Edhe me serbët e përçarë s’ka shpresë për ushtrinë

09:13 | 28 Maj 2017
Arbresh.info

Përçarja e përfaqësuesve politik serb në procesin për zgjedhjet e parakohshme nacionale nuk ngjallë shpresë për themelimin e shpejtë të Ushtrisë së Kosovës me ndryshime kushtetuese.

Përkundër se të ndarë në interesa personale, dhe më vështirë të kontrolluar nga Beogradi zyrtar, për ushtirnë ata vazhdojnë të kenë qëndrime të përbashkëta.

Edhe njohësit e rrethanave politike në vend thonë se themelimi i ushtrisë së Kosovës do të varet patjetër edhe nga qëndrimi i Beogradit.

Aanalisti politik Imer Mushkolaj në një përgjigje për arbresh.info ka thënë se formimi i ushtrisë është çështje e e pajtimit të qytetarëve serbë të Kosovës.

“Formimi i ushtrisë nuk është çështje e pajtimit vetëm e një subjekti politik, por çështje e pajtimit të qytetarëve serbë të Kosovës, që në njëfarë forme nënkupton pajtim të Beogradit për këtë çështje. Për formimin e ushtrisë një kontribut të madh duhet të jep SHBA, përndryshe, nëse mbetet çështje e vullnetit të Beogradit, ushtria nuk do të formohet asnjëherë”, theksoi ai.

Ndërsa Bajrush Morina analist politik tha për arbresh.info se nuk duhet të ketë asnjë shpresë në këtë drejtim pavarësisht përçarjes së Listës Serbe.

“Lista Serbe është e përçarë për interesa të tyre politike por është e bashkuar në ‘frontin politik’ kundër Kosovës e kundër Ushtrisë së Kosovës. Në këtë drejtim asnjë shpresë apo asnje “gëzim” për përçarje të Listës Serbe nuk duhet të mbretërojë në skenën politike shqiptare të Kosovës. Lista serbe është themeluar për të rezistuar kundër shtetit të Kosovës me para të shtetit të Kosovës me “uniformë politikë” të shtetit të Kosovës, por me strategji e qellim final kundër shtetit të Kosovës”, ka vlerësuar Morina.

Kurse sipas Faik Krasniqit, njohës i çështjeve politike, edhe pse Lista Serbe është e përçarë, kur vije puna tek interesat madhore të tyre ata prapë mund të bashkohen.

Prandaj, themelimi i Ushtrisë së Kosovës Krasniqi ka thënë se do të varet patjetër edhe nga qëndrimi i Beogradit dhe se vetëm presioni ndërkombëtar drejtuar Qeverisë së Serbisë mund të ndikojë në ecjen përpara me këtë çështje.

“Kështu që vetëm ndonjë presion i madh ndërkombëtar do t’i detyronte serbët që ta votojnë Ushtrinë e Kosovës, përndryshe do të ngelemi pa krijimin e saj. Dhe ky presion edhe nëse bëhet, do t’i bëhet qeverisë së Serbisë, në mënyrë që ata t’i shtyjnë deputetët serbë të ”Listës Serbe” që ta votojnë Ushtrinë e Kosovës, sepse deputetët serbë dirigjohen dhe u binden vetëm urdhrave të tyre”, theksoi ai.

Së fundi edhe kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq është shprehur se ky subjekt politik nuk ka vënë kushte për ta votuar formimin e Ushtrisë së Kosovës pasi janë kundër kësaj ushtrie.

Vonesat në themelimin e Ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese, bënë që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të inicojë fuqizimin e mandatit të Forcave së Sigurisë së Kosovës përmes ndryshimeve ligjore.

Bashkësia ndërkombëtare, ShBA dhe NATO, ishin kundër transfirmimint të FSK-së në Forcë të Armatosur pa marrë pëlqimin edhe të pakicave të Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht Kosova është në proces zgjedhor dhe çështja e ushtrisë i mbetet përfaqësuesve politik që do të dalin nga zgjedhjet e prakohshme nacionale të 11 qershorit./V.Berisha/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme