Bashkimi Evropian me anë të një deklarate për media mbështet plotësisht projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, qëllimi kryesor i të cilit është heqja e pushtetit të ekzekutivit për të pezulluar ekzekutimin e dënimit, duke i bërë ato objekt i shqyrtimit të pavarur dhe transparent gjyqësor.
“Ne i bëjmë thirrje Kuvendit për të ecur para sa më shpejt që është e mundur me miratimin e këtij tligji. BE-ja ka kontribuar në hartimin e këtij ligji dhe nga fillimi ka mbështetur iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë ne e kundërshtojmë plotësisht amendamentin që ishte propozuar në momentin e fundit në Kuvend i cili paraqet një dispozitë të re, qëllimi i së cilës është zvogëlimi automatik i dënimit tashmë të dhënë për 1/3. “, thuhet në deklaratë.
Ky ndryshim është kundër parimeve të sundimit të ligjit, duke zvogëluar sigurinë ligjore dhe praktikisht duke i vënë në pikëpyetje vendimet e gjyqtarëve.
BE-ja mbetet e angazhuar plotësisht në forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit në Kosovë dhe për të punuar së bashku me autoritetet e Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë në këtë përpjekje.
Këtë propozim të këtij amendamenti e ka kundërshtuar para disa ditësh edhe ambasada e SHBA-së në Kosovë.