Katër vjet më parë, ish Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK),kishte mbajtur një debat me temën “Lëndët zgjedhore në shkolla të mesme dhe rëndësia e lëndës ‘Njohuritë për Medie’”.
Nga ajo kohë, çdo gjë ka mbetur vetëm në kornizën e këtij debati edhe pse futja e lëndës për media në arsimin para-universitar të Kosovës ishte cilësuar si shumë e nevojshme, pasi nxënësit do të përfitonin shumë duke u njohur me efektet pozitive dhe negative që i ka media, pra të dinë të filtrojnë atë përmbajte mediale që iu servohet.
Njohësit e fushës së Gazetarisë e shohin të nevojshme futjen e lëndës “Edukimit Medial”, në kurrikulën e arsimit para-universitar , duke filluar që nga shkolla fillore, pasi sipas tyre fëmijët dhe të rinjtë duhet të mësojnë më shumë për median, etikën, gjithashtu mënyrën se si t’i përdorin rrjetet sociale me kujdes.
Milazim Krasniqi shef i degës së Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës ka thënë për arbresh.info se lëndën “Edukimit Medial” e sheh si nevojë urgjente, pasi që ndikimi i mediave tek fëmijët dhe të rinjtë ka pasoja serioze e veçanërisht kur ata nuk dinë se si t’i përdorin.
“Rëndësia e Edukimit Medial tashmë edhe në vendin tonë është urgjente, sepse ndikimi i mediave mbi fëmijët dhe të rinjtë është shumë i madh dhe me pasoja serioze në raste kur ata nuk dinë t’i përdorin me kujdes”, është shprehur ai.
Ai ka përmendur disa nga pasojat të cilat më së shumti iu kanosen përdoruesve të rrjeteve sociale siç janë, bulizmi, mashtrimi i adoleshentëve në rrjetet sociale, varësia nga interneti etj.
“Elemente të bulizmit ka gjithnjë e më shpesh, madje edhe me pasoja serioze për viktimat e tij. Edhe raste të mashtrimit të adoleshenteve me komunikim në rrjete sociale, bile me pasoja të rënda, janë regjistruar. Madje edhe varësia nga interneti është prezentë, ndonëse tek ne nuk ka hulumtime në këtë drejtim, si në vende të tjera, fjala vjen, si në Korenë e Jugut, ku rreth dy milionë të rinj janë të atakuar nga varësia e internetit dhe trajtohen si të sëmurë psikiatrikë,” ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, fëmijët dhe të rinjtë duhet të marrin një edukim media që në këtë mënyrë t’i shmangin pasojat dhe të dallojnë përmbajtjet e dëmshme.
“Për t’i shmangur këto pasoja e për t’i evituar rreziqet edhe më të mëdha, duhet që fëmijët dhe të rinjtë të marrin një edukim medial që u ndihmon si t’i përdorin mediat, si t’i dallojnë përmbajtjet e dëmshme, si ta evitojnë komunikimin e rrezikshëm më te tjerët, si të mos arrijnë në kufijtë e varësisë nga interneti, etj. Në shkollat tona publike kjo lëndë moti është e domosdoshme. Ndërsa, programet ekzistuese studimeve të gazetarisë e komunikimit, ofrojnë edhe ekspertizën e edhe kuadrot për ta mbuluar me shumë sukses këtë fushë”, ka thënë ai.
Krasniqi po ashtu ka thënë se kjo lëndë duhet të fillojë që nga cikli i ulët pasi që tashmë fëmijët janë të pasionuar pas teknologjisë moderne.
Ai shpreson që kjo lëndë të hyjë sa më shpejt në fuqi, duke uruar që ministri i ardhshëm të jetë një ministër reformist dhe i guximshëm.
Të rëndësishme futjen e “Edukimit Medial” si lëndë e sheh edhe profesoresha e gazetarisë e UP-së, Lindita Tahiri.
Ajo për Arbresh.info ka thënë se kjo lëndë është e rëndësishme pasi që sipas saj jemi të rrethuar me informacione të ndryshme të cilat mund të jenë edhe propaganduese.
“Lënda e Edukimit për media është e rëndësishme sepse sot jemi të rrethuar nga shumë informacione kështu që duhet të jemi në gjendje të zgjedhim informatat e duhura dhe t’i interpretojmë ato në mënyrë kritike.Kjo shkathtësi nuk është e lehtë duke pas parasysh mundësinë që gjuha të përdoret për propagande dhe influence ideologjike, prandaj të rinjtë duhet të përgatiten edhe nga shkolla edhe nga familja”, ka thënë Tahiri.
Ajo më tutje tha se kjo lëndë do të ishte mirë të hyjë në fuqi që në ciklin e ulët, gjë e cila duhet të rregullohet nga MASHT.
“Do të ishte mirë që të fillohet sa më herët, që në shkollën fillore, dhe kjo është çështje që duhet ta rregullojë MASHT”, ka përfunduar ajo.
Udhëheqësi i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, Halim Hyseni, ka deklaruar për arbresh.info se çështja e “Edukimit Medial”, është pjesë e domosdoshme e edukimit të përgjithshëm dhe formimit të personalitetit.
“Në kuadër të kornizës, kurrikulës së re është paraparë një pjesë që ka të bëjë me informimin dhe zhvillimin gjuhësor, por ajo është e pa mjaftueshme”, ka thënë ai.
Ai me tutje u shpreh se kjo lëndë duhet të futet si lëndë zgjedhore jo vetëm në arsimin e ulët por edhe të mesëm.
“Mendoj që patjetër duhet të futet si lëndë zgjedhore, zgjedhore jo vetëm në arsimin e mesëm por kjo duhet të futet edhe si formë e edukimit edhe në arsimin e ulët, të mesëm që nga klasa e gjashtë deri të klasa e nëntë,si lëndë zgjedhore”, ka shtuar Hyseni.
Sipas tij, në këtë mënyrë nxënësit fitojnë një kulturë të përgjithshme dhe i ndihmon, edukimit për gazetari dhe çështje të tjera, sic thotë ai për shkak të ndikimit që kanë rrjetet sociale në edukimin e të rinjve.
Ndryshe, portali arbresh, ka kërkuar përgjigje për më shumë se dy javë edhe nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Tekologjisë (MASHT), lidhur me çështjen e futjes së lëndës “Edukimi Medial” në kurrikulën e re për vitin e ardhshëm shkollor, por këta të fundit nuk kanë dhënë përgjigje. R.Rexhepi/arbresh.info
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...