Ekskluzive/“Profeti” australian për 110 fëmijët e sëmurë të Kosovës

16:07 | 27 Tetor 2019
A Z

Një operacion i zgjati rreth gjashtë orë e këtë rutinë e ka që nga koha që po qëndron në Kosovë, kirurgu australian Paddy Dewan, mjeku i cili po bënë mrekulli tek fëmijët kosovarë.

Edhe pse i lodhur nga operacioni që i zgjati me orë të tëra, Dewan në një intervistë ekskluzive për arbresh.info tregon që vjen në Kosovë që nga viti 2011 për të shëruar raste të rënda që mjekët e Kosovës nuk mund t’i kryejnë.

“Për herë të parë kam ardhur në vitin 2011 në Kosovë. Dhe, kontakti i parë ka qenë më disa pacient të Ballkanit, të cilët prej trevave tona kanë shkuar në Australi. Prej tyre kam ra në kontakt me komunitetin shqiptarë. Në mënyrë të rregullt  përmes ndihmesës së tyre kam filluar me ardhë në Kosovë dhe Shqipëri”, thotë Dewan.

Kirurgu australian shpjegon se nga qëndrimi i fundit që pati në Kosovë ka shëruar 110 fëmijë.

“Pacientët që i kam shëruar para këtij udhëtimi kanë qenë 110 pacientë në Kosovë, dhe 110 në Shqipëri. Në shëndetësinë Kosovare ka disa hapësira për përmirësime, si në objekte po ashtu edhe në instrumente. Duke pas parasysh që është duke u ndërtuar objekti i ri shpresojmë që më nuk do të hasim në probleme të tilla. Prindërit këtu në Kosovë janë shumë të dedikuar për fëmijët e tyre. Dhe, kolegët me të cilët po punoj janë mjaft miqësorë. Më ndihmojë mjaft në paraqitjen e rasteve edhe në referimin,  se çka ka mundur të shkojë keq apo gabimisht në ndërhyrjet që kanë ndodhur më herët paraprakisht”, tha kirurgu australian Dewan.

E, nëna që pati fatin ta operojë djalin nga kirurgu Paddy Dewan, me dhimbje tregon për sëmundjen dhe sfidat gjatë katër viteve që pati djali i saj.

Por, gjithçka thotë se ndryshoj pasi që Paddy Dewan, erdhi në Kosovë dhe djali i saj u operua nga ai.

Gjithashtu, shpjegon se fal këtij mjeku australian, prindërit kosovarë nuk kanë nevojë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre për shërim jashtë vendit.

“Fëmija është diagnostikua afër që katër vite me “Megakollan” dhe tani i ka ardhur mundësia që të operohet të doktor Paddy Dewan. Ne si familje falënderojmë doktorët tanë që na kanë lajmëruar për kohën që do të jetë doktor Paddy Dewan në Kosovë. Intervenimi i djalit tim është kryer të martën operacioni i ka zgjatur rreth 3 orë , dhe jemi shumë të kënaqur. Fëmija ka pasur shumë probleme që është dashur patjetër të kryhet ky intervenim. Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë prindërit që disa nuk i kanë mundësit për t’i dërguar fëmijët jashtë shtetit, e kjo është mundësi e mirë për të gjithë prindërit sepse këtu nga doktor Paddy Dewan ky operacion kryhet pa shpenzime”, ka thënë Vlora Krasniqi.

Është mirë që edhe repartet tjera të bashkëpunojnë me specialistë të tillë

Punën e kirurgut australian e vlerëson jashtëzakonisht shumë edhe Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, Murat Berisha.

Berisha tregon se prezenca e këtij doktori ka bërë që të shpëtohen me mijëra jetë.

“Bashkëpunimi me doktor Paddy Dewan, që është nga Australia, ka filluar para disa viteve tani Paddy Dewan mund të them se është pothuajse pjesë e jona dhe merret me sëmundje, anomali, të ndryshme. Këto anomali të lindura janë disa raste që duhet mu operu disa herë, dhe jo vetëm një herë. E ka raste që janë operuar edhe para tre viteve e që do të operohen këtë javë. Është e nevojshme që edhe repartet tjera të bashkëpunojnë me doktor tjerë të huaj, që të shkëmbehen provoja. Ndërsa Paddy Dewan që ka ardhur në Kosovë na e ka lehtësuar shumë punën dhe në aspektin profesional kemi përfituar në të gjithë kirurgët e fëmijëve”.

Ai thotë se në ditët kur ky mjek vjen në Kosovë, ai qëndron në sallë të operacionit që nga mëngjesi e deri në orët e vona të mbrëmjes, pasi që  ka raste që operacioni zgjatë deri në gjashtë orë.

Tutje tha se gjatë kësaj jave do të realizohen mbi 25 operacione të fëmijëve nga Paddy Dewan.

“Mund të them se është e lodhshme sepse fillojnë operacionet në ora 8 e mbarojnë në ora 9-10 të mbrëmjes. Dewan viteve të fundit dy herë në vjet vjen në Kosovë. Është i rregullt. Mendojmë që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen, për të mirën e profesionit tonë dhe të fëmijëve. Kur vjen Paddy Dewan në Kosovë kryesisht planifikimi i tij është që të qëndrojë një javë, dhe një javë operon ditëve të punës por edhe të shtunën, e të dielën punohet. Por, varet prej anomalive çfarë intervenimi bëhet, por mund të shkojë numri deri në pesë fëmijë që operohen në ditë nga Paddy Dewan”, ka thënë Berisha për arbresh.info.

Kosova nuk është vendi i vetëm në të cilin doktori australian, Pady Dewan, i kryen aktivitetet e tija humanitare. Ai ka udhëtuar më shumë se 100 herë në shumë shtete të botës duke kryer operime të ndërlikuara pediatrike për anomali të ndryshme me të cilat preken fëmijët.

Dewan, po qëndron në Kosovë që nga e hëna me qëllim të kryerjes së disa operacioneve të vështira në fëmijët e shtrirë në QKUK që vuajnë nga anomali të ndryshme./A.Zeka/arbresh.info/

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/2822580177805513/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme