Tirqit e trashëguara nga i ati, Mustafë Ramadani, 73 vjeçar nga Ferizaj, i kishte ruajtur që 60 vjet. Por, ato mbetën nën gërmadhat e shtëpisë së rrënuar në mëngjesin e së shtunës. Krejt çka i mbeti ishte një biçikletë, dhe teshat që mbante në trup. I moshuari për plot 27 vjet kishte jetuar aty, bashkë me gruan, por ajo u shemb nga një biznesmen, për arsye se prona nga ana e hekurudhës Infrakos i ishte dhënë atij për shfrytëzim.
Ramadani ka shpjeguar për Express se kush ia ka rrënuar shtëpinë.
“Këtu kam jetuar që 23 vite. Pas luftës ka qenë e dëmtuar, atëherë e kisha edhe gruan, ajo ka qenë në punë e bashkë e kemi ndërtuar këtë shpi. Vet jam tu jetua viteve të fundit, fëmijë nuk kam. Shtëpinë ma ka rrënua, Ekrem Biba. Nuk më ka lajmërua hiç. Unë dy net kam fjetë këtu jashtë”, thotë Ramadani.
73 vjeçari rrëfen se pa asnjë paralajmërim atij iu rrënua shtëpia nga Ekrem Biba, biznesmen në këtë komunë, i cili tokën e ka marrë nën shfrytëzim nga ana e ndërmarrjes Infrakos. Thotë se ka qenë në qytet dhe kur është kthyer shtëpinë e ka gjetur vetëm në gërmadha.
“Ditën që ma kanë rrëzua shtëpinë ka qenë ditë e shtunë ka ora 10:00, desha me dal në pazar, tamam kam mbërri në qytet, ata që po shesin perime më kanë lajmërua, që shtëpinë ma rrënun. Kur kam ardhë e kam pa në gërmadha”, ka shpjeguar tutje 73 vjeçari.
Por, pronarët e kompanisë të cilët ia rrënuan shtëpinë 73 vjeçarit, janë përkujdesur që atij t’ia ndërtojnë një tjetër afër saj. Por, Mustafë Ramadani nuk po dëshiron që të futet aty.
“Nuk hyj unë në atë shtëpi. Ajo është si stallë. E dua shtëpinë time”, thotë Mustafë Ramadani.
E ndërkohë, zyrtarë nga komuna e Ferizajt po thonë se i kanë ofruar zgjidhje për strehim 73 vjeçarit, por që i njëjti nuk ka pranuar që të strehohet. Drejtori për në drejtorinë e Urbanizmit në këtë komunë Faik Grainca ka dhënë detaje për këtë rast për Express.
Thotë se biznesmeni që e ka rrënuar shtëpinë nuk ka marrë leje në komunë për ta bërë një veprim të tillë. Sipas tij, me ligj çdokush duhet që paraprakisht të pajiset me leje për rrënimin e ndonjë objekti. Por, i gatshëm për rrënimin e shtëpisë, kishte qenë vet 73 vjeçari, i cili kishte nënshkruar deklaratë me biznesmenin ku pajtohej për rrënimin e shtëpisë.
“Prona nuk ka qenë e personit në fjalë. Komuna nuk është fare e kyçur në këtë problematikë. Pavarësisht faktit që komuna e i ka ofruar strehim ai nuk ka qëndruar aty ndërkohë Infrakosi e ka bërë një kontratë me një kompani që ia ka dhënë nën shfrytëzim atë vend ku ka qenë e ndërtuar shtëpia. Pronari nuk ka pas leje për rrënim e as nuk ka kërkuar një leje të tillë. Me ligj, çdokush duhet të pajiset paraprakisht me lejen për rrënimin e objektit e pastaj ta rrënojë atë. Pronari nuk ka bërë kërkesë e as leje për rrënim”, ka thënë Grainca.
E Mustafë Ramadanit, i cili kishte kaluar afro 3 dekada jetë me gruan e tij në shtëpinë e rrënuar, i kanë mbetur vetëm kujtimet. Gjithçka tjetër është shembur.
“Qe kjo më ka mbetë prej vetës. Mos i përmend hiç ato ma mirë. Kam boll kujtime brenda, po s’ka mbetë më kurgjo. Kom tesha. Unë aty i kam pas tirqit e babës që 60 vjet që i kom rujte. Ska mbetë kugjo ma”, rrëfen me lot në sy Mustafë Ramadani nga Ferizaj.
Për këtë çështje, 73 vjecari është deklaruar edhe në policinë rajonale në Ferizaj. Këta të fundit për Express kanë thënë se kjo çështje nuk mund të zgjidhet nga policia. Për këtë punë, sipas Agim Gashit, zëdhënës për informim në policinë e Ferizajt, duhet të merret gjykata.
“Më datë 21 të këtij muaji është paraqitur personi në fjalë në cilësinë e ankuesit, i cili ka deklaruar se i është rrënuar banesa e tij. Policia e ka marrë deklaratën. Ka bisedua edhe me shfrytëzuesin e parcelës, dhe nga dokumentet e faktume të prezantuara është pa se ai është kontekst privat i tyre dhe palët janë udhëzuar që t’i paraqiten organeve të drejtësisë për çështjen e tyre”, ka thënë Gashi.
Megjithëkëtë, gazeta ka provuar që të kontaktojë edhe me biznesmenin që i rrënoi pa leje pronën 73 vjeçarit, por i njejti nuk ka dashur që të prononcohet
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...