

Velijaj, më tutje, thekson se për të gjitha ato gjëra që nuk shkojnë, ka ardhur koha për mobilizim që secili të bëjë më shumë për vendin.

“Unë besoj që në total ka më shumë gjëra që na bashkojnë dhe ka më shumë rezultate pozitive sesa problematika. Për të gjitha ato gjëra që nuk shkojnë, ndoshta ka ardhur koha të mobilizohemi, jo vetëm të kritikojmë, por të shikojmë çfarë mund të bëjë secili prej nesh, në qytetet tona, në lagjet tona, në komunitetin tonë”.

Shqipëria dhe Kosova, pohon Velijaj, e kanë të ardhmen përpara.

“Unë besoj që kjo është një ditë për të reflektuar se sa kemi arritur, por ama edhe për të hapur imagjinatën tonë se sa larg mund të shkojmë. Shqipëria dhe Kosova e kanë të ardhmen përpara, ditët më të mira janë përpara nesh, kur ne bashkëpunojmë për të punuar për vendin tonë. Ju uroj të gjithëve gëzuar 10-vjetorin e pavarësisë. Urime dhe shumë dashuri e përqafime nga Tirana”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme