“Engjëjt e braktisur”, pranimi, rritja, ribashkimi me familje dhe pavarësimi i fëmijëve të braktisur

12:05 | 15 Tetor 2022
A. B.

Jo të gjithë fëmijët kanë fatin të rriten me dashurinë dhe përkujdesin e prindërve biologjikë.

Madje disa prej tyre nuk arrijnë ta ndjejnë as aromën e nënës së tyre.

Braktisja për motive të ndryshme, përfshirë edhe vdekja e prindërve dhe paaftësitë psikologjike të prindërve, janë disa prej faktorëve që këtyre engjëjve u kanë pamundësuar rritjen në gjirin familjar, shkruan arbresh.info.

Megjithatë, është organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, ajo që në çfarëdo mënyre mundohet që këtyre fëmijëve tua lehtësojë sado pak mungesën e rritjes së tyre me dashurinë e prindërve biologjikë dhe që asnjë prej tyre të mos rritet vet.

Që nga viti 2001 e deri në vitin 2020 janë braktisur 489 foshnje në Kosovë, të cilët përmes Qendrave për Punë Sociale janë dërguar në SOS Fshatrat e Fëmijëve për përkujdes, adoptim, apo edhe ribashkimin e tyre me familjarët.

Arbresh.info ka vizituar SOS Fshatrat e Fëmijëve.

Aty kemi takuar udhëheqësin e Kujdesit Alternativ, Besnik Pecin, i cili na tregojë se si kujdesen për fëmijët e braktisur, procesin e adoptimit e deri te largimi i tyre nga këtu.

“Në kujdesin alternativ gjithsej i kemi 34 fëmijë, të cilët jetojnë në 8 Sos familje, të cilët ne i kemi krijuar dhe janë dizajnuar për me u përgjigj nevojave të tyre. Përveç këtyre 34 fëmijëve që kryesisht i takojnë grup moshave prej tri deri 18 vjet, ne i kemi edhe 12 të rijnë të cilët janë pjesë e programit tonë të gjysmë pavarësimit që si organizatë, jemi organizata e vetme që ofrojmë këtë program në Kosovë”, thotë ai.

Ai tregon se në këtë organizatë janë edhe 107 fëmijë të cilët kanë marrë shërbime në kuadër të kujdesit alternativ, 38 prej tyre sipas tij tashmë kanë dalë dhe janë të pavarur, kanë bërë ribashkim familjarë apo ende janë pjesë e programit të gjysmë pavarësimit dhe SOS familjeve.

Ribashkimi me familje

Peci tregon se ka raste kur ndodh ribashkimi i fëmijëve me familjet e tyre, gjë për të cilën SOS Fshatrat vazhdimisht punojnë.

Ai thotë se ka disa raste të ribashkimit të fëmijëve me familjet e tyre biologjike.

“Ka disa raste ribashkimi familjarë. Stafi psiko-pedagogjik është një staf profesional që në bashkëpunim me qendrat për Punë Sociale bashkëpunon dhe parim të punë e ka fuqizimin e raporteve me familjen biologjike. Kështu ne njëkohësisht me strehimin e fëmijëve, punojmë me i ruajt trashëgimin kulturore dhe atë biologjike çka fëmija e sjell prej familjes së vet. Provojmë me fuqizu atë dhe në të gjitha rastet kur është i mundur ribashkimi me familjen biologjike punojmë ngushtë me qendrën për punë sociale që me mundësu një gjë të tillë. Deri tash ka shumë raste që kemi arrit me e bë këtë punë”.

Megjithatë, sipas tij ka edhe raste kur gjetja e familjes biologjike të fëmijëve është e pamundur.

Fëmijët prindërit e të cilëve është e pamundur të gjenden, dërgohen tek familjet e krijuara nga ky sos fshat.

Ekziston Sos nëna dhe Sos tezja që ofrojnë shërbime dhe përkujdesje 24 orë për fëmijët.

Ai tregon se ka edhe raste të tjera kur nuk ka mundësi të punohet me rrjetin e fëmijëve për shkak se nuk ekziston fare familja biologjike.

Sipas tij fëmijët prej ditës së 21 pas lindjes mund të bëhen pjesë e familjeve që janë krijuar nga SOS Fshati.

Ai thotë se SOS nëna është një person pa obligime familjare që rekrutohet në mënyrë të rregullt nga stafi i SOS Fshatit dhe angazhohet për t’i ofruar shërbime dhe përkujdesje 24 orë për fëmijët.

Ndërsa Sos tezja e zëvendëson sos nënën dhe bashkëpunimi i këtyre të dyjave ndihmon që fëmijëve tu ofrohet një shërbim cilësore.

Largimi nga SOS Fshati pas moshës 18 vjeçare, dhe pavarësimi i tyre

Në SOS Fshat ekziston edhe një ekip profesionale që i vlerëson fëmijët nëse janë të gatshëm të largohen nga SOS Fshatrat pas moshës 18 vjeçare.

“Fëmijët tanë te SOS Fshatrave të Kosovës qëndrojnë deri në momentin kur ekipi profesionalë ka vlerësuar që ata janë të pjekur për me jetu vetë në mënyrë të pavarur dhe janë të zotë me u kujdes për vetën e tyre që kryesisht sillet mosha 18 deri 20 vjeçare, varësisht prej pjekurisë emocionale dhe psikologjike që e kanë fëmijët në sos”, tregon Peci për arbresh.info.

Megjithatë, edhe kur të largohen nga SOS Fshati, fëmijët vazhdojnë të takohen prapë me stafin e kësaj organizate, të festojnë, ta ndihmojnë njëri- tjetrin, duke përfshirë edhe ceremonitë e dasmave të tyre.

“Ne kemi 38 fëmijë të cilët janë të pavarur komplet dhe vazhdojnë me qenë pjesë e jona, takohemi me ta, festojmë me ta aty kur është nevoja, mundësia dhe kur ka interesim te dyanshëm.  Kemi pasur fëmijë të cilët e kanë bërë dasmën në SOS Fshat dhe realisht  SOS Fshati vazhdon me qenë familja e tyre. Kemi pasur fëmijë të cilët janë bërë prindër dhe realisht neve na konsiderojnë si me qenë familja e tyre biologjike, për faktin e thjeshtë se ata janë rritur me neve edhe komplet historia fëmijërore përko në këto hapësira këtu ku po flasim sot”, shprehet ai.

Ndryshe, SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë veprojnë që nga viti 1999 , është një organizatë e pavarur, jo qeveritare ndërkombëtare, e cila ka për qellim përmbushjen e nevojave dhe mbrojtjes së interesave dhe të drejtave të fëmijëve.

Kjo organizatë ndodhet në lagjen Velani të Prishtinës dhe momentalisht ofron strehim, përkujdesje dhe edukim për fëmijët e braktisur në Kosovë përmes tri programeve: Kujdesin Alternativ për fëmijët pa kujdes prindëror, Programi gjysmë i pavarur dhe Programi për forcimin e familjes./arbresh.info/Ejona Hyseni/

Të ngjashme