Google ADS

Ecja vit pas viti pa liberalizim| Vizat po ndërlidhen me dialogun Kosovë-Serbi

09:03 | 16 Nëntor 2022
L G

Premtimi se qytetarët e Kosovës në fund të këtij viti do të mundë të lëvizin pa viza në Zonën Schengen po del të jetë mashtrimi i radhës

Tashmë presidenca çeke e Bashkimit Evropian ka hartuar një vendim të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën, ku thuhet se nisja e zbatimit të liberalizimit të vizave do të ndodhë në të njëjtën kohë me atë të sistemit ETIAS, por jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023.

Njohësit e çështjeve politike, vlerësojnë se liberalizimi i vizave po ndërlidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

Gazmir Raci, njohës i çështjeve politike thotë se kjo është fatkeqësi që nuk po e gëzojmë këtë liri.

“Natyrisht që kjo është një padrejtësi e madhe që po i bëhet vetëm qytetarëve të Kosovës, është fatkeqësi që ne kemi mbet të vetmit në Ballkan që nuk po e gëzojmë këtë liri”, tha Raci për arbresh.info.

Sipas tij, Kosova mbase mund të merr një përgjigje pozitive për vizat nëse do të arrihet të ketë rezultat në dialogun e Brukselit.

“Bashkimi Evropian duhet ta ketë parasysh që ne jemi popull që kemi dal nga lufta të vrarë, të shkatërruar dhe të masakruar dhe me mbet kaq të izoluar nuk është në frymën e vlerave evropiane. Nëse ka rezultate në dialogun e Brukselit mendoj se do të ketë vendim pozitiv edhe për vizat”, shton Raci.

Nëse s’ka përparim të dialogut Kosovë- Serbi vazhdimisht do të shpiken kushte për vizat

Se dialogu po ndërlidhet me vizat mendon edhe analisti Fatmir Sheholli.

Sheholli thotë se disa shtete evropiane duke e parë që nuk ka rezultate në dialog, vazhdimisht do të vendosin rregulla të reja.

“Kam përshtypjen që ka shtete evropiane që nëse nuk shohin përparim të dialogut Kosovë- Serbi vazhdimisht do të shpikin kushte për Kosovën. Jemi dëshmitar tani e disa vite që faktor evropian relevant kanë pohuar se Kosova i ka përmbush të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Pra, Kosovës edhe më herët edhe tani është duke ju bërë e padrejtë fondamentale për liberalizimin e vizave”, thekson Sheholli.

Kujtojmë se diskutimi për vizat është zhvilluar më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën. Dhe takimi i dytë u mbajt më 10 nëntor.

Franca, megjithatë, ka kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023. /Kujtesë Berisha/ arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme