Nënkryetari ekzekutiv i “Atlantic Council” (një grup i mendimit për politikë të jashtme dhe publik me qendër në Uashington), Damon Wilson, thotë se asgjë nuk është e lehtë në marrëdhëniet Beograd-Prishtinë, sikurse nuk është e lehtë për Korenë e Veriut, Iranin, Venezuelën.
Por sipas tij, arritja e ambasadorit Richard Grenell për të arritur një marrëveshje për rindërtimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, “meriton një heqje kapele”.
Madje, sipas tij, përkushtimi i Grenell, tregon përfshirjen aktive amerikane, përcjell Telegrafi.
“Shikoni, asgjë nuk është e lehtë këtu. Nëse do të ishte e lehtë do ta kishim bërë shumë kohë më parë. Kjo është punë e vështirë. Vështirë për Beogradin, vështirë për Prishtinën, BE-në dhe SHBA-në. Jam vërtet i kënaqur me marrëveshjen e re dhe përfshirjen aktive të Amerikës në arritjen e asaj marrëveshje”, citojnë mediat serbe Wilson.
Progresi i angazhimit amerikan në të gjitha këto konsiderohet shumë i rëndësishëm sepse, thotë ai, po ndodh në mes të gjithë asaj zhurme në botë, ku administrata Trump ka shumë punë për të bërë.
“Nuk është e lehtë të kesh fitore të mëdha në politikën e jashtme tani. Koreja e Veriut, Irani, Venezuela, këto janë vërtet çështje të vështira. Këtu nuk ka sukses të shpejtë, dhe administrata me të vërtetë bën shumë punë. Nuk është e thjeshtë të regjistrohet një sukses në Ballkanin Perëndimor, por në Ballkanin Perëndimor ne po punojmë me demokraci që duan strategjikisht të jenë pjesë e Perëndimit, të cilët ndajnë një vizion të përbashkët për të ardhmen e rajonit si pjesë e Evropës. Duket e vështirë, por relativisht e lehtë kur krahasohet me Iranin, Korenë e Veriut, Venezuelën. Pra, për një administratë që dëshiron të marrë rezultate, pyetja këtu është – a mundemi ne. Këtu mund të arrijmë rezultatin. Arsyeja e tretë është pragmatizmi. Përqendrohuni në ekonomi dhe njerëz. Nuk është çështje ideologjie pse Amerika përfshihet në Kosovë apo Serbi, por më tepër pragmatizëm, mundësi biznesi”.
Ai, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës (edicioni në gjuhën serbe) ka folur edhe rreth taksës (ndaj produkteve serbe) e cila sipas tij, mbetet një pengesë e madhe ekonomike.
“Taksat mund të hiqen dhe pastaj diskutimi serioz mund të vazhdojë. Ju e dini, ne duhet të zgjidhim probleme të mëdha, por gjithashtu të kemi një dialog serioz për përparimin, për rritjen ekonomike dhe zhvillimin. Aktualisht, taksat po ndikojnë në rritjen e tregut të zi dhe të korruptuar, dhe kjo nuk do të ndihmojë shumë qytetarët e Kosovës dhe Serbisë”, ka vlerësuar Wilson.
Veç tjerash, ai beson se Bashkimi Evropian do të jetë pjesë e asaj që do të ndodhë në Ballkanin Perëndimor.
“BE është në qendër të këtyre zhvillimeve. Ata janë një partner amerikan. Në thelb po flasim për dy kombe që duan të jenë pjesë e BE-së”.
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist