Google ADS

Eksperti i shtrenjtë që po punon në KEK, ministri i Financave flet rreth pagës së gjermanit

00:28 | 28 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë në emisionin dPT te Fidani në T7 se nuk e ka parë kontratën e nënshkruar për pagesën e ekspertit gjerman.

Mediat raportuan se pagesa e tij është 12 mijë euro në ditë, ndërsa shifra totale mbërrin 248 mijë euro.

Murati tha se humbjet që po pëson Kosova nga rënie e bllokut B-2 janë shumë më të mëdha se sa shuma e përfolur në medie.

“Nuk është se kam parë një kontratë dhe e kam nga mediat. Por besoj se kjo është më tepër përpjesëtim i ditëve të punës që kompania e angazhuar do të marrë si total. Nuk e kam parë kontratën dhe nuk i di termat e referencës, 248 mijë është total. Është me rëndësi që sa më shpejt ta kthejmë bllokun, sepse kosto oportune për cdo ditë që ky bllok është i rënë, nëse llogarisim çmimet e importit, ora na kushton 100 mijë euro nëse importohet sasia e njëjtë, apo 2.4 milionë euro dita”, tha ai.

“Jemi duke diskutuar për ta rregulluar një problem i cili mund të kushtojë shumë më shtrenjtë. Telekomi ka paguar me shifra të ngjashme të publikuara vite më parë. Kemi pasur menaxherë e drejtorë që kanë pasur shifra marramendëse. Nëse flasim për një problem që kushton shumë më shumë, sepse si ministër i financave nuk do ta doja këtë punë po të mos kishte këso kosto të problemeve, atëherë nuk do e diskutoja”, përfundoi ai.

Të ngjashme