EKSKLUZIVE| ShSKUK-ja vendos në listën për 300 eurot rreth 8000 veta, përmirësimet lënë pa shtesa 1300 mjekë që infektuan edhe familjet e tyre si rezultat i angazhimit gjatë pandemisë

15:14 | 28 Gusht 2020
Arbresh Info

Rreth 1300 punonjës shëndetësorë nuk kanë arritur të marrin 300 euro shtesë  për muajt korrik dhe gusht, të miratuara nga Qeveria e Kosovës, pavarësisht rrezikut që kanë bartur gjatë përballjes me pandeminë.

E kjo si pasojë e disa përmirësimeve që u kërkuan nga Ministria e Shëndetësisë për administratën e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, meqë këta të fundit kishin vendos në lista rreth 8000 veta.

Një mjek, në kushte anonimiteti i ka thënë portalit arbresh.info se ka punuar në kohë të pandemisë dhe është infektuar nga virusi ai, duke i bartur edhe prindërve virusin, dhe pavarësisht gjithë këtyre rreziqeve, ai nuk i ka marrë 300 euro shkaku i neglizhencës së administratës.

Thesari i Kosovës e konsideron si të mbyllur çështjen e listave për muajt korrik dhe gusht, meqë data 12 gusht për dorëzimin e listave është shtyrë një herë për datën 20 gusht.

Sipas zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm, Xhevat Zejnullahu, papërgjegjësia e mos dorëzimit të listave me kohë, bie mbi Ministrinë e Shëndetësisë.

Gjithë kjo dokumentohet përmes komunikimeve zyrtare të siguruara nga portali arbresh.info.

Zejnullahu me 19 gusht, i ka shkuar Ardian Mehmetaj, u.d i Sekretarit të Përgjithshëm të MSh-së, duke e paralajmëruar për afatin.

“Thesari do ta konsiderojë të mbyllur këtë proces duke ekzekutuar vetëm listat e pranuara nga Ministria e Shëndetësisë sipas Vendimit të Qeverisë pa asnjë përgjegjësi tjetër”, thuhet në paralajmërimin e Thesarit.

Mehmetaj i ka kthyer Zejnullahut se me kohë ka informuar institucionet shëndetësore në të tri nivelet, lidhur me hartimin e listave.

“Pas një pune të ngjeshur, kemi arritur t’i përfundojmë listat për të gjitha institucionet e nivelit primar, përveç ShSKUK-së, të cilët kanë njoftuar se listat do të vonohen, dhe dje kanë dërguar lista të hartuara në kundërshtim me vendimin e Qeverisë, duke përfshirë komplet stafin (administratën, shërbimet mbështetëse etj, afro 8000 emra)”, thuhet në përgjigjen e Mehmetaj, të datës 19 gusht.

Përkundër problemeve të krijuara, Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikimi zyrtarë i ka shkruar Shërbimit Spitalor të Kosovës, më 20 gusht, pak para përfundimit të afatit zyrtar, se “afati përfundimtar nga Ministria e Financave është sot ora 16:00”.

Portali arbresh.info ka pritur një përgjigje edhe nga Shërbimi Spitalor i Kosovës, por zyrtarja e saj për medie, Mirlinda Qyqalla, nuk ka qenë e qasshme në telefon deri në këto momente./A.Begolli/arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme