Emërimi i Nenad Rashiqit në ministrinë që udhëhiqej nga Rakiqi, fund i “ledhatimit” të Listës Serbe

09:01 | 3 Dhjetor 2022
A. B.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka emëruar ministër në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, që në “Qeverinë Kurti1” e kishte pozitën e këshilltarit.

Ky emërim nga kryeministri Kurti, vjen disa javë pas dorëheqjes së Goran Rakiqit nga pozita e ministrit në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, i cili bashkë përfaqësuesit e partisë së tij nga Lista Serbe, dhe punonjësit e tjerë që punonin nëpër institucionet e Kosovës, të organizuar dhe nën dirigjimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, dhanë dorëheqje të pa revokueshme.

Emërimi i Nenad Rashiq, në krye të ministrisë për Kthim dhe Komunitete është në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Kështu po thonë nga qeveria, por edhe njohës të Kushtetutës së Kosovës, raporton arbresh.info.

“Kushtetuta e vendit i jep kompetencë të plotë Kryeministrit Kurti që të bëjë ndryshime në kabinetit qeverisës pa pëlqimin apo aprovimin e Kuvendit. Duke e njohur si shef të pa kontestuar të Qeverisë, kushtetuta i jep autoritetin Kryeministrit që të ndërrojë një ministër pa pëlqim të Kuvendit, me qëllim sigurimin e zbatimit të politikave të tij nga kabineti qeveritar”, shprehet zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Sipas tij, procedura e përzgjedhjes së ministrave që vijnë nga komunitetet përmes aprovimit të tyre në Kuvend edhe nga deputetët e komuniteteve jo shumicë, sipas nenit 96, është respektuar gjatë votimit të Qeverisë Kurti 2.

Kryeziu thotë se pas situatës së shkaktuar me dorëheqjen Rakiq, neni 96 interpretohet në dritë të nenit 94 par.4 mbi kompetencat e Kryeministrit.

Baraliu: Lista Serbe nuk është perandor, nuk mund të krijojë politika e të bëjë qejfet e veta të hyjë e të dal sa herë të donë

Ky emërim i Nenad Rashiqit, nga eksperti për çështje të Kushtetutës, Mazllum Baraliu, po konsiderohet i ligjshëm dhe që nuk shkel kushtetutën sa i përket emërimit në pozita të personave nga komunitetet jo shumicë.

Baraliu thotë se partia që i përfaqëson serbët (Lista Serbe) vetë ka hequr dorë nga një e drejtë e tyre.

“Është çështje e interpretimit të kushtetutës, unë besoj se Qeveria ka pasur parasysh atë sepse në Kushtetutë shkruan që ‘Partia më e madhe e komunitetit përkatës, e cila fiton numrin ma të madh të deputetëve, ka të drejtë ta bëjë propozimin në qoftë se nuk ka koalicion siç është rasti tash. Pra propozimin për ministër. Ata e kanë bë, dhe e kanë lënë. E të drejtat, nëse kuptohet në pikëpamje të thjeshtë shkencore. Të drejtat janë opsione, janë mundësi, janë zgjedhje dhe janë alternativë”, tha Baraliu.

Ndërsa sa i përket mundësisë së hapjes së telasheve nga Lista Serbe në drejtim të Qeverisë Kurti, pas emërimit të Rashiqit si ministër, Baraliu e sheh si të pamundshme.

“Jo, jo s’ka çka Lista Serbe, ajo mund të bëjë zhurmë, por Lista Serbe nuk është perandor, ajo nuk mund të krijojë politika këtu dhe të bëjë qejfet e veta sa herë të donë të hyjë e të dalë nga institucionet. Ata edhe ashtu nuk e kanë ushtruar të drejtën e tyre sa që tërë kohën ka qenë në Beograd, dhe tërë kohën ka folur kundër Qeverisë pjesë e së cilës ka qenë”, shprehet Baraliu.

Sipas tij vetëm në Kosovë mund të ndodh që të lejohet dikush të punojë kundër Qeverisë në të cilën është dhe përfiton nga frytet dhe benificionet e caktuara.

“Po, mbi të gjitha që ajo që duhet diskutuar, ata e kanë diskutuar një të drejtë, kanë hequr dorë nga ajo e drejtë, dhe tani ajo e drejtë i takon institucionit. Institucionet duhet të funksionojnë. Në bazë të parimit të analogjisë i takon dikujt tjetër që është përfaqësues sikur këtë, por në rangun e dytë pas këtyre të përfaqëson komunitetin e njëjtë”, ka shtuar Baraliu.

Ai beson se Qeveria Kurti ka pasur analizën përkatëse dhe nuk ka pasur shkelje me emërimin e Nenad Rashiqit si ministër.

Ndryshe, Nenad Rashiq të enjten është emëruar ministër për komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Kjo pas dorëheqjes së ish-ministrit Goran Rakiq.

Ndërkohë, më 5 nëntor, Lista Serbe vendosi që t’i largojë të gjithë serbët nga institucionet qendrore dhe ato lokale.

Kreu i kësaj partie, Goran Rakiq, pasi shpalli dorëheqjen nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim, tha se largimi nga institucionet vjen pas vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Përveç Listës Serbe, dorëheqje kanë dhënë edhe zyrtarët policorë, punonjësit e gjykatave dhe institucioneve të tjera./ arbresh.info/ Pleurat Salihu/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme