Google ADS

Edhe një dështim i KQZ-së, qytetarët nuk kanë ditur si të votojnë

11:25 | 13 Qershor 2017
M. A.

Nga zgjedhjet e mbajtura me 11 qershor, mbi 52 mijë fletëvotime janë shpallur të pavlefshme, numër enorm që e ka përcjellë edhe këtë herë procesin zgjedhor në Kosovë.

Sipas Demokracisë në Veprim ka shumë faktorë që kanë ndikuar në numrin kaq të madh të votave të pavlefshme, shkruan arbresh.info

Sipas tyre, përgjegjësinë më të madhe e ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sepse nuk ka arritur t’i informojë qytetarët se si duhet të votojnë.

“Një pjesë të përgjegjësisë e ka fillimisht KQZ-ja, e cila mund të fajësohet që nuk ka arritur që në mënyrë efektive të ndikojë në edukimin e qytetarëve për mënyrën se si votohet, duke qenë se sipas deklarimeve të zyrtarëve të disa partive politike, qytetarët nuk kanë qenë mirë të informuar se si votohet”, ka thënë Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim.

Sipas tij, faktor tjetër që ka ndikuar në këtë numër është edhe pakënaqësia e qytetarëve ndaj koalicioneve parazgjedhore.

“Gjithashtu, faktor tjetër mund të jetë edhe pakënaqësia qytetare ndaj subjekteve aktuale, dhe si rrjedhojë, në formë revolte dhe kundërshtimi, qytetarët kanë prishur qëllimisht fletëvotimet, edhe nga frika që ato mund të manipulohen nga komisionerët e subjekteve politike”, u shpreh ai.

Po ashtu Cakolli nuk e përjashton mundësinë e prishjes së qëllimshme të fletëvotimeve nga komisionerët e një subjekti të caktuar politik, duke shtuar se “ka pasur raste në rajone të caktuara, ku numërimi është kryer në mungesë të energjisë elektrike, dhe rrjedhimisht mundësia për prishjen e fletëvotimeve ka qenë më e lartë”.

Analisti politik, Donik Sallova në një prononcim për Arbresh.info, ka thënë se një pjesë e votave të pavlefshme janë të qëllimshme dhe janë nga ‘militantët’ e LDK-së dhe PDK-së.

“Unë besoj një sasi e madhe e votave të pavlefshme, janë të qëllimshme dhe janë vota militantësh të partive tradicionale si PDK e LDK të cilët kanë shprehur revoltën e tyre politike kundrejt partive te tyre dhe këtë po e tregon edhe rënia e tyre drastike si parti”, tha Sallova.

Ndërsa pjesa tjetër, sipas Sallovës, ka qenë nga mungesa e informimit se si të votohet.

Arbresh.info mëson se në disa fletëvotime janë votuar pesë parti dhe një kandidat, pesë kandidatë por pa u votuar edhe partia, dhe ka patur edhe disa prej tyre në të cilat i është bërë “X” të gjithë fletëvotimit.

Sipas të dhënave të zgjedhjeve të vitit 2014 vota të dëmtuara apo të pavlefshme ishin rreth 40 mijë./arbresh.info/Mira Avdimetaj

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme