Ekspertët e sigurisë përkrahin idenë e Konjufcës rreth Interpolit

08:00 | 15 Shkurt 2020
A. B.

Arritja e qëllimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare Policore INTERPOL, po del të jetë një sfidë mjaft e vështirë për vendin dhe institucionet.

E, me të marr detyrën ministri i Jashtëm Glauk Konjufca, ka propozuar që Kosova të mos aplikoj këtë vit për tu anëtarësuar në Interpol.

Edhe, njohësi i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi, vlerëson pritjen deri në vitin e ardhshëm, pasi që duhet të behën përgatitjet e duhura njëkohësisht edhe të lobimit me miqtë tanë ndërkombëtarë.

“Duke pasur parasysh që institucionet e Kosovës u krijuan tani së fundmi, nuk mjafton koha që krijohet krejt kjo edhe në aspektin e miratimit të ekipit, plan programit. Prandaj më e mira është që të pritet deri në vitin e ardhshëm që do të mbahet në Turqi dhe tani kemi dy vite të plota dhe mund të bëjmë përgatitjet e duhura edhe të ekipit edhe të programit por njëkohësisht edhe të lobimit me miqtë tonë ndërkombëtarë. Këtë vit vetë ambienti ku mbahet që nuk e kanë pranuar pothuajse asnjë Kosovën dhe ndikimi i madh rus edhe serb nuk po na jep gjasë që ne të pranohemi aty ku ne na duhen 2/3 nga 162 shtete sa janë anëtare të Interpolit”, thotë Ibishi.

Njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, përkrahë tërheqjen e Kosovës për të aplikuar në Interpol.

“Kosova ( Policia e saj ) i ka plotësuar gjitha kriteret të mundshme për të bërë anëtare por defekti kryesor qëndron në atë që edhe shtetet që e kanë njohur shtetin e Kosovës kanë abstenua dhe kjo është reflektim i dështimit të strategjisë për anëtarësim në nivel diplomatik”, shprehet Shala.

Por, ndryshe mendon analisti politik Leon Duhanaj.

Ai thotë se, Kosova nuk ka kohë për të humbur, pasi që jemi vonuar me vite, dhe mazhoranca, duhet të sillet karshi përgjegjësisë që ka.

“T’u dalë në ballë problemeve dhe nevojave dhe t’i zgjidh ato. Për ndryshe janë në vendin dhe kohën e gabuar”, deklaron Duhanaj.

Kujtojmë se, më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk kishte arritur të anëtarësohet në INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai. Një ditë më pas, Qeveria e Kosovës pati vendosur taksën prej 100 për qind për prodhimet nga Serbia, duke thënë se kjo masë është vënë për shkak të presionit të madh dhe lobimit të Serbisë për të mos e lejuar anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

Ndërsa në vitin 2019 Kosova kishte aplikuar për pranim në INTERPOL në janar dhe kërkesa e saj ishte pranuar nga Komitetit Ekzekutiv i Interpolit. Por pastaj Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar tërheqjen e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol.

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme./A.Zeka/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme