Google ADS

E shëruara nga koronavirusi e gatshme të dhurojë plazmën e gjakut

08:21 | 3 Nëntor 2020
A. B.

T.K, është shëruar nga koronavirusi. Thotë se është e gatshme të jap gjak, në momentin që do të fillojë të aplikohet si metodë.

“Jam e gatshme të kontribuoj. Nëse ka nevojë që plazma ime të shërbej për trajtimin e një të sëmuri, patjetër se do ta bëja”, tha ajo.

Ministria e Shëndetësisë më 28 tetor ka njoftuar se ka formuar një grup punues, që ka për qëllim hartimin e protokollit për përdorimin e plazmës kovaleshente për pacientët me koronavirusin e ri e që pritet të nisë së shpejti në Kosovë.

Infektologu Sali Ahmeti kryesues i grupit punues për hartimin e këtij protokollit, thotë se, janë duke punuar intenzivisht në këtë drejtim.

“Jemi duke punuar intenzivisht dhe besojmë që shpejt do t’i përfundojmë të gjitha procedurat e nevojshme”, ka thënë shkurt Ahmeti për arbresh.info.

E, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, për arbresh.info thotë se ky është një hap para drejt fuqizimit të menaxhimit dhe trajtimit gjithëpërfshirës të infeksionit me koronavirus.

“Ministria e Shëndetësisë ka formuar edhe Grupin punues për hartimin e Protokollit për përdorimin e plazmës kovaleshente te pacientët me COVID-19, me përbërje të ekspertëve të lëmive gjegjëse. Ky është një hap para për fuqizimin e menaxhimit dhe trajtimit gjithëpërfshirës të infeksionit Covid-19. Duke ditur rëndësinë e kontrollit sa më të mirë të situatës epidemiologjike me COVID-19 dhe rëndësinë e një trajtimi sa më gjithëpërfshirës klinik të pacientëve me këtë infeksion, MSh pret që Grupi punues të hartojë sa më shpejt këtë protokoll, për t’i hapur rrugë pastaj kësaj forme të trajtimit të pacientëve në spitalet e Kosovës”, tha Hoti.

Kujtojmë se, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për kujdes lidhur me trajtimin me plazmë të gjakut, pasi ka thënë se ky trajtim është i një “cilësie të dobët”.

Shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës po trajtojnë pacientët me COVID-19 me plazmën e gjakut të pacientëve të shëruar nga kjo sëmundje.

Ky lloj trajtimi bëhet duke marrë plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusin./A.Zeka/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme