Dafina Zhubi nuk është vetëvrarë por është vrarë, ka konstatuar një Institut zviceran. Sipas ekspertizës që ka siguruar Insajderi, po të vetëvritej e ndjera, do të kishte gjurmë baruti dhe gjaku në duar. Eksperti ka vënë në dyshim vendimin e prokurores se rastit, Fitore Sadikaj e cila vitin e kaluar konstatoi se Dafina Zhubi ka kryer vetëvrasje.
Ajo ka liruar nga paraburgimi të dyshuarin, Astrit Dibra. Vendimin e ka marrë nën ndikimin e kryeprokurorit të Prishtinës, Imer Beka.
Një institut zviceran ka konstatuar se Dafina Zhubi nuk ka kryer vetëvrasje, por është vrarë. Ekspertiza vë në dyshim konstatimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës e cila vdekjen e Zhubit e cilësoi vetëvrasje.
Instituti i quajtur “Forensicons” e drejtuar prej prof. dr. Ulrich Zolinger ka nxjerr një raport prej gjashtë faqesh të bazuar në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, me anë të së cilit përjashton çdo mundësi që 35-vjeçarja ta ketë qëlluare vetën me armë në kokë.
Eksperti mjekoligjor jep argumente të hollësishme se një gjë të tillë nuk e ka bërë ajo, por dikush tjetër ka shtënë me armë në kokën e saj nga një distancë shumë e afërm.
Mes fakteve të shumta se Dafina Zhubi është vrarë argumenton se në duart e të ndjerës nuk janë gjetur grimca baruti e as pika gjaku që shkaktohen në secilin rast vetëvrasjeje.
Ekspertiza që është kryer me kërkesë të Selim Zhubit, babait të së ndjerës tashmë është në duart e Prokurorisë së Shtetit. Një kopje të kësaj ekspertize e ka siguruar Insajderi.
Prokuroria pritet që të kërkojë kryerjen e një ekspertize tjetër të pavarur në Gjermani. Në rast se del rezultat i njëjtë me atë të Zvicrës, Astrit Dibra pritet të akuzohet për vrasjen e Dafina Zhubit. Zhubi vdiq më 17 shkurt 2016 në banesën e Astrit Dibrës në Prishtinë.
Dibra u liruar nga paraburgimi muaj më parë pasi prokurorja e rastit, Fitore Sadikaj erdhi në përfundim se e ndjera ka kryer vetëvrasje e jo vrasje. Këtë konstatim ajo e nxori me direktiva të shefit të saj, Imer Beka.
Kësisoj, Astrit Dibra u la i lirë. Ai, tashmë është larguar nga Kosova.
Ekspertiza e ekspertit zviceran është krejtësisht në kundërshtim me konstatimet e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
“Si përmbledhje mund të thuhet që pamja e gjurmëve të gjakut, pozita përfundimtare e viktimës dhe pozita e armës nuk përputhen me një vetëvrasje me anë të një qitjeje që e depërton dhe kalon kokën që gjoja ndodhi në anën e djathtë të shtratit nga pozita në këmbë”, shkruan në raportin e nënshkruar nga eksperti, Ulrich Zolinger.
Ai thotë se bazuar në raportet hetimore, Zhubi është vrarë si pasojë e qitjes me armë nga afërsia absolute.
“Për momentin nuk e përjashtoj që ka pasur dy të shtëna, ku ajo në roletë u bë për të larguar vëmendjen nga goditja e parë. Prandaj e konsideroj si të nevojshme të ekzaminohet predha nga roleta për ADN dhe gjak nga Dafina”, shkruan në raport.
“Po që se gjurmë të tilla mungojnë, kjo tregon për një të shtënë të mëparshme. Kjo mund të ketë ndodhur në dysheme pranë shtratit. Me gjasë askush nuk ka shikuar atje. Ka mundësi që tepihu është mënjanuar, por dyshemeja nën të ende ekziston”, vazhdon raporti.
Ai i rekomandon avokatit të familjes që të kërkojë një ekzaminim të dyshemesë dhe tepihut për të nxjerrë një pamje më të qartë të asaj se çfarë ka ndodhur.
Mjeku ligjor zviceran thotë se pamja e gjurmëve në vendin e ngjarjes është vendimtare për të nxjerr dallimin midis vetëvrasjes dhe veprës penale.
“Dhe kjo pamje gjurmësh nuk përputhet aspak me pohimet e Astrit Dibrës. Gjatë marrjes në pyetje policore ai (Astrit Dibra v. J.) tha se kur hapi derën e dhomës së fjetjes, Dafina gjendej para tij në këmbë mbi shtrat në një distancë prej 2 metrash kur ajo lëshoi të shtënën. Sinjalizimi i vetë, i mundshëm gjurmësh për vendin e qitjes të pohuar nga Dibra do të ishte gëzhoja e fishekut që gjendej pranë shtratit djathtas. Mirëpo, ajo mund të jetë sjellë më vonë”, konstaton më tej ai.
Insajderi zbuloi në nëntor të vitit të kaluar se si kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka kishte ndikuar mbi prokuroren, Fitore Sadikaj që vdekjen e Dafina Zhubit ta cilësojë si vetëvrasje, e jo vrasje. Kishte ndikuar po ashtu që ta lironte nga paraburgimi të dyshuarin Astrit Dibra.
Vendimin për këtë konstatim, prokurorja e rastit e kishte marrë bazuar siç thotë ajo në prova dhe në konsultim me eprorin e saj.
Mirëpo, vlerësimi që i është bërë provave të mbledhura gjatë hetimeve nga Prokuroria e Shtetit, çonin në dyshimin se vajza nga Gjakova me shtetësi zvicerane, ishte vrarë nga i dashuri i saj.
Futbollistët dardan nuk kthehen në fushë, gjqytari e mbyll n...
Gjyqtari kryesorë u jep ultimatum futbollistëve dardan tR...
Ky është parashikimi i motit për vikend
Raporti i KE: Ekonomia shqiptare vazhdon trendin e fortë të ...
Media rumune i quan gjeste të turpshme disa nga veprimet e f...
Ndërprerja e ndeshjes Rumani – Kosovë, Pacolli: Koret ...