Dukuria negative dhe që po rrezikon jetën e shumë nxënësve të shkollave të mesme të ulët në Kosovë, që po vjen si shkak i një sfide në rrjetin social Tik-Tok ka alarmuar të gjithë.
Kjo sfidë që ka dërguar në prerjen e duarve të disa prej nxënësve në disa shkolla të Kosovës, po vlerësohet nga ekspert të kibernetikës dhe psikologët si diçka e rrezikshme dhe që duhet të ndërmerren masa për parandalimin e më të keqes.
Ekspertët kibernetik dhe psikologët tregojnë arsyet pse fëmijët po bien pre e këtyre sfidave dhe masat të ndërmerren nga prindërit dhe institucionet.
Eksperti i sigurisë kibernetike, Mentor Hoxhaj në lidhje me këtë temë ka thënë se Tik-Tok-u si rrjet social nuk ofron asnjë mbrojtje se çfarë mund të shikojnë fëmijët. Madje, sipas tij, fëmijët më të vegjën se mosha 13 vjeçare nuk duhet të kenë qasje në këto rrejte sociale.
“Tik-Tok kërkon që përdoruesit të jenë mbi 13 vjeç, por kjo nuk garanton mbrojtje nga përmbajtjet e papërshtatshme. Në Kosovë, qasja në Tik-Tok është e limituar dhe nuk ka fakte që Tik-Tok ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar në tejkalimin dhe adresimin e sfidave të ngritura”, tha Hoxhaj.
Sipas tij, masat mbrojtëse të cilat duhet të merren në këtë aspekt janë gjithëpërfshirëse dhe duhet institucionet të fokusohen në edukimin për shëndetin mendor dhe krijimin e një ambienti mbështetës.
Po ashtu, Hoxhaj tregoi edhe rreth praktikës personale me rastin “Balena Blu,”.
“Kam bashkëpunuar me Facebook për identifikimin dhe largimin e përmbajtjeve dhe profileve që nxisnin sjellje të dëmshme. Kjo qasje mund të përdoret edhe për këtë fenomen, përmes identifikimit dhe eliminimit të përmbajtjeve që stimulojnë raste vetëlëndimi”, theksoi ai.
Sipas tij, edukimi dhe ndërgjegjësimi janë masa më efektive sesa mbyllja e platformave.
Tutje, Hoxhaj tha se përdorimi i rrjeteve sociale te të rinjtë ka një disavantazh të madh në shëndetin mendor, “14 shtete të SHBA-së kanë ngritur padi duke akuzuar Tik-Tok-un për përdorimin e algoritmeve që krijojnë varësi, duke çuar në probleme si ankthi dhe depresioni te të rinjtë”.
Psikologja: Jeta dinamike dhe mungesa e kohës së prindërve për fëmijë, një prej arsyeve
Por, pse po ndodhin këto dhe si mund të parandalohen, për Arbresh.info tregon psikologja Elmedina Shaqiri.
Sipas saj, rrjetet sociale, konkretisht, Tik-Tok-u, ndikon negativisht në shëndetin mendor tek të gjithë, e sidomos tek fëmijët.
“Rrjetet sociale e veçanërisht Tik Toku ndikon negativisht në shëndetin mendor të t ‘gjithëve, e sidomos tek fëmijët. Tik Tok-u nuk ka ndonjë algoritëm për të zgjedhur videot që postohen në bazë të moshës të individit që shikon ato materiale, nuk ka një rregull strikte prej cilës moshë mund të përdoret, pasi që aty postohet gjithçka, dhe fëmijët kanë qasje të shohin video me përmbajtje agresive dhe shqetësuese, të cilat mund të ndikojnë në shfaqjen e sjelljeve të papërshtatshme e duke rrezikuar edhe në shfaqjen e çrregullimeve të ndryshme”, theksoi psikologja.
