Rigjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja dhe nëntë të akuzuarve tjerë në rastin e njohur si “Ferronikeli”, nuk ka ende një datë të fillimit, përkundër se janë bërë rreth pesë muaj që kur ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Kjo e fundit, më 12 qershor 2019, e kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Vendimin e Apelit, Themelorja e kishte pranuar në gusht të vitit të kaluar, por që nga ajo kohë, kryetari i trupit gjykues në këtë rast, Beqir Kalludra, nuk e ka caktuar ende seancën se kur do të fillojë rigjykimi.
Gjykatësi Kalludra për “Betimi për Drejtësi” tha se nuk e ka caktuar ende seancën në këtë rast, me arsyetimin se është i ngarkuar me shumë lëndë tjera.
Mirëpo, krejt kjo zvarritje mund të rrezikojë që veprat penale me të cilat ngarkohen të akuzuarit në këtë rast, të arrijnë afatin e parashkrimit të ndjekjes penale, për të cilin fakt, gjykatësi Kalludra ka thënë se është në dijeni.
Ai nuk e ka mohuar mundësinë që ndonjë vepër penale në këtë rast edhe mund të parashkruhet, duke e konsideruar këtë si një rrezik edhe për vet atë si gjyqtar të çështjes.
Ndryshe, parashkrimi i një vepre penale arrihet pas kalimit të afatit, i cili është paraparë me ligj, pas të cilit nuk mund të ndërmerret ndjekja penale dhe të akuzuarve nuk mund t’i shqiptohet dënimi për vepër penale që akuzohen se kanë kryer.
Në këtë rast, veprat penale për të cilat pretendohen se janë kryer nga të akuzuarit, përfshijnë periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2012.
Sipas Kodit Penal, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit. Duke qenë se veprat penale me të cilat ngarkohen të akuzuarit, kanë paraparë dënime deri në 5 vjet burgim, afati i parashkrimit të tyre është po ashtu, 5 vjet.
Kësisoj, disa nga veprat penale në këtë çështje pretendohen se janë kryer deri në fund të vitit 2010, çka do të thotë, se deri në fund të vitit 2020, do bëhen 10 vjet nga koha kur sipas prokurorisë, të akuzuarit i kanë bërë veprimet e tyre inkriminuese.
Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, më 5 nëntor 2018, ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.
Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fajtorë ishin shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Nebih Zeqiri, i cili ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim, Halit Gashi me gjashtë muaj burgim, Edmond Rexhepi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, Bajram Rizani me gjashtë muaj burgim, kurse Hasim Viseshella ishte shpallur fajtorë për marrje ryshfeti dhe ishte dënuar me pesë muaj burgim.
Ndërsa, ishin liruar nga akuzat, Magbule Sadiku, Burim Kodra si dhe Driton Avdiu, kurse ndaj biznesmenit Fahri Retkoceri, aktgjykim lirues ishte marrë për veprën penale, punimet ndërtimore të kundërligjshme.
Mirëpo, pas ankesave të ushtruara nga ana e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve së të akuzuarve, Gjykata e Apelit e kishte anuluar këtë aktgjykim të Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Sipas Apelit, aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i tij është i pakjartë për shkak se pjesa dënuese është në kundërshtim me pjesën liruese dhe atë refuzuese.
Kjo, pasi siç kishte vlerësuar Apeli, nga një gjendje e njëjtë faktike për të akuzuarin Shukri Buja, gjykata e shkallës së parë, për disa vepra e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënim, ndërsa, për disa ka nxjerrë aktgjykim refuzues me arsyetim se ka arritur parashkrimi absolut, për disa tjera ka nxjerrë edhe aktgjykim lirues, edhe pse sipas Apelit, kemi të bëjmë me një gjendje të njëjtë faktike dhe periudhë të njëjtë kohore për të cilën akuzohet se i ka kryer veprat penale.
