Ekspertët thonë se duhet të gjendet zgjidhje sa më parë për taksën ndaj Serbisë

20:09 | 24 Nëntor 2018
Arbresh.info

Në Prishtinë, një ekspert i ekonomisë thotë se taksa prej 100 përqind e vendosur ndaj të gjitha importeve të Serbisë në Kosovë është një problem që duhet të zgjidhet sa më parë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka fajësuar Bashkimin Evropian dhe Perëndimin që ai thotë se nuk arritën ta parandalojnë këtë masë të qeverisë së Kosovës.
Materiali në vazhdim u përgatit nga Associated Press.

Eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, i cili dikur drejtonte dhomën e tregtisë së Kosovës, thotë se Serbia dhe Kosova duhet ta zgjidhin këtë çështje:
“Duhet të them se nëse dikush e pëson nga këto masa, atëherë qytetarët e Kosovës do të paguajnë çmim më të lartë sepse të gjitha mallrat do të jenë më të shtrenjta. Mendoj se këtë çështje duhet ta zgjidhim sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Megjithatë disa banorë në Prishtinë thanë se nuk kanë asnjë problem me taksën.

“Situata është e qetë, çmimet nuk kanë ndryshuar, ato janë të njëjta sikurse para një jave apo një muaji”, thotë Shqipe Rrahmani, drejtoreshë e supermarketit “Maxi”.

“Për momentin nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim në çmimet, por edhe nëse ka një ndryshim të çmimeve për produktet serbe, nuk e shoh si problem, ka gjithmonë produkte zëvendësuese. Nuk mendoj se tarifa duhet të hiqet,” thotë klienti Eroll Morina.

Artan Bushaku është nëpunës dogane.

“Sot trafiku ishte normal, përveç mallrave nga Serbia nga të cilat nuk kemi pasur fare. Kemi pasur dy raste ku mallrat janë kthyer në Serbi sepse nuk i kanë plotësuar kushtet që kërkohen nga qeveria e Kosovës”, thotë ai.

Tarifat e fundit ka të ngjarë të prekin kryesisht serbët që jetojnë në veri të Kosovës.

Ja si reagon Jorgovanka Popoviç, banore e Graçanicës:

“Mendoj se kjo ishte e panevojshme, vetëm njerëzit e zakonshëm do të vuajnë pasojat, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre serbe, shqiptare apo çfarëdo tjetër. Nuk e di se çfarë loje po luajnë. Ne duhet të jetojmë së bashku, të këmbejmë mallra. Nuk mundet që vetëm një vend të prodhojë mallra dhe tjetri jo”.

Në të gjitha qendrat ku jetojnë serbët e Kosovës, të premten u protestua kundër tarifës së re ndaj mallrave të Serbisë.

Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson bisedimet Kosovë-Serbi, u ka bërë thirrje palëve të normalizojnë marrëdhëniet si parakusht për t’u anëtarësuar në bllok.

“Po, është e vërtetë që ka disa barriera mes shteteve, jo vetëm me Serbinë, jo vetëm me Bosnjen. Por është koha për t’i dhënë një shans dialogut konkret dhe që të gjitha ato probleme t’i takojnë së kaluarës e jo të ardhmes”, thotë Gërxhaliu.

Pavarësisht tensioneve diplomatike midis Serbisë dhe Kosovës, marrëdhëniet e biznesit janë rritur dhe importet serbe në Kosovë arrijnë në rreth 400 milionë euro në vit, ndërsa eksportet e Kosovës në Serbi janë shumë më të ulta./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme