Më 15 mars të këtij viti Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës.
E plotë 3 muaj më vonë, Gjykata Kushtetues u ka kthyer përgjigje, shkruan arbresh.info.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se Ligji i kontestuar, në tërësinë e tij, është i papajtueshëm me Kushtetutën.
Më poshtë mund të gjeni të plotë njoftimin e Gjykatës.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastin KO43/19, parashtruar nga: Albulena Haxhiu, Driton Selmanaj dhe tridhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në seancën shqyrtuese të mbajtur më 13 qershor 2019.
Objekt i çështjes së kërkesës së parashtruar ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së neneve 1, 2, 4, 10 (paragrafi 4 nën-paragrafët 1 dhe 2) dhe 11 (paragrafi 3) të Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë (Ligji i kontestuar). Parashtruesit e kërkesës pretenduan se Ligji i kontestuar, në tërësi, nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe në thelb kishin tri pretendime kryesore: (i) përcaktimi dhe ndryshimi i hierarkisë institucionale kushtetuese dhe vendimmarrëse në dialogun me Serbinë; (ii) kompetencat ligjore të delegacionit shtetëror ndërhyjnë drejtpërdrejtë në kompetencat kushtetuese të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, si dhe (iii) dhënia e karakterit lex specialis Ligjit të kontestuar.
Gjykata e vlerësoi kërkesën të pranueshme për shqyrtim dhe në shtjellimin e meritave të kërkesës gjeti se:
– Delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit. Si i tillë, delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës.
Më tej, Gjykata konstatoi se bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese tek “mekanizmi i posaçëm” i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit, të përcaktuara me nenin 7 të Kushtetutës, sepse i mvesh delegacionit shtetëror funksione të cilat nuk përkojnë me dispozitat kushtetuese.
Gjykata po ashtu konstatoi se, me normat kushtetuese në mënyrë shprehimore është paraparë obligimi përkitazi me ushtrimin e kompetencave kushtetuese në sferën e politikës së jashtme për institucionet kompetente dhe se kompetenca për të dialoguar me një shtet të tretë, nuk mund të bartet tek delegacioni shtetëror si “mekanizëm i posaçëm” përmes një akti më të ulët juridik, siç është Ligji i kontestuar.
Më tutje, Gjykata konstatoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës është i obliguar ta mbikëqyrë politikën e jashtme në kuadër të kompetencave kushtetuese të parapara sipas paragrafit 12 të nenit 65 të Kushtetutës. Gjykata po ashtu theksoi se paragrafi 1, i nenit 93 të Kushtetutës i përcakton kompetencat e Qeverisë në “propozimin dhe zbatimin e politikës së brendshme dhe të jashtme të vendit”, përderisa paragrafët 1 dhe 9 të nenit 94, përcaktojnë se Kryeministri, si i pari i Qeverisë, “Përfaqëson dhe udhëheq Qeverinë”, si dhe “Këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit”.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se përfaqësimi në sferën e politikës së jashtme është detyrë e institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kjo kompetencë është e përcaktuar me Kushtetutë dhe nënkupton, para së gjithash, që çdo negocim apo veprim tjetër që ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare në emër të Republikës së Kosovës, duhet të jetë brenda detyrimeve kushtetuese që kanë institucionet e Republikës së Kosovës. Gjykata po ashtu konkludoi se, kompetenca për arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk mund të bartet ose transferohet nga institucionet kushtetuese në një “mekanizëm të posaçëm“, siç parashihet me Ligjin e kontestuar.
Gjykata në fund njëzëri vendosi që, nenet 1 (paragrafi 1), 2, 4, 10 (paragrafi 4, nën-paragrafët 1 dhe 2), dhe neni 11 (paragrafi 3) të Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, nuk janë në pajtueshmëri me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafin 12 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit], paragrafin 1, të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], dhe paragrafët 1 dhe 9 të nenit 94 [Kompetencat e Kryeministrit] të Kushtetutës, dhe se rrjedhimisht Ligji i kontestuar, në tërësinë e tij, është i papajtueshëm me Kushtetutën./Arbresh.info/
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...