Google ADS

Edhe tre raste të reja me koronavirus në Kosovë, shkon në 94 totali

18:42 | 29 Mars 2020
Arbresh Info

Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka testuar 45 mostra të marra nga rastet në terren të dielën, prej këtyre 3 mostra kanë rezultuar pozitive.

Rastet pozitive janë raste kontakti, dy prej të cilave me vendbanim në Prishtinë dhe një me vendbanim në fshatin Kijevë-Malishevë, ndërsa numri total i të prekurve në Kosovë ka shkuar në 94.

Kjo është komunikata e plotë e IKSHPK’së:

TRE RASTE ME COVID-19!

Sot më 29.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 45 mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, tre prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Rastet pozitive janë raste kontakti, dy prej të cilave me vendbanim në Prishtinë dhe një me vendbanim në fshatin Kijevë-Malishevë.

Nga data 08.02.2020 deri me 29.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.082 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej nëntëdhjetë e katër (94) raste me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 2.080 kontakte të rasteve.

Nga data 01.02.2020 deri me 29.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 19.828 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.070 udhëtarë, Merdare 5.650, Vërmicë 5.445, Jarinje 1.578, Dheu i Bardhë 1.027, Hani i Elezit 3.019, Kullë 1.250, Qafë Morinë 47, Bërnjak 539, Qafë Prush 35, Muçibabë 167 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 29 mars 2020 sipas Ëorldometers, janë raportuar gjithsej 702.368 raste të COVID-19 dhe 33.180 raste të vdekjes. Numri më madh i rasteve raportohet nga SHBA (131.403), Italia (97.689), Kina (81.439), Spanjë (78.799), Gjermani (60.659), Irani (38.309), Francë (37.575), Mbretëri të Bashkuar (19.522), Zvicër (14.829), Holandë (10.866), Belgjikë (10.836), Austria (8.672), Turqi (9.217), duke vazhduar me vendet fqinje Greqi (1.156), Slloveni (730), Kroaci (713), Serbi (741), Maqedoni e veriut (259), Shqipëri (212) dhe Mali i Zi (85).

Deri me 29 mars 2020, nga vendet e BE/AEE dhe Mbretëri të Bashkuar janë raportuar këto raste të vdekjes: Itali (10.779), Spanjë (6.606), Francë (2.314), Mbretëri të Bashkuar (1.288), Holandë (771), Gjermani (482), Belgjikë (431), Zvicër (300), Turqi (131), Austri (86), Danimarkë (72), Greqi (38), Luksemburg (21), Poloni (20), Hungari (13), Serbi (13), Slloveni (11), Shqipëri (10), Kroaci (6), Maqedoni e veriut (6) dhe Mali i Zi (1).

QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN!

MBANI DISTANCË SOCIALE PËR 2 METRA!

NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!

 

Të ngjashme