Google ADS

Edhe Thaçi do të flet sot pas avokatëve

11:39 | 4 Prill 2023
Emir Abduramani

Pas përfundimit të fjalëve hyrëse të dy mbrojtësve të tij, Gregory Kehoe dhe Luka Misetiç, edhe ish presidenti Hashim Thaçi ka vendosur ta marrë fjalën lidhur me akuzat e Prokurorisë në nisje të procesit gjyqësor ndaj tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Fjala e Hashim Thaçit pritet të zgjasë rreth 5 minuta sikurse ka thënë avokati i tij Misetiç.

Ndërkaq krejt në fund do t’i drejtohet gjykatës sërish Kehoe për ta përmbyllur fjalën hyrëse të mbrojtjes së Thaçit që zgjat afërsisht 3 orë.

Seanca po vazhdon me deklaratat hyrëse të ekipit mbrojtës teksa gjatë ditës së djeshme nisi dita e parë e procesit gjyqësor.

Pak më parë sot, Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe ka treguar para trupit gjykues në Gjykatën Speciale se Thaçi nuk ka pasur asnjëherë kontroll të plotë mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka përmendur se drejtuesi politik i UÇK-së ka qenë Adem Demaçi, teksa tha se si autoriteti më i lartë politik i UÇK-së në atë kohë, asnjë vendim s’mund të merrej pa u konsultuar me të.

“Në mbi katër orë deklarata të ZPS-së nuk u përmend asnjëherë Adem Demaçi”, tha ai.

Për të përmendur si fakt se shtabi i përgjithshëm i UÇK-së nuk ka pasur kontroll të plotë të ushtrisë por edhe të qendrave të ndalimit, Keohe theksoi se komandanti i përgjithshëm i shtabit në atë kohë, Azem Syla, ishte larguar nga ajo pozitë pikërisht në atë kohë.

Sipas tij, komandantët lokalë të zonave kanë kontrolluar këto qendra.

“Dje qëndruam katër orë duke dëgjuar për qendra të ndalimit, pa përmendur që komandanti i përgjithshëm u largua nga pozita, Azem Syla. Po kush i kontrollonte këto qendra, kanë qenë ata komandantët lokalë të zonave asokohe”, tha Keohe.

Ai foli edhe për marrëveshjen e Rambujesë, pas së cilës erdhën edhe bombardimet e NATO-s duke filluar më 24 mars 1999.

Ai tha se teksa zhvilloheshin takimet mes dy delegacioneve, Thaçit si udhëheqës i palës së Kosovës, i duhej aprovimi politik i Adem Demaçit, i cili asokohe ka qenë kundër kësaj marrëveshje, për shkak se e njëjta nuk e ka sjellur pavarësinë.

Andaj sipas avokatit, marrë parasysh edhe kërcënimet që kishte nga komandantët e zonave për të mos e pranuar atë marrëveshje pa u konsultuar me ta, sekretarja Albright i bënte presion atij që ta nënshkruante marrëveshjen, meqë edhe bombardimet e NATO-s pa atë marrëveshje s’do kishin qenë të mundura.

Në një video nga një dokumentar, avokati prezantoi deklaratën e komandantit të zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, i cili tregonte se i kanë bërë presion Thaçit në atë kohë që mos ta nënshkruante marrëveshjen.

“Kemi kërcënuar se nuk guxoni me nënshkrue, dhe me kujtohet si sot ku njërit prej tyre ju kam thënë se kemi raketa prej ajrit, dhe s’do ti përdorim te serbët, por di ti ruajmë për aeroplanin tuaj”, deklaron Remi, në një dokumentar të BBC-së më 2001.

Avokati përmendi edhe deklaratën e presidentit të tanishëm të ShBA-ve, Joe Biden, asokohe senator, i cili atëherë kishte nënvizuar se Thaçi nuk e ka kontrolluar UÇK-në.

Vlen të theksohet se si provë nga avokati, u shpreh edhe shkrimi i Sylejman Selimit, i cili në atë kohë i kishte thënë Thaçit se po qe se neënshkruhet marrëveshja e Rambujesë, do të kishte pasoja për të dhe delegacionin kosovar.

“Ai e nënshkroi Rambujenë në pajtim me komandantet e zonave”, tha avokati./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme