Ekspertët perëndimorë, të shqetësuar nga tensionet në veri të Kosovës

23:43 | 4 Gusht 2022
L G

Pezullimi i përkohshëm për një periudhë 30 ditore nga qeveria e Kosovës i masës së reciprocitetit me Serbinë mund të mos mjaftojë për të zgjidhur dallimet mes Prishtinës dhe Beogradit, thonë ekspertë të sigurisë dhe zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.

Duke folur për Zërin e Amerikës, ekspertët thonë se pas tensioneve të fundit në veriun e vendit fshihet edhe Rusia e cila sipas tyre në përpjekjet për të destabilizuar rajonin, synon të zhvendosë vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë.

Ekspertë të sigurisë vlerësojnë se qetësia në veri të Kosovës mund të jetë e përkohshme dhe se situata mund të tensionohet përsëri në shtator.

Ata thonë se nga takimi i paralajmëruar i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Bruksel gjatë muajit gusht, nuk pritet ndonjë rezultat konkret për tensionet që pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave dhe dokumentetet e identifikimit të lëshuara nga autoritetet serbe.

“Serbët konsiderojnë se për momentin koha është në anën e tyre dhe se janë në një pozicion më të fortë sesa Kosova, qoftë ekonomikisht apo sa u përket aftësive për të nxitur Brukselin, Uashingtonin, Moskën dhe Pekinin kundër njëra tjetrës. Kjo është diçka që e kemi parë vazhdimisht në çështje të ndryshme. Kjo duket të jetë rruga që Presidenti Vuçiç ka zgjedhur. Ndërsa opsionet për Kosovën janë më të kufizuara”, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës ish-drejtori i përgjithshëm për zgjerimin në Komisionin Evropian, Michael Leigh.

Zoti Leigh është studiues i Fondit gjerman Marshall dhe drejtor akademik për Evropën i shkollës së studimeve të avancuara ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.

Më 1 gusht Kosova filloi zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, por më vonë, në koordimin me komunitetin ndërkombëtar, e pezulloi atë për një periudhë 30 ditore.

Sipas kësaj mase, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë të zëvendësojnë targat serbe me tabela të përkohshme të lëshuara nga qeveria e Kosovës, diçka që Serbia e ka kërkuar nga makinat që hyjnë nga Kosova në territorin serb gjatë 11 viteve të fundit.

Kosova po ashtu planfikonte që me këtë masë të ndalonte përdorimin e kartave të identitetit të lëshuara nga Serbia gjatë futjes së qytetarëve serbë në kufi, një mekanizëm që Serbia e përdor për qytetarët e Kosovës.

Pas vendimit, banorët serbët në veri të vendit bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare të Jarinjes dhe Bërnjakut, aktivizuan sirenat për sulme ajrore dhe qëlluan me armë zjarri në ajër në shenjë revolte.

Ivana Stradner nga Instituti Amerikan Enterprise thotë se pas zhvillimeve në veri të Kosovës fshihet edhe Rusia, e cila sipas saj shfrytëzon destabilizimin e rajonit për interesat e saj.

“Po përdor si armë ndarjet etnike. Kur njerëzit më thonë se Putini është shumë i dobët për të nisur tanket, u them se Putini nuk do që të nisë tanket në Ballkan. Nuk e ka të nevojshme sepse për qeverinë ruse është absolutisht e mjaftueshme të shohë më shumë tensione etnike në ato vende duke e shpërqëndruar Perëndimin nga ajo që po ndodh në Ukrainë”, thotë zonja Stradner, ndërsa shton se është e domosdoshme që të merren masa mbrojtëse për të mbrojtur vendet e Ballkanit që të mos bien pre e këtyre provokimeve.

Serbia shihet si aleati kryesor i Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Kurt Bassuener nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit thekson se Perëndimi është duke e lejuar këtë situatë, duke e toleruar Presidentin serb Vuçiç të ndjekë planet dhe ambiciet e tij politike.

