Elshani: Policia s’pati qëllim ta vrasë askënd, vetëm ta çlirojë vendin nga kriminelët

13:51 | 27 Shtator 2023
A Z

Zëvendësdrejtori i Policisë të Kosovës në rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se Policia nuk ka pasur qëllim ta vrasë asnjërin nga sulmuesit në Manastirin e Bansjkës.

Elshani, në një konferencë për medie nga veriu i vendit, ka thënë se qëllimi i Policisë ka qenë vetëm ruajtja e territorit dhe çlirimi i vendit nga kriminelët.

Tutje, ai ka thënë se hetimet nuk do të përfundojnë për një kohë të gjatë e se zona rreth Manastirit do të qëndrojë e mbyllur nën dyshimet se ka ende mjete të paeksploduara .

“Hetimet nuk do të përfundojnë edhe një kohë të gjatë sepse edhe për neve është interesante pse është zgjedhur ky vend për sulm dhe cili ka qenë qëllimi i këtyre njerëzve të armatosur. Ndoshta, për shkak që është afër kufirit”.

“Bastisja ka përfunduar. Ne konsiderojmë që kemi bërë një punë të mirë. Nuk lejohet lëvizja e qytetarëve sepse kemi gjetur shumë mjete të paeksploduara dhe ka mundësi të ketë ende. Do të kemi njësi tjera speciale. Por, konsiderojmë që rreziku ende nuk ka kaluar”.

“Ne nuk kemi pasur qëllim t’i vrasim 30 vetë. Nuk kemi pasur qëllim ta vrasim asnjë njeri. Qëllimi jonë është që ta ruajmë territorin tonë dhe që ta çlirojmë vendin nga grupet kriminale këtu dhe nëse gjatë këtij procesi ka të vrarë, nuk kemi çfarë të bëjmë”.

“Fshatarët e këtij fshati nuk kanë qenë të rrezikuar as nuk ka dëme anësorë. I kemi bërë planifikimet tona dhe kjo për neve është çudi”.

“Do të jetë pjesë e hetimeve nëse kanë bashkëpunuar edhe qytetarët, por nuk mund të them asgjë për këtë. Armatim ka pasur në çdo vend, ka pasur shumë armatim, në zonat e jashtme, rreth shtëpive”./eo

Të ngjashme