Siç thuhet në aktvendimin e Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar as dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe ka dështuar të vërtetojë edhe elementin e dashjes.
Në rigjykim, Apeli e ka udhëzuar Themeloren që të vërtetojë dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe të merr parasysh pretendimet e ankimore lidhur me parashkrimin absolut të veprave penale.
Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, kishte nxjerrë aktgjykim refuzues për të akuzuarit Buja dhe Zeqiri, për katër pika të aktakuzës, sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare për shkak se kishte vlerësuar se ka arritur afati i parashkrimit.
Për të njëjtën arsye, kalimin e afatit të parashkrimit, Themelorja kishte refuzuar edhe pikat II.3 dhe II.2 të aktakuzës, ku Buja akuzohej për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes së ryshfetit dhe ushtrimit të ndikimit, kurse Retkoceri akuzohej për veprën penale të dhënies ryshfetit.
Në aktgjykimin që kishte nxjerr në nëntor 2018, gjykata e shkallës së parë, kishte refuzuar akuzën për Shukri Bujën dhe Nebih Zeqirin, për pikat I.1, I.2, I.3 dhe I.4 të dispozitivit të aktakuzës, me të cilat, dy të akuzuarit ngarkoheshin për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Sipas aktgjykimit të Themelores, veprimet e të akuzuarve në pikat e aktakuzës I.1, I.2, I.3 dhe I.4, pretendohet se janë kryer nga viti 2008 deri më 23 mars 2010, kurse aktvendimi për fillim të hetimeve është nxjerrë më 21 tetor 2015, apo mbi pesë vjet pas kryerjes së pretenduar të veprave penale nga të akuzuarit.
“..pra të gjitha këto veprime inkriminuese janë ndërmarrë para datës 21.10.2010, pra pasi që kanë kaluar më shumë se pesë (5) vite nga nxjerrja e aktvendimit për fillimin e hetimeve në këto çështje penale. Ndërsa që sipas dispozitivit të nenit 106 par.1 pika 1.4 të KPRK-së, vepra penale e cila është e dënueshme deri në pesë vite me burg, parashkruhet kur të kalojnë 5 vite nga data e kryerjes së veprës penale (parashkrimi relativ i ndjekjes penale), kurse sipas dispozitës së nenit 107 par. 8 të KPRK-së, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit (parashkrimi absolut i ndjekjes penale), ndërsa në rastin konkret kanë kaluar më tepër se 5 vite nga koha e kryerjes së veprës penale, madje për tri pika të aktakuzës, ka arrite edhe parashkrimi absolut i ndjekjes penale”, thuhej në aktgjykimin e Themelores.
Sa i përket pikës II.3 të aktakuzës, gjykata fillimisht kishte ardhur në përfundim se tek i akuzuari Buja, vepra penale e ushtrimit të ndikimit i absorbon edhe veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe marrjes ryshfetit, ndërsa duke qenë se ushtrimi i ndikimit, i paraparë me nenin 345 të Kodit të Përkohshëm penal, si ligj më i favorshëm për të akuzuarin, dënohet deri në dy vjet, edhe për këtë vepër, gjykata kishte vlerësuar se ka arritur afati i parashkrimit.
“…ndërsa në rastin konkret kanë kaluar më tepër se 6 vite nga koha e kryerjes së veprës penale, pasi që vepra dyshohet se është kryer me dt.13.08.2011, me çka parashkrimi relativ ka ndodhur me dt.13.08.2014, ndërsa që parashkrimi absolut ka ardhur me dt.13.08.2017”, thuhej në aktgjykimin e Themelores.
