Edita Tahiri e sigurt: Serbia do të kushtëzohet me njohjen e Kosovës

17:01 | 27 Shkurt 2018
M. A.

Ish-Ministrja e dialogut Edita Tahiri është e sigurt që Serbia do të detyrohet për ta njohur pavarësinë e Kosovës, pavarësisht se zyrtarë dhe diplomatë europianë ende po shfaqen të matur sa i përket zgjidhjes që duhet ta gjejnë dy shtetet. Në një intervistë për Gazetën Express, madje thotë se Serbia me çdo kusht duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, nëse dëshiron që të jetë pjesë e BE’së.

Edita Tahiri, ish-ministre e Dialogut, thotë për Express se Bashkimi Europian me strategjinë e re të zgjerimit të tij e ka bërë të qartë se shtetet që duan të bëhen pjesë e tij duhet së pari t’i sqarojnë kufijtë administrativë e po ashtu edhe mos të kenë konflikte me shtetet fqinje.

Tahiri thotë se është e domosdoshme që në fund të dialogut Kosovë-Serbi, të pranohet njohja reciproke mes shteteve, duke pasur parasysh që Serbia ka bërë luftë në Kosovë dhe po ashtu ka kryer gjenocid.

“Është e domosdoshme dhe duhet patjetër që mes të dyja shteteve të ndodhë njohja reciproke në mënyrë që të vendoset një paqe e qëndrueshme në mes vendeve, pasi që e dimë që ka pasur luftë në mes neve ku Serbia ka qenë agresori dhe ka bërë gjenocid ndaj shqiptarëve. E pas të gjitha këtyre, Serbia duhet të jetë e gatshme të kërkoj falje, ta pranoj pavarësinë e Kosovës dhe po ashtu të paguaj dëmshpërblim për luftën që ka bërë në Kosovë. Gjithashtu më lejoni të theksoj, nëse Serbia dëshiron me qenë pjesë e Bashkimit Europian duhet ta njohë Kosovën, kjo pasi që BE ka ndryshuar kriteret për shtetet e reja që të bëhen pjesë e familjes europiane”, ka thënë Tahiri për Express.

Ish-ministrja thotë se dialogu nuk mund të përfundoj pa i plotësuar pesë pikat kyçe që janë vendosur krejt në fillim.

Sipas Tahirit, pika e parë dhe kryesore ka të bëjë me pranimin dhe njohjen e sovranitetit mes dy shteteve.

“Dialogu përfundon kur të plotësohen pesë pikat kryesore. E para është njohja reciproke në mes të dy shteteve pra respektimi i plotë i sovranitetit dhe integritetit territorial i vendeve sipas të drejtës ndërkombëtare. Pika dy, reparacionet e luftës duhet të bëhet dëmshpërblimi ndaj Kosovës, e treta të bëhet demarkacioni me këtë shtet. Dhe e fundit është ndarja e pasurive tokësore sipas parimit të substencionit, që këtu i takon Kosovës 1/8 e pjesës së Ish-Jugosllavisë”, ka thënë më tej ish-ministrja e Dialogut.

Marrëveshjet e arritura në Bruksel, sipas Tahirit shpesh herë nuk janë zbatuar nga Serbia dhe po ashtu marrëveshjen për energji janë duke e mbajtur peng.

Ajo thotë, se Serbia duhet me marrë mësim nga Kosova kur flitet për zbatimin e marrëveshjeve.

“Serbia ende mban në peng marrëveshjet për energji e po ashtu po pengon rivitalizimin e urës në Mitrovicë. Mbi 33 marrëveshje janë arritur mirëpo jo të gjitha gjejnë zbatim”, ka thënë ajo më tej.

Në Bruksel sot ka vazhduar dialogu në mes palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në nivelin teknik.

Siç ka bërë të ditur zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijanciq sot do të flitet për Asociacionin e komunave serbe, energjinë dhe urën në Mitrovicë.

Dy udhëheqësit e ekipeve të bisedimeve Marko Gjuriq dhe Avni Arifi në ditën e parë kanë biseduar për implementimin e marrëveshjes së lëvizjes së lirë, gjyqësorin dhe menaxhimin të kalimeve kufitare.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme