Pranimi i shteteve sipas të Drejtës Ndërkombëtare paraqet një akt politik dhe si i tillë nuk ka edhe ndonjë ndalesë për tërheqjen e njohjes, thotë Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve me seli në Londër.
Komentet e tij, pasojnë deklaratat e shefit të diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq, sipas të cilit, Republika e Surinamit ka tërhequr vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës.
Institucionet e Kosovës, thonë se nuk kanë marrë asnjë informatë zyrtare nga Surinami, dhe potencojnë se në të Drejtën Ndërkombëtare nuk njihet praktika e tërheqjes së njohjes, por sipas Qeverisë së Kosovës, mund të ekzistojë vetëm ngritja e raporteve mes shteteve.
Në lidhje me këtë, Mark Ellis ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në të Drejtën Ndërkombëtare ekzistojnë dy teori kryesore rreth njohjes së shteteve – ajo konstituive dhe teoria deklarative.
Sipas teorisë konstituive, sqaron Ellis, njohja nga shtetet e tjera është kriter për vetë shtetësinë.
“Një shtet konsiderohet shtet vetëm kur njihet si i tillë nga një numër i konsiderueshëm i shteteve të tjera. Shtetet kanë diskrecion nëse do të njohin apo jo një shtet të ri. Për më tepër, vetëm me njohjen nga shtetet e tjera bën që shteti i ri të ekzistojë, të paktën në kuptimin juridik”, ka thënë ai.
Kurse përmes teorisë deklarative, nënvizon ai, thjesht vlerësohet nëse shteti përmbush kriteret objektive për shtetësi. Sipas kësaj teorie, njohja nga shtetet e tjera (siç është edhe tek teoria konstituive) është e parëndësishme për statusin e shtetësisë.
Ai rikujton Nenin numër një të Konventës së Montevideos, ku përcaktohen katër kritere për shtetësinë, të cilat janë të pranuara nga organizatat ndërkombëtare si deklaratë e saktë e të drejtës zakonore ndërkombëtare.
Shteti si pjesë e të Drejtës Ndërkombëtare duhet të posedojë këto kualifikime: popullsi të përhershme, një territor të përcaktuar Qeveri dhe kapacitetin për të hyrë në marrëdhënie me shtetet tjera.
“Në përgjithësi, në bazë të teorisë deklarative, njohja e një shteti, sipas të Drejtës Ndërkombëtare paraqet një akt politik, ndryshe nga ai ligjor. Prandaj, nuk ka asnjë detyrim në të Drejtën Ndërkombëtare për të njohur shtetin ose të drejtën e shtetit për t’u njohur”, thekson Ellsi.
Ngjashëm, thotë ai, edhe tërheqja e njohjes është një akt politik, dhe si i tillë, nuk ka ndalim të përgjithshëm ose detyrim rreth tërheqjes së njohjes së ndonjë shteti të pranuar paraprakisht, siç është rasti me Republikën e Surinamit.
“Prandaj, mendoj se është e vështirë që Kosova ta vërtetojë apo dëshmojë se njohja e shtetit është përgjithmonë e parevokueshme”, thotë Ellis.
Ekziston edhe një argument tjetër te çështja e njohjeve, thotë Ellis, e që lidhet me traktatin e Vjenës.
“Në këtë skenar thuhet se veprimet e njëanshme, siç është njohja e shtetësisë, nuk janë të modifikuara, përveç nëse ka një ndryshim të rëndësishëm në rrethanat, siç është zhbërja e një shteti, siç ishte rasti me Jugosllavinë. Sidoqoftë, unë nuk jam mbështetës i këtij argumenti”, thotë Ellis.
Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë së Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë dokument zyrtar nga Republika e Surinamit, nëse ky vend e ka tërhequr njohjen e Republikës së Kosovës.
Një vendim i tillë eventual nuk është konfirmuar deri më tash as nga Qeveria e Surinamit, përderisa i vetmi që ka deklaruar këtë “tërheqje të njohjes”, është shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.
Duke mos u ndërlidhur vetëm me rastin e Surinamit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie u ka bërë thirrje shteteve që ta njohin Kosovën.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën është e palëkundur dhe e pandryshueshme. Fakti i pavarësisë së Kosovës është i pakthyeshëm”, ka deklaruar Delawie, për Radion Evropa e Lirë.
Surinami e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 8 qershor, 2016. Ky vend ndodhet në Amerikën Jugore, me sipërfaqe prej 163.820 kilometrash katrorë dhe ka mbi 550 mijë banorë.
Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, Kosovën e kanë njohur 114 shtete.
Der Spiegel: Kosova ka humbur rreth 12 për qind të popullsis...
“Ish krerët e UÇK-së po mbahen peng në Hagë”, Rama nga Prish...
Masat e BE-së ndaj Kosovës, Rama: Duhet të hiqen- Barra duhe...
Bashkimi Evropian dërgon në Kosovë vëzhgues për zgjedhjet e ...
Diplomatët amerikanë vizitojnë Sirinë për herë të parë pas r...
Përurimin e segmentit Stanovc- Vushtrri, Kurti: Rruga Prisht...