Edita Tahiri fton gratë që përmes aktivizimit të ndalin idetë për korrigjim të kufirit

12:10 | 12 Mars 2019
Arbresh.info

Gratë e përfshira në procese të paqes japin rezultate më të mira në qëndrueshmëri të marrëveshjeve dhe në përparimin e shoqërisë në përgjithësi.

Ato duhet te jenë të përfaqësuara në vendimmarrje. Kështu u tha gjatë shënimit të ditës të hapur globale për gratë, paqen dhe sigurinë të organizuar nga OSCPA dhe Zyra e BE-s në Kosovë, ku u theksua se gratë nuk duhet të jenë vetëm ushtare të partisë, por duhet të ndjekin interesat për fuqizimin e tyre dhe të shoqërisë.

Me këtë rast, ish-kryenegociatorja e dialogut – Prishtinë Beograd, Edita Tahiri ka bërë thirrje që gratë të bëhen pjesë aktive e dialogut me Serbinë në mënyrë që të ndalen idetë për korrigjim të kufirit.

Sipas saj, gratë në Ballkan kanë rol shumë të rëndësishme, duke ditur se Ballkani di shpeshherë të befasojë.

“Kosova është i vetmi shtet që i ka besuar gruas. Këtë e ka dëshmuar në Rambuje dhe në Bruksel. Nuk dua të lavdëroj vendin tim, por kjo është e vërteta. Kemi nevojë që procesi të ndryshojë, të kemi më shumë gra në Qeveri dhe çdokund tjetër. Sot agjenda jonë po devijon. Ne dëgjojmë nga disa politikanë shkurtpamës ide për korrigjim të kufirit. Ne e dimë se kufijtë preken vetëm me luftë. Ne gratë duhet të bëhemi protagoniste sot. Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi e ka konfirmuar, nuk është e mundur të ketë shtete etnike. Ne gratë duhet të ngrisim zërin. Mua po më habit zonja (Federica) Mogherini, sepse edhe ajo është grua dhe i dha drejtim kësaj ideje. Pra unë them, protagonizëm të grave, në mënyrë që të mposhtim idetë që sjellin destabilitet”, tha ajo, raporton Ksp.

Edhe Sonja Licht nga Fondi për Përsosmëri Politike në Beograd tha se nëse gratë nuk janë të mjaftueshme në numër në nivele të vendimmarrjes, nuk mund të ketë lëvizje të shoqërisë.

“Jam e bindur se pa angazhimin e gruas në procese në të cilat do t’i qëndrojmë besnike deri në fund, nuk do të mund të lëvizim shoqëritë tona. Prandaj, mendoj që këto mbledhje janë shumë të rëndësishme, e tërë bota e ka pranuar që ne të luftojmë për të njëjtat vlera, që nga liria e deri tek ajo që quhet zhvillim global. Këtë ne duhet ta shfrytëzojmë në mënyrë shumë më aktive”, u shpreh ajo.

Ajo tha se ka të vërtetë të përjetshme se nuk ka përfaqësim pa pjesëmarrje. Prandaj, theksoi ajo, gratë duhet të marrin pjesë aktive në procesin e vendimmarrjes.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme