Produktet kosovare kanë filluar të depërtojnë në tregun e Serbisë, por me shumë probleme.
Sipas të dhënave zyrtare eksporti i produkteve të Kosovës për në Serbi është rritur për 46% këtë vit.
Kështu ka thënë zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci në një prononcim për arbresh.info
Ai tha se vitin e kaluar gjatë kësaj periudhe kishin 13 milionë euro produkte të ndryshme te eksportuara ndërsa tani është rritur mbi 19 milionë euro.
“Gjatë këtij viti ne Serbi kemi pasur eksport mbi 19 milionë euro që është rritje me vitin e kaluar pasi ne te njëjtën periudhe kishim rreth 13 milionë”, tha Stavileci.
Stavileci thotë se eksporti i Kosovës për në Serbi është i fokusuar në industrinë e perimeve dhe materiale ndërtimore.
“Kryesisht dominojnë industria e perimeve dhe ajo e materialeve ndërtimore”, deklaroi Stavileci.
Por, ka raste kur Serbia nuk i pranon mallrat.
E kjo për shkak të një dërgese me mbishkrimin Republika e Kosovës.
“Gjatë këtij viti kemi pranuar një ankesë dhe realisht Serbia ka kthyer një dërgese me mbishkrimin Republika e Kosovës gjë që edhe është ngritur në instancat kompetente”, tha Stavileci.
E këtë nuk e mohon as Ministria e Tregtisë.
Albert Maxhuni, Shef i Kabinetit të Ministrisë të Tregtisë dhe Industrisë në një prononcim për arbresh.info thotë se Serbia nuk pranon dokumentacionin e produkteve me mbishkrim “Republika e Kosovës”, ndërsa Kosova i pranon të gjitha dokumentacionet e tyre.
“Serbia nuk e pranon dokumentacionin e produkteve qofte bujqësore apo industriale me mbishkrimin Republika e Kosovës. Ndërsa, Kosova pranon dokumentacionin e Serbisë për te gjitha produktet përveç ne rastet kur dokumentacioni nuk është në përputhje me ligjet përkatëse të Kosovës, apo Marrëveshjes se Brukselit të vitit 2012”, tha Maxhuni.
Ai thotë se konsumatorët serbë hezitojnë t’i konsumojnë produktet kosovare dhe po ashtu të lidhin kontrata me operatorët nga Kosova.
E gjithë ato mallra që eksportohen në Serbi, destinohen për Luginën e Preshevës.
“Për shkak të barrierave tregtare dhe politike që Kosova ka me Serbinë shpesh tentativat e kompanive kosovare mbesin vetëm tentativa. Pra, nuk ka konkretizim të eksportit në Serbi. Por, edhe nëse ka eksport në Serbi (raste të rralla), atëherë shumica e eksportit është e destinuar për banoret e Luginës së Preshevës. Pra, ende konsumatorët dhe operatorët serbë hezitojnë që të konsumojnë produktet kosovare dhe të lidhin kontrata me operatorët nga Kosova”, tha Maxhuni.
Kurse analisti i politikave ekonomike, Besart Zhuja në një prononcim për arbresh.info raportin tregtar mes dy shteteve e quan shumë kompleks.
Ai thotë se Kosova në eksportin e mallrave ende e ka problemin me mungesën e njohjes së vulave ku shkruan “Republika e Kosovës”.
“Është e vërtetë që raporti tregtarë në mes të Kosovës dhe Serbisë është shume kompleks. Vështirësitë e kompanive të Kosovës për të depërtuar në tregun e Serbisë janë të shumta. Mungesa e njohjes së dokumenteve me vula ku shkruan Republika e Kosovës, mos njohja e targave RKS, nuk po lejon transportin e lirë të mallrave dhe maunave te Kosovës, pastaj mos-njohja e certifikatës së origjinës së Produkteve të Kosovës, mos lejimi i përdorimit te tog-fjalëshit “Made in Kosovo” për produktet të cilat duan të tregtohen nëpër raftet e supermarketeve në Serbi si dhe shume çështje të tjera ndikojnë në këtë deficit të lartë tregtarë që ne kemi”, tha Zhuja.
E pavarësisht se këto çështje po dialogohen në takimet në Bruksel e Uashington, ato nuk po gjejnë ende zbatim të plotë.
“Çështje të tilla janë diskutuar dhe po vazhdojnë të dialogohen edhe ne takimet e Brukselit. Shumë nga 33 marrëveshjet e dialoguara në Bruksel përmbajnë dakordësi për lehtësim të qarkullimit tregtar, mirëpo implementimi i tyre dhe mekanizmat e kontrollit të tyre, po mungon. Sidoqoftë, strategjia e qeverise së Kosovës duhet të jetë presioni që brenda këtyre marrëveshjeve të futen edhe kërkesat për lehtësimin qarkullimi të produkteve të Kosovës në Serbi si dhe njohjen e plotë të të gjitha dokumenteve të lëshuara nga autoritetet e Kosovës”, vlerëson Zhuja.
Të dhënat zyrtarë në Doganën e Kosovës, po ashtu tregojnë se përveç eksportit, edhe importi i mallrave serbe në shtetin e Kosovës është në rritje, këtë vit janë importuar rreth 107 milionë euro produkte serbe./E.Haxhiu/arbresh.info/
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë