Ekspertët presin reformë strukturale të FSK-së nga ushtaraku i Norvegjisë

08:10 | 25 Mars 2021
S D

Me formimin e Qeverisë Kurti II një nga emrat më të befasishëm ishte ai për Ministrin e Mbrojtjes.

Ushtaraku i Norvegjisë, Armend Mehaj, i emëruar në këtë pozitë po vlerësohet si zgjedhje strategjike.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë për arbresh.info se Mehaj do të ketë ndikim të madh në ngritjen profesionale në një fazë tranzicioni në të cilën është Forca e Sigurisë së Kosovës.

Mehaj u dëshmua në misionet e tij në Afganistan, Çad dhe u nderua edhe nga Shqipëria.

“Kjo do të thotë se FSK veç po e merr një formë dhe vetëm duhet të reformojë strukturën e brendshme d.m.th. aspektin struktural… Gjatë fazës së transformimit të rrjedhin gjërat më shpejt edhe në kuadër të burimeve njerëzore, por edhe të pajisjes me mjete çfarë i duhen FSK-së, në këtë hartë të rëndësishme të rrjedhës së tranzicionit”, deklaron Ibishi.

Nga ana tjetër eksperti i sigurisë Drizan Shala arritjen profesionale të Mehajt në shtetin e Norvegjisë në fushën të cilën ai i takon e ka cilësuar si të mirëqenë.

“Nga aspekti i klimës së punës, por edhe atij profesional mendoj që mbetet të shihet se sa mund të inkorporohet në kapjen vizuale të proceseve që janë duke u zhvilluar brenda ministrisë dhe që kulturën e punës norvegjeze ta vendos brenda nivelit politik dhe atij ushtarak”, vlerëson Shala.

Ndryshe Mehaj është nga Isniqi i Deçanit e ku për shumë vite jeton me familjen e tij në Norvegji. Mehaj në moshën 22-vjeçare, iu bashkua forcave të armatosura norvegjeze ku gjatë kësaj kohe ai ka shërbyer në misionet paqeruajtëse në Kosovë, Irak, Afganistan, Çad e Afrikë Qendrore.

Ai ka të përfunduar shkollën e oficereve në Norvegji ku sipas vlerësimeve nga NATO-ja është shkolla e dytë me e mira në botë e cila përgatit kuadro ushtarak për nivelet e oficereve./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme