Google ADS

E marta e 18 prillit – finalja e madhe për liberalizimin e vizave

10:03 | 15 Prill 2023
A. B.

Të martën e 18 prillit pritet të votohet përfundimisht në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Parlamenti Evropian, si instanca e fundit e Bashkimit Evropian (BE) për të vendosur se a e merr një vend liberalizimin e vizave apo jo, më 18 prill do të mbajë mbledhjen e radhës, në të cilën në rend dite është vetëm votimi për liberalizim të vizave për Kosovën.

Përfundimit të këtij procesi të tej zgjatur i ka hapur rrugë miratimi i vendimit për liberalizim të vizave nga Këshilli i BE-së, i njohur ndryshe si Këshilli i Ministrave, ku 27 ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian më 9 mars të këtij viti votuan në mënyrë unanime pro heqjes së vizave për Kosovën. Vendimi përfshin edhe pesë vendet mos njohëse të pavarësisë së Kosovës, anëtare të BE-së.

“Këshilli miratoi në lexim të parë pozicionin e vet për udhëtimin pa viza për bartësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Rregullat e reja do t’u lejojnë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë në vendet e Bashkimin Evropian pa një vizë dhe të qëndrojnë në këto vende për 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditësh”,  thuhet në një njoftim të Këshillit të kryesuar nga Suedia. Në njoftim thuhet se qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë të kërkojnë vizë për udhëtim që nga data kur sistemi evropian i udhëtimit ETIAS që shërben për regjistrimin e të dhënave, të jetë funksional, dhe jo më vonë se një janari i vitit 2024.

ETIAS është një sistem digjital që synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën Schengen.

Ky sistem është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet fundi i këtij viti, dhe më së largu, janari i vitit të ardhshëm.

Ishte Franca ajo që më 13 tetor të vitit 2022, në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, propozoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet pikërisht me funksionalizimin e ETIAS-it.

Pas 9 marsit, në datën 23 të muajit të kaluar, Kosova kaloi ‘testin’ për liberalizim edhe në Komisionin për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme (LIBE), si adresa e fundit para Parlamentit Evropian për ta arritur këtë sukses të shumëkërkuar dhe të shumë premtuar tash e 12 vjet, si vendi i vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë, qytetarëve të së cilës u mohohet lëvizja e lirë.

Kryetari i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se e marta e 18 prillit shënon fazën finale të këtij procesi kaq të vonuar dhe të mundimshëm për Kosovën.

Sipas Shashës, votimi i Parlamentit Evropian i tejkalon të gjitha hezitimet e qytetarëve dhe premtimet boshe të pushtetarëve ndër vite për arritjen e liberalizimit të vizave.

“Votimi i deputetëve të Parlamentit Evropian të martën është përfundimisht faza e fundit, është finalja e madhe për arritjen me sukses të liberalizimit të vizave. Ky proces sa i gjatë ka qenë aq edhe i vonuar e i mundimshëm për vendin tonë, qytetarët e të cilit janë me të drejta të shkelura, me privim të lëvizjes së lirë, si e drejtë themelore e çdokujt. Ky votim më 18 prill është më i rëndësishëm në këtë proces se sa çdo premtim bosh i qeveritarëve tash e 12 vite. Pra, kjo tejkalon edhe hezitimin e qytetarëve dhe pesimizmin e tyre për liberalizimin. Kjo sepse liberalizimi i vizave edhe zyrtarisht do të bëhet realitet të martën”, tha Shasha.

Si një proces i stërzgjatur, liberalizimi i vizave, përveç mohimit të lëvizjes së lirë, e ka mbajtur peng Kosovën edhe në aspektin e integrimit.

Kështu është pretenduar nëpër shumë qarqe, e sidomos nga njohësit e çështjes, të cilët shpesh thonë se Bashkimi Evropian e ka përdorur liberalizimin si formë presioni ndaj Kosovës në dialogun me Serbinë.

Njëjtë shprehet edhe analisti politik, Tomorr Avdija, i cili për Arbresh.info tregon për hapat e mbetur në rast votimi pro të liberalizimit të vizave më 18 prill në Parlamentin Evropian.

