Google ADS

Ekspertët presin rol më dinamik të ShBA-së, në dialogun Kosovë- Serbi

08:21 | 31 Tetor 2021
Përparim Bublaku

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shfaqur veprime konkrete se do të përfshihen aktivisht dhe konkretisht në çështjet e hapura të Ballkanit Perëndimor, thanë njohësit e politikave ndërkombëtare.

Ata po e konsiderojnë si shtim të interesimit, emërimin e një numrit të madh diplomatëve me eksperiencë në Ballkan nga administrata Biden.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Avni Mazreku, thotë se ShBA-ja ka investuar shumë në stabilitetin evropian, prandaj ka interes të madh që çështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor të mbyllen.

“Mendoj që domosdoshmërish situata në Ballkanin Perëndimor, në raport me krejt këto pika çka quhen pika nearologjike globale t’u përfshi prej Lindjes së largët, çështjes së Detit të Zi, dhe raporteve evropiane, administrata amerikane ka një ndër prioritete, për t’u fokusuar në çështjet e hapura, për arsyeje se ShBA-ja ka investuar shumë në stabilitetin evropian. Stabiliteti evropian lidhet esencialisht me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor duke pasur parasysh kaluarën e afërt dhe të largët. Kur po themi të kaluarën e afërt, kur po themi që Ballkani Perëndimor ka qenë vendi i vetëm që procesin e formimeve ekonomike dhe politike e ka kalua përmes luftës, për dallim prej Evropës Lindore e Qendrore, që kanë ndodhur në një kontest më paqësor. Prandaj, marr parasysh krejt kontestin historik dhe aktual dhe interesin e ShBA-së për të pasë një Evropë stabile kjo do ta prioritizoj në kuadër të politikës së jashtme çështjen e Ballkanit Perëndimor”.

Mazreku tha për Ekonomia Online se i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka bërë të qartë politikën e administratës së Joe Biden, se kujdesi për dialogun Kosovë-Serbi nuk do të mungojë.

“Janë parë edhe veprime konkrete, që mund t’i absorbojmë si mesazhe politike të administratës Biden, se ata do të merren aktivisht dhe konkretisht me çështjet e hapura dhe të pa mbyllura të Ballkanit Perëndimor. E çështjet e pa mbyllura janë raportet Kosovë-Serbi, përkatësisht obstruksionet për destabilizim të Ballkanit Perëndimor që bëhen nga faktorë të tretë, duke e përdorë qeverinë e Serbinë. Prandaj, administrata amerikane, përmes përfaqësuesit të saj Escobar ka dhënë mesazhet e qarta se zhvillimet në Ballkan do t’i përcjell shumë kujdesshëm dhe do të jetë aktive në proceset e saj”.

Po ashtu edhe ish- ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, tha për Ekonomia Online se ShBA-ja do të rikthehet në Ballkan ashtu sikur ishte para administratës të ish-presidentit Donald Trump.

“Po tani është ë qartë se Biden dhe administrata e tij janë duke i vendosur prioritete sa i përket politikës së jashtme, dhe është pikërisht Evropa apo më saktësisht rajoni i Ballkanit, ku tani do të zgjeroj fokusimin e tij politikë gjatë periudhës së ardhshme. Ky ka qenë edhe një prioritet i theksuar në rastin e inaugurimit të tij si president dhe me këtë ShBA-ja rikthehet në Ballkan si në periudhën para administratës së Trump. Presim që të ketë një angazhim më të përafërt me Ballkanin”.

Tutje, Spahiu thotë se ShBA-ja do të jetë e pranishme për Kosovën në procesin dialogues me Serbinë, duke shtuar se emërimet e diplomatëve japin shpresë se roli i administratës amerikane do të jetë më dinamik.

“Unë mendoj se BE-ja do të vazhdojë të jetë ndërmjetësuesi në dialogut, ndërkohë ShBA-ja nuk do të jetë drejtpërdrejt. Por, ShBA-ja do të jetë e pranishme sidomos me palën kosovare në këtë proces dhe kjo është mjaft inkurajuese, të paktën të mos na lejojnë që të bëjmë gabime gjatë këtij procesi”.
“Angazhimi i fokusuar i ShBA-së dëshmohet me faktin se tani kemi një 5-she diplomatësh shumë më përvojë dhe njohës shumë të mirë, kështu që mund të shpresojmë për një rol shumë më dinamik të ShBA-së në këtë pjesë, e kjo është e rëndësishëm me ngritjen e kërcënimeve nga Serbia e Rusia”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme