Në Nju Jork u mbajt mbrëmë një diskutim me diplomatë dhe personalitete të tjera mbi 10-vjetorin e Kosovës dhe sfidat që e presin pas dekadës së parë të pavarësisë.
Folësit vunë në dukje arritjet e Kosovës gjatë dhjetë viteve të kaluara dhe thanë se një ndër sfidat e rëndësishme është anëtarësimi i vendit në Kombet e Bashkuara si dhe në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Ata thanë gjithashtu se marrëdhëniet e Administratës së Presidentit Trump me Kosovën mbeten të forta.
“Kosova 10 vjet pavarësi” ishte tema për të cilën u fol në panelin organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës dhe “Independent Diplomat”, një organizatë e specializuar për strategjinë diplomatike. Diskutimi u mbajt në “Shoqatën Japoneze” të Nju Jorkut.
Zalmay Khalilzad ka qenë ambasador i SHBA në Kombet e Bashkuara në kohën kur Kosova shpalli pavarësinë. Ai tha se me gjithë diferencat partiake të politikanëve në pushtet, administrata e Presidentit George W. Bush nuk pati dallime me administratën e mëparshme të Presidentit Bill Clinton përsa i përket strategjisë dhe objektivit për Kosovën. “Po ashtu u punua ngushtë me aleatët”, tha ai.
Në komentet për Zërin e Amerikës, ambasador Khalilzad reflektoi për dhjetë vjetët e pavarësisë së Kosovës
“Vendi është zhvilluar mirë dhe ata mund të krenohen për shumë arritje. Kosova është një vend demokratik, ka mbajtur zgjedhje, ka një kushtetutë si dhe shtyp të lirë, shoqëri civile të lirë dhe një debat rigoroz. Nga pikëpamja ndërkombëtare vendi ka ecur mjaft. Është njohur nga 114-115 vende dhe është anëtar i shumë organizatave ndërkombëtare. Ende nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara, por edhe kjo do të vijë. Këto janë sfida që mbeten, siç është edhe normalizimi me Serbinë”, tha ambasadori.
Enver Hoxhaj, Zëvendëskryeministër i Kosovës, i cili ka qenë pjesë e ekipit negociator në kohën e përgatitjeve për pavarësinë, i përshkroi kështu përparësitë për shtetin e ri:
“Natyrisht që prioritet kryesor për Kosovën duhet të jetë përmbyllja e shtetndërtimit, që nënkupton anëtarësimin e Kosovës në OKB si dhe në Bashkimin Evropian e në NATO. Këtu, një ndërmarrje dhe një vëmendje edhe më e madhe amerikane dhe evropiane është e rëndësishme sa për Kosovën po aq edhe për rajonin.”
Christoph Heusgen, ambasador i Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, njihet si këshilltari më me ndikim në politikën e jashtme i Kancelares Angela Merkel.
“Gjatë 12 vjetëve që kam punuar për Kancelaren, gjithnjë e kemi patur Kosovën në mendjen tonë. Ne duam që Kosova të jetë e suksesshme. Po punojmë shumë, ndonëse jo me shumë sukses, që edhe ato vende në Bashkimin Evropian që nuk e njohin Kosovën ta njohin atë. Mosnjohja prej tyre vjen jo ngaqë ato nuk e pëlqejnë Kosovën, por për shkak të problemeve të tyre të brendshme. Mendoj se mund ta kapërcejmë këtë”, tha Heusgen.
Eliot Engel, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, ka qenë një mbështetës aktiv në Kongresin amerikan për pavarësinë e Kosovës. Në komentet për Zërin e Amerikës, ai foli për çështjen e transformimit të Forcave të Sigurisë në një ushtri të Kosovës.
Ai u bëri thirrje të ndryshojnë qëndrim atyre vendeve fqinje që mendojnë se Kosova nuk ka nevojë për ushtri.
“Mendoj se çdo vend sovran ka të drejtë të ketë ushtrinë e tij dhe Kosova nuk ka pse të trajtohet ndryshe nga shtetet e tjera në rajon. Ka disa detyrime që Kosova duhet të plotësojë, siç i kërkohen nga komuniteti ndërkombëtar dhe unë nuk kam ndonjë kundërshtim me këtë. Por, si shkëmbim, edhe Kosova duhet të marrë diçka. Mendoj se të kesh një ushtri, kjo është një gjë bazë”, tha ai.
Ambasador Khalilzad tha se i sheh si mjaft pozitive marrëdhëniet e administratës së Presidentit Donald Trump me Kosovën.
“Angazhimi amerikan për Kosovën mbetet siç ka qenë dhe nuk kam dëgjuar që të jetë vënë në pikëpyetje. Marrëdhëniet janë mjaft solide. Kosova përballet me sfida, të cilat kërkojnë një marrëdhënie të fortë me SHBA si dhe me Bashkimin Evropian.”
Ky ishte njëri ndër disa aktivitetet që Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork po organizon me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë.
Teuta Sahatqija është Konsulle e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, tha se “Sot ne po e vazhdojmë shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës këtu në Nju Jork. Filluam me shkollën shqipe në Staten Island, vazhduam me një turnament futbolli, sot kemi një debat diplomatik për rrugën e Kosovës drejt pavarësisë dhe më tutje. Do të vazhdojmë me një ekspozitë fotografike, pastaj një koncert për nder të Nexhmije Pagarushës dhe do ta përfundojmë me një pritje për diplomatë në Nju Jork, në Kombet e Bashkuara. Do të jetë një aktivitet shumë ambicioz për festimin e këtij përvjetori të rëndësishëm për shtetin e Kosovës”.
Gjatë dhjetë vjetëve të pavarësisë, Kosova ka zbatuar reforma në shumë fusha, siç janë krijimi i një ekonomie tregu dhe sundimi i ligjit. Por siç u tha edhe nga panelistët, ajo përballet me një numër sfidash të mëdha në rrugën e së ardhmes, për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Bashkimin Evropian dhe në NATO. /VoA/
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...