Me të njëjtën arsye, shkalla e parë e kishte refuzuar edhe akuzën për dhënie ryshfeti ndaj Fahri Retkocerit, për të cilën thekson se kohë e kryerjes së veprës penale është data 10 nëntor 2011, kurse afati i parashkrimit absolut ka arritur më 10 nëntor 2017.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ngarkon ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqiri – zyrtar për çështje pronësore në zyrën e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Halit Gashi – në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë ndërmarrë veprime për shpronësimin, eksproprijimin dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe komunale, në dobi të “New Co Ferronikel Complex L.LC”.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri Shukri Buja, në kundërshtim me Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme ka caktuar komisionin për vlerësimin e paluajtshmërive, edhe pse ky vlerësim është në kompetencë të nivelit qendror. Lidhur me punën e këtij komisioni, i pandehuri Buja sipas aktakuzës iu ka drejtuar “New Co Ferronikel Complex L.LC”, nga i cili ka kërkuar pagesën për punën e komisionit në shumës prej 21.500 euro, dhe atë në llogarinë e cila ka rezultuar të jetë e të pandehurit, Nebih Zeqiri.
Tutje, Buja pretendohet se duke tejkaluar kompetencat zyrtare, në emër të Komunës së Lipjanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi më “New Co Ferronikel Complex L.LC”. Në bazë të këtij memorandumi siç thuhet në aktakuzë, Buja i ka dhënë me qira “New Co Ferronikel Complex L.LC” një objekt komunal në afat prej 10 vjet, me çmimin prej 1 euro, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.
Në një rast tjetër, Prokuroria pretendon se të pandehurit Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në kundërshtim me ligjin kanë nënshkruar marrëveshje për kompensimin e paligjshmërisë së eksproprijuar me “New Co Ferronikel Complex L.LC”, për parcelën me 0.94,75 ari. Me kërkesë të të pandehurve, mjetet nga kjo marrëveshje, në shumën prej 39.795 euro, janë paguar në llogarinë rrjedhëse të klubit futbollistik “Ulpiana”. Sipas prokurorisë, e njëjta procedurë dhe e njëjta mënyrë e eksproprijimit dhe shpronësimit të ngastrave tjera, është përdorur edhe në raste tjera, e të cilat mjete janë transferuar në llogarinë bankare të klubit futbollistik “Ulpiana”.
Prokuroria i ngarkon të akuzuarit Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan dhe Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore kanë nxjerrë urdhëresë për regjistrimin dhe bartjen e pronës në mënyrë të kundërligjshme, në emër të “New Co Ferronikel Complex L.LC”.
I pandehuri Fahri Retkoceri, akuzohet për veprat penale “punime ndërtimore të kundërligjshme” dhe “dhënie e ryshfetit”. I pandehuri Retkoceri akuzohet se ka filluar ndërtimin e një objekti kolektiv-banesor, pa u pajisur me leje ndërtimi.
I pandehuri Hasim Viseshella – në cilësinë e shefit të sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe i pandehuri Edmond Rexhepi-Drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në komunën e Lipjanit, ngarkohen me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe “marrje e ryshfetit”, për faktin se kanë lëshuar leje ndërtimi për të pandehurin, Fahri Retkoceri.
Të akuzuarit, Driton Avdiu dhe Burim Kodra, akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria, pretendon se dy të akuzuarit në cilësi të inspektorëve komunalë, me rastin e inspektimit në ndërtimin e objektit banesor nga i pandehuri, Fahri Retkoceri, nuk i kanë ndërmarrë masat për pezullim të punimeve.
Ndërsa, i pandehuri Bajram Rizani – në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke qenë në dijeni se i pandehuri, Fahri Retkoceri, po ndërtonte objekt pa leje, nuk ka kërkuar nga vartësit e tij pezullimin e ndërtimit të objektit, me çka akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Roma fillon të këndellet, ‘shkatërron’ në shtëpi Parman
Kusari-Lila rrëfehet për kancerin e gjirit: E zbulova krejt ...
Të paktën 20 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
LDK premton koeficient të pagave 150 euro për të giithë shër...
U tha se zëvendësministri i ri i MINT-it ishte dënuar për ke...
Nga 100 euro për fëmijë e pensionistë, Rrahmani: Vendim i du...