Ekonomia e Kosovës po përballet me rritje drastike të çmimeve pothuajse në të gjitha produktet, e veçanërisht në ato ushqimore që janë elementare dhe po cilësohen të papërballueshme për xhepin e qytetarëve.
Rritje e çmimeve te të gjitha produktet ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit të karburanteve në gjithë botën, si shkak i luftës në Ukrainë, shkruan arbresh.info.
Për të lehtësuar sado pak këtë gjendje, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, ka miratuar udhëzimin administrativ për “tavanin e çmimeve” sa i përket derivateve në të gjitha bizneset që i shesin ato në Kosovë.
Ky vendim i Qeverisë së Kosovës është vlerësuar si pozitiv nga Marrëveshja për Tregti të Lirë- CEFTA.
Në një përgjigje ekskluzive për arbresh.info ekspertja e Koordinimit dhe Komunikimit nga CEFTA Milica Cvoroviç ka deklaruar se vendosja e çmimeve tavan te disa produkte mundëson rregullimin e tregtisë.
“Akciza ose forma të tjera të taksimit të brendshëm përdoren të vetme ose në kombinim me kufijtë e çmimeve, për të rregulluar tregtinë, furnizimin dhe përballueshmërinë e produkteve të caktuara”, thuhet në përgjigjen e Cvoroviç.
Ajo për arbresh.info shprehet se nëse masat janë jo diskriminuese, mund të jenë në përputhje me OBT dhe CEFTA.
“Pra, për sa kohë që taksat e brendshme, akcizat ose masat e tjera të brendshme zbatohen në një mënyrë jodiskriminuese ndaj të gjitha produkteve ‘të ngjashme’, ka të ngjarë që masa të tilla të jenë në përputhje me OBT dhe CEFTA”, ka thënë Cvorovic në fund.
Ndërkohë pas vendimit të qeverisë për vendosjen e çmimit tavan për derivate, kryeministri Albin Kurti pati thënë se ky vendim ka rezultuar me sukses.
“Çmimi tavan për naftën ka dhanë rezultate, dhe ne duhet tash prej organeve që i kemi shtetërore e disa janë edhe agjenci të pavarura por edhe prej zyrtarëve dhe ekspertëve që i kemi nëpër ministri tona që ta gjejmë mënyrën më të mirë që edhe mos ta shkelim ligjin edhe kushtetutshmërinë por në anën tjetër të iu dalim në ndihmë sa më shumë qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta vendosë edhe për disa artikuj tjerë esencial të shportës së konsumatorit.
Ndryshe, në muajin mars të këtij viti qeveria e Kosovës krijoi Bordin e Transparencës së Karburanteve për t’i dhënë fund abuzimeve me çmimet në treg duke krijuar një formulë ligjore që përcakton vendosjen e çmimit tavan për tregtimin e karburanteve.
Ky vendim erdhi pas rritjes së çmimeve të naftës në Kosovë, ku ka pasur raste që çmimet e derivateve kanë shkuar deri në 2 euro.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,4% në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022.
Çmimet janë ngritur kryesisht tek buka dhe drithërat (1,1%), mishi (1,4%), pemët (3,0%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (2,2%), kafja, çaji dhe kakao (2,3), pijet alkoolike (1,5%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (6,0%),mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1,8%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (15,4%), shërbimet për transport (5,9%), pushime të organizuara (4,1%), shërbimet hoteliere (2,3%), kujdesi personal (1,5%) si dhe disa nëngrupe tjera me një ndikim të vogël./EjonaHyseni/arbresh.info/
Ministri Peci i “zhytur” në skandale, punësime familjare, e ...
Aktrim lidhur me ngjarjet, Gresa përplaset me Vullnetin, Dre...
Prishtina i bashkohet Paradës së Shqiptarëve në Tiranë, Veli...
Drenusha e quan Gjestin përndjekës të femrave
Siguria e Gjermanisë nuk ka prioritet për Trumpin
Dymbëdhjetë ushtarë britanikë lëndohen në një aksident trafi...