“Me siguri ai u ndje në pozitë të vështirë pak kohë pas 24 shkurtit kur Rusia sulmoi Ukrainën, por kur pa se nuk do të ketë pasoja të rënda, ai u çlirua. // Po luajmë lojën e tij në vend që të vëmë në dukje bllofin e tij. Kjo mendoj se nuk është në interesin e Perëndimit. Nuk mendoj se është në interes të Serbisë e aq më pak të vendeve të tjera në rajon”, tha ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Por sipas ekspertes Stradner balanca që Presidenti Vuçiç ruajti midis aspiratave evropiane dhe lidhjeve shekullore me Rusinë ka nisur të luhatet.

“Nuk jam e sigurt nëse Vladimir Putini është i lumtur me përpjekjet e tij për të ruajtur balancën midis Lindjes dhe Perëndimit. Nëse lexon me kujdes deklaratat e Rusisë në ditët e fundit, ata kanë kritikuar qeverinë në Beograd për mungesë patriotizmi, duke mos mbrojtur interesat e Serbisë në rajon ashtu siç duhet”, thotë zonja Stradner.

Kosova ishte përballur me një situatë të ngjashme edhe para një viti kur banorët serbë bllokuan rrugët në një seri tjetër mospajtimesh rreth targave të makinave midis Prishtinës dhe Beogradit.

Qeveria në Kosovë vendosi forcat speciale të policisë në veri ndërsa Serbia aktivizoi avionët luftarakë në afërsi të kufirit.

Tani, më shumë se pesë muaj nga sulmi i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës, situata bëhet edhe më e frikshme, mes shqetësimeve në rritje për mundësinë e zgjerimit të konfliktit në pjesët më të brishta të Evropës.

Megjithatë, eksperti Bassuener nuk sheh rrezik real për Ballkanin Perëndimor.

“Nuk besoj se Serbia do ta sfidojë NATO-n dhe nuk besoj se opinioni në Serbi është i gatshm të futet në luftë, gjë që duhet bërë për të ndryshuar një territor me forcë. Ndërsa mbetet një shqetësim serioz, nuk mendoj se retorika e hiperbolizuar ose frika janë të justifikuara”, tha ai.

Pas tensioneve të fundit, NATO tha se aleanca do të ndërhyjë në rast se rrezikohet stabiliteti në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje palëve që të mos ndërmarrin veprime të njëanshme që mund të përshkallëzojnë situatën dhe kanë kërkuar tejkalimin e ndasive përmes dialogut në Bruksel.

Por eksperti Leigh thotë se vitet e fundit, BE-ja ka humbur besueshmërinë në rajon dhe se i duhen mjete të reja dhe bashkërendim më i mirë me SHBA-në për të nxitur palët drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Të shmanget dhënia e mesazheve kontradiktore. Për shembull, BE-ja është përpjekur të shmangë këmbënguljen se duhet njohje e plotë e Prishtinës nga Beogradi si kusht për përparim, duke e ditur se kjo është diçka që kundërshtohet nga serbët. Por vazhdimisht dëgjojmë zëra nga kryeqytete të Bashkimit Evropian dhe Uashingtoni që thonë se njohja reciproke është parakusht. Pra duhet një koordinim më i mirë, që të jipen mesazhe të qëndrueshme”, thot zoti Leigh.

Arritja e përparimit do të jetë e vështirë për aq sa Bashkimi Evropian nuk ndryshon qasjen që ka, shton eksperti Kurt Bassuener.

“Problemi është se kushtet e Bashkimit Evropian për angazhimin e palëve kanë qenë – vetëm vazhdoni të bisedoni, vazhdoni të mblidheni në tryezë. Kaq mjafton. Kompromisi është shpërblimi, pa marrë parasysh sa i pamjaftueshëm është. Prandaj asnjëra palë nuk ka hequr dorë në qëllimet që gjithmonë kanë pasur. Tani, gjëja e vetme që mund të sjellë qëndrueshmëri në rajon është qartësia jo vetëm në Kosovë”, thotë ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Rezultatet e bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja që nisën më 2011 vlerësohen si të zbehta, pasi për më shumë se 11 vite negociata janë arritur një sërë marrëveshjes për shumë çështje, por zbatimi i tyre në praktikë vazhdon të mbetet një sfidë e vështirë./VOA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme