Edhe BE e EULEX vënë në dyshim vendimin e KGjK-së

09:38 | 25 Gusht 2017
arbresh.info

Përzgjedhja e kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit nuk u parapri nga një diskutim substancial mbi përshtatshmërinë e kandidatëve për pozitën, përderisa arsyetimit të vendimeve të përzgjedhjes nga ana e Këshillit i mungojnë argumentet bindëse.

Kështu reagon Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së dhe EULEX-i duke theksuar se shqetësimet tona kanë të bëjnë vetëm me procesin e përzgjedhjes, pavarësisht nga kandidatët e përzgjedhur, raporton arbresh.info.

“Një gjyqësor i pavarur, i hapur, përgjegjshëm dhe efikas, i lirë nga ndërhyrjet politike është ajo për të cilën njerëzit e Kosovës kanë nevojë dhe e presin nga udhëheqësit e tyre. Kjo është në interes të popullit të Kosovës dhe një parakusht kyç për përparimin e Kosovës në rrugën evropiane,” thuhet në reagimin e tyre.

Më herët gjatë ditës ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë reaguar ndaj vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

“Ne jemi të zhgënjyer me vendimin që votimi të mbahet i fshehtë,” thuhet në reagimin  e ambasadave, raporton arbresh.info.

Më 9 gusht, anëtarët e KGjK-së votuan për herë të dytë për kryetar të Gjykatës së Apelit dhe për kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Konkurrentë për kryetar të Gjykatës së Apelit ishin këta gjyqtarë: Hasan Shala, Tonka Berishaj dhe Xhevdet Abazi. Gjyqtari Hasan Shala, arriti të marrë nëntë (9) vota, Tonka Berishaj dy (2) vota dhe Xhevdet Abazi asnjë vote, raporton arbresh.info.

Ndërsa, konkurrentë për kryetar të Gjykatës Supreme ishin këta gjyqtarë: Enver Peci, Valdete Daka, Nesrin Lushta dhe Erdogan Haxhibeqiri.

Gjyqtari Enver Peci arriti të marrë shtatë (7) vota, Valdete Daka, tre (3) vota, Erdogan Haxhibeqiri, një (1) votë dhe Nesrin Lushta asnjë votë.

Arbresh.info mëson se edhe pas këtij votimi, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk i ka propozuar Presidentit të Republikës Hashim Thaçi për emërim të kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Pecin./arbresh.info/

Të ngjashme