Nesër qysh në mëngjes do ta nisë vizitën në Kosovë presidenti slloven Borut Pahor, derisa në fundjavë do të vijnë edhe Miroslav Lajçak dhe dy emisarët e rinj të caktuar nga Franca e Gjermania.
Pasi nisën letra me përmbajtje të njëjtë për kryeministrin Kurti dhe presidentin serb, presidenti francez, Emanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz paralajmëruan se më 9 shtator do të nisin në Kosovë dy këshilltarët Jens Plöttner dhe Emmanuel Bone.
Ata do të vijnë në Kosovë që t’i mbështesin në mënyrë të drejtpërdrejtë përpjekjet e të ngarkuarit të BE-së, Miroslav Lajçak në dialogun Kosovë-Serbi. Kreu i qeverisë së vendit, Albin Kurti, duke iu referuar letrës, tha se mirëpret interesimin e Parisit dhe Berlinit për gatishmërinë që të ndihmojnë në procesin e dialogut.
“Kosova e kupton rëndësinë e integrimit evropian në zemrën e të cilit për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe neve në veçanti, ndodhet Gjermania dhe Franca. Andaj, ne e mbështesim faktin që dy shtete kaq të rëndësishme evropiane dhe njohëse të republikës sonë që nga fillimi, do të ndihmojnë ndërmjetësimin e Brukselit për një marrëveshje ligjërisht obligueshme që e ka në qendër njohjen reciproke”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq për njohësit e çështjeve politike në vend, caktimi i dy emisarëve për negociatat nga dy shtetet kryesore të BE-së, Gjermanisë dhe Francës, tregon se dialogu pritet të marrë dinamikë edhe më të fuqishme.
”Natyrisht do të kërkohet në afatin kalimtar që të ketë marrëveshje më të vogla që mund të shërbejnë si përafrues mes palëve apo të krijojnë vullnetin më të madh politik para se të kemi atë që kërkon jo vetëm Kosova por kërkojnë të gjitha shtetet përkrahëse të Kosovës dhe euroatlantizimit po ashtu që do të ishte diçka që i ngjan njohjes së ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Drilon Gashi, analist politik.
“Presioni do të jetë jashtëzakonisht i madh dhe marrëveshja finale sipas pritjeve, pritet që të gjendet deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm e cila lidhet edhe me konfliktin në Ukrainë që Kosova të jetë problem i mbyllur në momentin kur të përfundojë lufta e Ukrainës dhe të kërkohet në tavolinë gjetje e një marrëveshje mes këtyre dy shteteve. Ajo luftë do të përfundojë një ditë por tema e Ballkanit, tema e Kosovës dhe Serbisë të mos jenë të hapura në atë kohë”, tha Bekim Kabashi, analist politik.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur vëllimin e takimeve me përfaqësues të shtetit të Kosovës dhe Serbisë pas marrëveshjes së letërnjoftimeve dhe tensioneve të krijuara në veri të vendit më 31 korrik të këtij viti. /rtk/
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?