Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan dje se kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave antitank “Javelin”. Ekspertët e sigurisë thonë se blerja e këtyre raketave është një e arritur e madhe për FSK-në dhe sigurinë e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë dje dritën e gjelbër kërkesës së Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”, që mund të godasin deri në 4 mijë metra largësi. Në një njoftim të Departamenti Amerikan të Shtetit, saktësohet se bëhet fjalë për 246 raketa anti-tank, në vlerë 75 milionë dollarë. Blerjen e këtyre raketave e cilësoi sukses të madh për FSK-në dhe Kosovën, ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Vlerësojmë se kjo është arritje e lartë, veçanërisht duke pas parasysh faktin se FSK po zhvillohet në një forcë moderne dhe të gatshme për të realizuar detyrat e saj, mes të cilave është edhe mbrojtja e territorit”, tha Maqedonci, në një intervistë në RTK.
Furnizimi i FSK-së me “Javelin” ka një rëndësi të madhe për ushtrinë, sigurinë e shtetit dhe më gjerë, vlerëson eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi. Ai tha për Radio Kosovës se pajisja me këto armë është diçka e rëndë për Serbinë, të cilës i ka shkaktuar telashe të mëdha në planet e tyre.
“Kur kihet parasysh se këmbësoria serbe si forcë goditëse të saj e konsideron tankun M71 dhe M84 prodhim jugosllav, atëherë gjithçka në teatrin e një lufte eventuale ndryshon. Dhe me thënë të drejtën, pajisja me ‘Javelin’ është një diçka që i ka shkaktuar telashe të mëdha serbëve në planet e tyre për të avancuar në drejtim të Kosovës nëse iu krijohet rasti”, tha ai.
Kajtazi thotë se edhe mënyra se si ambasadori amerikan në Beograd ia komunikoi presidentit Vuçiq, lajmin për furnizimin e FSK-së me raketa anti-tank është një mesazh i fuqishëm për sigurinë në Ballkan.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë po ashtu se pajisja me “Javelin” është një hap i madh dhe i rëndësishëm për sigurinë. Shala komentoi edhe takimin e ambasadorit amerikan në Beograd, me presidentin serb.
“Është bërë mirë që lajmin për blerjen e raketave e ka bërë ambasadori Hill, në drejtim të Beogradit zyrtar, për t’ia përçuar edhe mesazhin politik se Kosova është partnere e Shteteve të Bashkuara dhe se ata përkujdesen për sigurinë territoriale të Kosovës, përmes pajisjeve të cilat mund t’i kërkojë FSK-ja”, tha ai.
Buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës për vitin 2024 është mbi 200 milionë euro apo mbi 2 % të bruto produktit vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s.
Mehmeti: Vetëm 90 minuta hapësirë në ditë në një televizion ...
Zgjedhjet 2025, Kurti: Nuk humbim kohë me të tjerët, synojmë...
Vullneti – Drilonit: Pas Big Brother t’i do ta lësh boksin d...
Të shtëna me armë zjarri në Vlorë, raportohet për një të pla...
Gjykata e Lartë pranon të shqyrtojë çështjen e TikTokut
Gjermania dyfishon eksportet e armëve në Ukrainë dhe i përgj...