Ekspertët e sigurisë: Nëse Serbia nuk sanksionohet, ajo nuk do të ndalet

09:50 | 13 Tetor 2023
A Z

Për deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se institucionet e sigurisë kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve nga grupe kriminale serbe, analistët thonë se ai mund të ketë informacione.

Sipas tyre, faktori ndërkombëtar po punon për të ruajtur paqen, ndërsa ekspertët e sigurisë theksojnë se nëse nuk sanksionohet Serbia, ajo nuk do të ndalet.

Deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për skenarë të tjerë destabilizues në veri të vendit, analistja Arta Tahiri mendon se Kurti i ka të bazuara në informacione që mund t’i ketë. Ajo tha për Radio Kosovën, se qasja e Serbisë është për të krijuar situata që sjellin destabilitet dhe që cenojnë sigurinë e shtetit tonë, derisa shprehu bindjen se faktori ndërkombëtar po punon për të ruajtur paqen dhe qetësinë.

“Mendoj që një deklaratë e tillë është duke u bazuar mbase edhe në informacione që mund të ketë kryeministri i vendit, për të treguar që apetitet e Serbisë për të krijuar situata si ajo e fundit vazhdojnë të jenë. Por, jam e bindur që faktori ndërkombëtar, mbi të gjitha NATO, punon për të ruajtur paqen dhe qetësinë në rajon, në botë e konkretisht tani edhe në Kosovë. Do të punojë jashtëzakonisht shumë që një gjë e tillë të mos përsëritet, sepse do të ketë pasoja si në aspektin territorial, ku cenohet integriteti territorial i një shteti, por gjithashtu do të ketë edhe pasoja politike dhe teknike ndërmjet dy vendeve”, tha Tahiri

Edhe analisti Shqiprim Pula tha për Radio Kosovën se kryeministri Kurti mund të ketë informacione, të cilat sipas tij, duhet të merren parasysh nga institucionet e sigurisë dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, në mënyrë që të evitohen sulmet eventuale.

“Ai është personi më i informuar në Republikën e Kosovës, ku informacionet mund të jenë nga vendorët dhe nga ndërkombëtarët, në veçanti nga institucionet të cilat merren me vlerësimin e situatës së sigurisë dhe informacione të cilat grumbullohen nga inteligjenca vendore e ndërkombëtare mbi lëvizjet në terren. Paralajmërimet e tilla mund të jenë përmbajtësish të konsideruara dhe natyrisht që institucionet e sigurisë, por edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë do të duhet vlerësuar në mënyrë që të evitohen sulme apo provokime eventuale të cilat mund t’i kanosen Republikës së Kosovës, përkatësisht pjesës veriore”, tha Pula.

Ndërsa eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë për Radio Kosovën se nëse nuk do të ketë sanksione ndaj Serbisë, ajo nuk do të ndalet.

“Sanksione duhet të ketë Serbia, pasi është agresion i pastër. Nëse nuk do të ketë sanksione ndaj Serbisë, ajo nuk do të ndalet. Dua të citoj Edith Durham, e cila në analizën e atentatit të Sarajevës dhe Luftën e Parë Botërore, thotë se “nuk do të ketë paqe në Evropë derisa një shteti i lejohet që të vrasë njerëz në një shtet tjetër”, tha Kajtazi.

E kryeministri Kurti, ka theksuar se dokumentimi i përfshirjes së shtetit serb në ngjarjet e fundit në veri, janë motiv shtesë për skenarë të tjerë destabilizues. Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet vatër tensionesh, ku më 24 shtator, grupe të armatosura kanë sulmuar Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Të ngjashme