“Liberalizimi vjen në një kohë të vonuar dhe votimi që pritet të bëhet në Parlamentin Evropian është faza e dhjetë e këtij procesi dhe përmbush grafikun numër 10. Mbesin edhe tre hapa të tjerë, pas këtij votimi, pasi të bëhet dërgimi dhe përpilimi i këtij dokumenti në të gjitha segmentet e BE-së, duke përfshirë këtu Komisionin dhe Këshillin e Ministrave. Pas këtij procesi, ky vendim kalon në fletoren zyrtare të BE-së, ku më pas vjen kampanja që zhvillohet mes neve dhe BE-së për të drejtat e qytetarëve që gëzojnë liberalizimin e vizave, pra është një kampanjë për vetëdijesimin e qytetarëve gjatë udhëtimit në zonën Schengen. Pastaj është faza e fundit, që pritet edhe vendimi se kur është hapi i fundit, pra data e saktë kur qytetarët tanë do lëvizin pa viza në shtetet Schengen”, tha Avdija për Arbresh.info.

Sipas Avdijës, me liberalizimin e vizave, Kosovës i forcohet pozita në rrafshin ndërkombëtar.

Në këtë forcim sipas tij përfshihet edhe pozita në dialogun me Beogradin, por edhe në zhvillimin ekonomik të vendit, meqë me liberalizim është më lehtë marrja e statusit kandidat për anëtarësim në BE, e rrjedhimisht, me këtë status, vijnë edhe fondet ndërkombëtare.

“Në aspektin e rëndësisë së këtij vendimi, Kosova e fiton një të drejtë të vonuar por edhe fiton barazi në raport me shtetet e rajonit sa i përket lëvizjes së lirë dhe qarkullimit dhe në raportin ndërkombëtar fiton një kredibilitet sa i përket marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe me shtetet e tjera, por e forcon sadopak edhe në dialogun me Serbinë. Por, Kosova duhet të ketë mbështetjen e hapave të tjerë, si statusin e një shteti integrues në Bashkimin Evropian për të marrë dhe fonde të cilat i takojnë në këtë rast pas këtij hapi dhe hapave të tjerë. Këto i shërbejnë Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe struktura apo mekanizma në të cilat synon të anëtarësohet Kosova”, tha Avdija.

Dhjetori i këtij viti, sipas tij pritet të jetë koha kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm nëpër zonën Schengen.

Kjo marrë parasysh praktikën që është ndjekur me Shqipërinë në vitin 2010.

“Shpresoj që në dhjetor të këtij viti, pasi janë hapat dhe kriteret e mundshme, është koha e mjaftueshme, kjo praktikë është zhvilluar edhe në vendet e tjera, siç është Shqipëria, ku vendimi është marrë në muajin prill, është publikuar në gazetën zyrtare në qershor dhe pastaj ka hy në fuqi në fundin e vitit 2010, pra, këtë procedurë e ndjek rregullisht Bashkimi Evropian dhe për arsye se Kosova i ka të gjitha kriteret e plotësuara sa i përket këtij hapi dhe kësaj faze”, deklaroi Avdija për Arbresh.info.

Që nga viti 2018 Komisioni Evropian ka konstatuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, dhe që nga ai vit, i ka rekomanduar instancave më të larta, siç është Këshilli i Ministrave fillimisht, dhe më pas Parlamenti Evropian, liberalizimin e vizave për Kosovën.

Por ka qenë Franca dhe Holanda bashkë me 5 shtetet mos njohëse të BE-së, të cilat kanë kërkuar kritere shtesë të njëpasnjëshme për këtë proces.

Në rast se Kosova e fiton përfundimisht liberalizimin, qytetarët do të mund të udhëtojnë lirshëm në: Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kroaci, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Poloni, Portugali, Qipro, Çeki, Rumani, Sllovaki dhe Slloveni. Po ashtu, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtonin, në disa vende që janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, ndonëse nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Islanda, Norvegjia, Zvicra e Lihteshtajni, etj.

Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk vlen pafundësisht.

Qytetarët si individë mund të marrin gjoba, në rast të shkeljes së kushteve të përcaktuara.

Në situata kur dëshmohet shkelja e abuzimi me kushtet e udhëtimit pa vizë dhe kjo ndodh në numër të rëndësishëm, atëherë Bashkimi Evropian mund të rishikojë ose suspendojë marrëveshjen për liberalizimin e vizave me shtetin përkatës.

Rrjedhimisht, liria e lëvizjes për këto vende mund të mbarojë dhe procesi të fillojë nga e para./EmirAbduramani/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme