Njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë, propozojnë që Qeveria e Kosovës t’ua mundësojë qytetarëve edhe një tërheqje nga Fondi Pensional, prej 20 për qind. Kjo, sipas tyre, do ta zbuste sadopak situatën e vështirë financiare aktuale, do të ndikonte në rritjen e konsumit dhe ngjalljen e aktivitetit ekonomik te bizneset.
Me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, të nxjerrë në dhjetor 2020 nga Qeveria e Avdullah Hotit, qytetarëve iu ishte mundësuar të tërheqin 10 për qind të kursimeve nga Trusti. Për katër muaj sa zgjati aplikimi, 427 mijë e 371 veta tërhoqën mbi 197 milionë euro. Rreth 120 milionë euro prej tyre do të rimbursohen në 5 vitet e ardhshme, për personat që tërhoqën më pak se 1 mijë euro (kishin nën 10 mijë euro kursime).
Mustafë Kadrijaj, ekspert i ekonomisë, thotë se pandemia COVID-19 e ka bërë të veten dhe ka ndikuar në të gjitha fushat, në uljen e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e krizës ekonomike dhe financiare.
Kadrijaj tha se meqë Qeveria e Kosovës nuk po mund t’i përkrahë bizneset dhe qytetarët, së paku duhet t’ua japë mundësinë që qytetarët t’i tërheqin 20 përqind nga Trusti.
Sipas tij, pandemia ka ulur nivelin e mjeteve në portofolin e çdo qytetarit dhe të secilit biznes. “Këto probleme u bartën dhe ndikuan në rritjen e çmimeve në të gjitha lëmit, si në sektorin e ushqimeve e të ngjashme”.
“Po ashtu, duhet ta kemi të qartë se meqë Kosova nuk disponon një buxhet të fuqishëm dhe nuk ka mundur që t’i përkrahë bizneset dhe qytetarët, erdhëm deri tek një pikë që secili, edhe bizneset edhe qytetarët, të jenë para një akti të kryer”.
“Meqë kjo qeveri nuk po ka asnjë zgjidhje dhe as nuk po i përkrah përmes buxhetit, së paku duhet t’ia lejojë qytetarëve që t’i tërheqin kursimet e tyre…T’ua japë një mundësi që të rritet fuqia financiare. Fuqia financiare ndikon në rritjen e konsumit që do të kishte ngjallë edhe aktivitetin ekonomik te bizneset, por edhe do të kishte fuqizuar portofolin e çdo qytetari”, shprehet Kadrijaj.
“Është shumë e mirëseardhur për qytetarët tërheqja e 20 % të Trustit për faktin se do ta lehtësonte jetën ekonomike të tyre. Po ashtu do të ndikonte në fuqizimin e konsumit, rrjedhimisht do të ndihmonte edhe vetë biznesin”, argumenton ai.
Jakup Bellaqa, njohës i çështjeve ekonomike si dhe profesor universitar, po ashtu, mbështet idenë që qytetarët të lejohen të tërheqin edhe 20 për qind të kursimeve të tyre nga Trusti Pensional.
“Duhet t’i lejojë, sepse kjo është praktikë që është aplikuar edhe më herët nga qeveritë e kaluara. Ato janë mjete të qytetarit, janë mjete të lira, mundet t’i shfrytëzojë. Për shkak të rritjes së çmimeve duhet, kish qenë mirë, është si alternativë e mundshme, sepse edhe rritet fuqia blerëse”.
“Kishte qenë një zgjidhje optimale me dalë nga kjo situatë e vështirësi financiare”, vlerëson ai.
Por, Bellaqa thekson se krahas 20 përqindëshit të Trustit, Qeveria duhet të marrë dhe masa të tjera për të ndihmuar popullatën dhe bizneset.
Sipas tij, shteti përmes Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) duhet të shikojë mundësitë që me bankat komerciale të mundësohen kredi afatgjata për bizneset, të ulen normat e kamatave, përfshirë dhe për kreditë konsumuese “në mënyrë që të dilet nga kjo situatë”.
Tërheqja e 10 përqindje të kursimeve ishte mundësuar me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, i votuar në Kuvendin e Kosovës si ndihmë për periudhën e pandemisë. Qysh atëherë kishte pasur propozime që qytetarëve t’iu lejohej të merrnin deri në 30 për qind nga Fondi Pensional i tyre.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, kishte propozuar që bazuar në shumën e kursimeve të ndryshonte dhe përqindja.
Vetëvendosje, e cila në atë kohë kishte mbetur në opozitë, e kishte kundërshtuar tërheqjen e kursimeve pensionale, sikurse dhe rimbursimin, me arsyetimin se “përfitojnë më shumë ata që kanë paga më të mëdha prej shtetit”.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kishte dalë kundër tërheqjes së 10-përqindëshit nga Fondi Pensional i Kursimeve. Sipas FMN-në, tërheqja e këtyre parave, zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit./eo
Rrahmani jep një mesazh të fortë në konferencë për media pas...
Skandal pas skandali në Rumani/ Tentohet të sulmohet Edon Zh...
Bajram Shala: Pati edhe racizëm dhe sjellje racore, hera e d...
Futbollistët dardan nuk kthehen në fushë, gjqytari e mbyll n...
Gjyqtari kryesorë u jep ultimatum futbollistëve dardan tR...
Ky është parashikimi i motit për vikend