Sipas saj, duke marr parasysh që fëmijët dhe adoleshentët nuk kanë një pjekuri mendore analitike, ku mund të vendosin të mirën dhe të keqen, ndikohen prej videove të personave të ndryshëm që paraqesin jetën e tyre në Tik Tok dhe mundohen të imitojnë ata, e kjo do të dërgojë edhe në çrregullim personaliteti në të ardhmen e tyre.
Shaqiri tha se kjo po ndodhë për arsye të dinamikave të jetës, e cila në mungesë të kohës, prindërit nuk arrijnë të shohin se çka po ndodhë me fëmijët e tyre.
“Gjithashtu, arsye tjetër mund të jetë dinamika e jetës, e cila në mungesë të kohës prindërit nuk arrijnë të shohin se çka po ndodhë me fëmijët e tyre ose nuk përkushtohen për të kujdesur në aspektin emocional të fëmijëve. Duke marrë parasysh që adoleshenca është fazë e vështirë e jetës që karakterizohet me krizë identiteti dhe egocentrizëm, nënkupton që edhe prindërit duhet të kenë shumë kujdes e sidomos në këtë kohë të teknologjisë, se ku fëmijët mund të gjejnë mbështetje për të tejkaluar shpërthimet emocionale që mund t’i kenë.
Prindërit, sipas saj, duhet të marrin informacione në lidhje me prindërimin në kohën e teknologjisë, pasi kjo është e nevojshme për arsye se fëmijët po kanë qasje të lehtë në aplikacione të ndryshme, edhe të rrezikshme.
Po ashtu, sipas saj një tjetër arsye është edhe mungesa e një lënde të veçante në shkolla ku fëmijët informohen për aspektet negative dhe pozitive të teknologjisë.
Ajo tha se nëse prindërit apo mësimdhënësit vërejnë ndonjë ndryshim ose vetëlëndim të informojnë organet kompetente dhe të konsultohen me profesionistë të shëndetit mendor.
“ Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm për çdo ndryshim të vogël te fëmiu i tyre, me qëllim që të parandalohen fatkeqësitë si në rastet e vetëlëndimit që kanë ndodhur kohën e fundit. Ndryshimet tek fëmijët mund të përfshijnë në aspektin fizik, në aspektin e sjelljes dhe në aspektin emocional. Gjithashtu të jenë vigjilent ndaj aplikacioneve dhe rrjeteve sociale që fëmiu mund të ketë qasje. Nëse vërejnë ndonjë ndryshim ose vetëlëndim të informojnë organet kompetente dhe të konsultohen me profesionistë të shëndetit mendor”, u shpreh Shaqiri.
Ndryshe, një sfidë në një video-lojë në rrjetin sociale “Tik-Tok” është kthyer në rrezik për fëmijët kosovarë. Sipas hetimeve të para të Policisë së Kosovës, dyshohet se nxënësit po i shkaktojnë vetës lëndime në duar, lëndime këto të cilat vijnë nga përdorimi i prerëse të lapsave. Deri tash raportohet se nxënësit, viktima të kësaj sfide, po e heqin pjesën e mbrehtë të prerëses, pjesë e cila është si një brisk i vogël, duke e shfrytëzuar t’i prenë duart e tyre.
Në muajin maj të këtij viti kanë filluar raportimet e para, të cilat janë shfaqur nga shkolla “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë, në disa shkolla në Lipjan, si dhe rreth 19 nxënës në Gjakovë janë evidentuar se kanë lënduar veten gjatë këtij muaji, si pasojë e kësaj loje./Arbresh.info/Qëndresa Luma/
Njohja e pasaportave nga Armenia, Kurti thotë se ky dokument...
Infantino: Kosova jorastësisht në Top 100 të Ranglistës së F...
Sulm me thikë në një shkollë të Zagrebit, vdes një 7 vjeçar
Aksident mes dy veturave në Sllatinë, s’ka të lënduar
Rivarrosen tri viktima të luftës që ishin në listën e person...
Gresa e nervozuar me Xuxin, e kundërshton për gjithçka