Ekspertët: Kujdes nga sondazhet për zgjedhjet

16:29 | 12 Gusht 2019
L G

Partitë politike në Kosovë ende pa u caktuar data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe ende pa u shpërndarë Kuvendi i Kosovës, kanë angazhuar organizata dhe kompani të ndryshme për matjen e opinionit dhe marrjen e mendimeve të qytetarëve se cilën parti e preferojnë që të udhëheqë me vendin.

Drejtuesit e organizatave që bëjnë hulumtime të tilla, konsiderojnë se sondazhet mund të bëhen nga shumë organizata, por ato duhet të jenë të besueshme dhe që nuk manipulojnë me hulumtimet.

Valon Feta, drejtor i Organizatës për Zhvillim të Biznesit UBO Consulting, tha për Radion Evropa e Lirë se çështja e hulumtimeve që zhvillohet nga operatorë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë është e rëndësishme, por sipas tij, besueshmëria e hulumtimeve varet nga disa parametra.

“Studimet apo hulumtimet që publikohen nga partitë politike, organizata të shoqërisë civile, portalet e ndryshme, për të qenë të besueshme do të duhej të kishin një mostër të paktën një metodologji që tregon se studimi është në parametra të besueshëm, me intervale të besueshmërisë dhe në margjina të gabimit. Me fjalë të tjera për besueshmërinë e një studimi është nëse studimi është bërë bazuar në protokollet e hulumtimeve të opinionit publik”, tha Feta.

Analisti Fisnik Halimi që është edhe drejtor i Institutit të Prishtinës për Studime të Opinionit Publik, tha për Radion Evropa e Lirë, se qytetarët duhet ta dinë se kujt duhet t’i besojnë.

Siç thotë ai, publikimet e hulumtimeve të kujtdo qofshin, pa një adresë, janë mashtrime dhe të dëmshme.

“Në opinion shumë shpesh po plasohen edhe shifra në emër të sondazheve, por pa adresë do të thotë pa autor. Është plotësisht e papranueshme që të përdorën shifra të caktuara pa u përmendur autori i hulumtimit të opinionit apo të sondazhit. Pra, nëse themi se cili është funksioni i tyre apo i kësaj loje, atëherë duhet thënë se funksioni është ai që pretendon që ta orientojë votuesin e papërcaktuar drejt votës së asaj partie që parallogaritet që mund të fitojë për një arsye të thjesht, sepse zakonisht votuesit e papërcaktuar janë votues të cilët në shumicë të madhe presin që të votojnë për partinë e cila i bindë se do të fitojë”, tha Halimi.

Partitë politike kryesisht ato që deri me tash kanë qenë në koalicionin qeverisës, pa përjashtuar dhe partitë e opozitës, kanë nisur në njëfarë forme fushatën parazgjedhore. Subjektet politike i kanë shpeshtuar takimet me elektoratin e tyre.

Disa drejtues të partive politike në disa raste e kanë treguar se përmes organizatave apo kompanive të ndryshme kanë nisur hulumtimet për të parë se ku janë preferencat e qytetarëve për partitë politike.

Partitë politikë janë dakorduar që ta shpërndajnë Parlamentin më 22 gusht. Ky vendim erdhi pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 19 korrik në ditën kur ai u ftua nga Prokuroria Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme