Ekipi negociator sa për t’shpenzuar, marrëveshjes i mjaftohet konsensusi në Parlament

08:27 | 8 Janar 2019
Arbresh.info

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që rezultat tenton të ketë një marrëveshje paqësore mes dy vendeve, është zgjeruar përtej Brukselit.

Para disa ditësh u bënë publike nga dy presidentët, ai i Kosovës Hashim Thaçi, dhe i Serbisë Aleksandar Vuçiq, letrat që presidenti i SHBA-së Donald Trump ua kishte dërguar. Në këto letra thuhej se, Trump është i gatshëm t’i pres në Shtëpinë e Bardhë dy presidentët për të diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje paqësore për dy vendet.

Ndryshe në një artikull të ‘Washington Post’ të publikuar të dielën, u shkrua se Trump ka kërkuar bisedime bilaterale “me SHBA-në në rol udhëheqës në koordinimin e inputit ndërkombëtar për Marrëveshjen Paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia”.

Analisti Politik Ramush Tahiri në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se paralajmërimi që një marrëveshje e tillë të arrihet në SHBA është një garanci për dy palët.

“Një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet, dhe të bisedohet në nivelin evropian duke u ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Bisedimet po zhvillohen në Bruksel dhe duhet të kenë sukses. Paralajmërimi së një marrëveshje e tillë do të nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë ose diku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe se do jetë prezent edhe presidenti i SHBA-së, është e pritshme, e mirë, garanci që palët do t’i përmbahen kësaj marrëveshje, dhe kjo është punë e mirë. Kam shpresë që iniciativa e SHBA-së është shumë serioze dhe përfiton edhe Kosova edhe Serbia si dhe ruhet stabiliteti dhe paqja në rajon”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij autoriteti i presidentit amerikan nuk hyn në lojë pa qenë i sigurt që e përfundon.

“Administrata amerikane nuk e bënë një punë pa qenë shumë, shumë të sigurt që është e suksesshme. Pres që një marrëveshje të jetë e suksesshme sepse tash problemet nuk i shoh aq të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë, nëse hiqet ajo pjesa që është historike, por realiteti është shumë i qartë që të bëhet një marrëveshje”, ka theksuar ai.

Ndryshe në një bisedë me “The Ëashington Post”, të premten, e realizuar në gjuhën angleze me shkëmbime elektronike, Thaçi u shpreh se ai është “gati të shqyrtojë heqjen e tarifave nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë”.
Lidhur me këtë, analisti Ramush Tahiri ka thënë që taksa është masë e përkohshme.

“Edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë që si të normalizohen marrëdhëniet do ta heqin taksën, do të thotë si ta pranon Kosovën, Serbia, taksa hiqet. Pra marrëveshja është e normalizimit, si të normalizohen marrëdhëniet hiqet taksa”, është shprehur ai.

Sipas analistit të çështjeve politike, Blerim Burjani në SHBA mund të jetë një marrëveshje historike e nënshkruar.

“Kjo marrëveshje do të zgjidhte nyjën ballkanike dhe problemet , pasi që shqiptarët dhe serbët janë populli më i madh në Ballkan, dhe paqja varet nga këto dy popuj. Në prapaskenë tjetër, duket të ketë një marrëveshje e cila mund të nënshkruhet shpejt dhe kjo të dërgohet në Kuvend të Kosovës për t’u aprovuar. Në këto situata konsensusi është i nevojshëm vetëm në mes grupeve parlamentare në Kuvend, pra s’ka nevojë as për ekip negociator e as njerëz për të shpenzuar para kotë, pra kërkohet sinqeritet”, ka thënë ai për portalin arbresh.info.

Burjani ka folur edhe për deklaratën e Thaçit për ‘Ëashington Post’ lidhur me taksën, ku ka thënë se pasi të gjendet zgjidhje do të hiqet.

“Taksa është e përkohshme dhe është vendosur deri te një zgjidhje e caktuar politike apo deri te arritja e një marrëveshje”, ka thënë ai./V.Berisha/arbresh.info

Mogherini “konsultohet” me Limajn e Ahmetin

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme