Erdogan: Anëtarësimi në BE mbetet një prioritet për Turqinë

19:13 | 13 Janar 2022
Arditë Shkodra

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan të enjten deklaroi se anëtarësimi i Turqisë në BE mbetet një prioritet për Ankaranë.

Lajmi është konfirmuar nga mediat turke, sipas të cilave, Erdogan foli në Pallatin Presidencial Cankaya në një takim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian.

Ai i bëri thirrje BE-së të marrë një qëndrim më inkurajues në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe.

“Turqia, e cila është gjeografikisht dhe historikisht pjesë e Evropës është e përkushtuar ndaj qëllimit të saj, për t’u bërë anëtare e BE-së”, tha Erdogan, duke shtuar më tej se pranimi në familjen evropiane është një prioritet për Ankaranë, pavarësisht të gjitha padrejtësive.

Kreu i shtetit vuri në dukje se Turqia vazhdon të përpiqet dhe shpreson se blloku do t’i japë fund “verbërisë strategjike” dhe do të tregohet më inkurajues për zhvillimin e marrëdhënieve me Ankaranë.

Bisedimet e Turqisë për anëtarësim të plotë filluan më 3 tetor të 2005, por progresi sipas Brukselit ishte i ngadaltë dhe nga 35 kapitujt e nevojshëm që do ndihmonin për të përfunduar procesin e pranimit, vetëm 16 ishin hapur dhe një tjetër ishte mbyllur deri në maj të 2016.

BE ka akuzuar dhe kritikuar Turqinë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për deficite në sundimin e ligjit./tch

Të ngjashme