Elezi: Kemi pranuar kërkesat nga kryesuesit e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut

16:30 | 13 Dhjetor 2023
E.H

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar tri kërkesa të ndara nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale për Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Lajmi është bërë i ditur për mediet nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, të mërkurën pasdite.

Këto kërkesa janë pranuar nga grupe nismëtarësh të cilët kanë iniciaur procedurën për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

Elezi ka treguar para mediave përmbajtjen e kërkesave të cilat i janë drejtuar KQZ-së.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar në adresën zyrtare tri kërkesa të ndara nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale për Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Përmbajtja e këtyre tri kërkesave është e njëjtë. Së pari, të tre Kryesuesit e Kuvendeve Komunale kanë kërkuar nga KQZ, që t’i ofrojmë informatat zyrtare për anëtarët e grupit inicues se a janë votues të komunave përkatëse. Së dyti, të njëjtit kanë kërkuar që t’i ofrojmë informatat lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%”, njoftoi Elezi.

Më tej, ai tregoi se KQZ ëhtë duke i trajtuar këto kërkesa dhe brenda afatit do t’i kthejnë përgjigje.“Mund t’iu konfirmoj se këto kërkesa janë duke u trajtuar dhe brenda afatit 5 ditor do të përgjigjemi.

Për këto përgjigje, do të bashkëpunojmë edhe me Agjencinë për Regjistrimin Civil pasi lista votuese buron nga ekstrati i Regjistrit Qendror Civil”, tha Elezi.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me komunën e Zveçanit pasi një kërkesë e tillë nuk është dorëzuar në KQZ, Elezi sqaroi se nëse eventualisht në KQZ paraqitet ndonjë kërkesë e ngjashme, të njëjtën do ta trajtojnë si rastet tjera./eo

Të ngjashme