Një ndërtesë në Lagjen multietnike të Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut u bë të martën shkak i mosmarrëveshjeve mes autoriteteve lokale dhe Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës.
Inspektorati komunal pretendon se disa institucione të Serbisë, të cilat e shfrytëzojnë këtë objekt si hapësirë pune, nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë dhe ka kërkuar që objekti të lirohet deri të premten.
Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, thotë se autoritetet shqiptare “duan të na i marrin hapësirat tona”.
Në këtë, komuna përgjigjet: “Po e shfrytëzojnë objektin pa dokumente”.
Çfarë thonë nga komuna?
Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut – një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh.
Aty thuhet se inspektoratit nuk i janë dhënë dokumente në bazë të të cilave institucionet e Serbisë e shfrytëzojnë objektin komunal, ndonëse zyrtarët serbë, siç thuhet, kanë qenë të informuar paraprakisht se duhet të përgatisin dhe të paraqesin dokumente për shfrytëzimin e këtij objekti.
Nga zyra e kryetarit të komunës i thanë Radios Evropa e Lirë se objekti në fjalë është në pronësi të komunës dhe se ata që e shfrytëzojnë atë, janë të obliguar t’i tregojnë dokumentet për shfrytëzim.
Nga komuna, po ashtu, thanë se Simiq i ka pritur zyrtarët komunalë dhe u ka thënë se nuk ka asnjë dokument për objektin që shfrytëzojnë institucionet e Serbisë dhe se nuk e di se në pronësinë e kujt është.
Çfarë lidhjesh ka Lista Serbe me objektin e diskutueshëm?
Simiq ka qenë zyrtar i Listës Serbe që nga themelimi i saj në vitin 2013, ndërsa para saj ka marrë pjesë edhe në institucionet e Kosovës.
Por, gati gjatë gjithë kohës, ai ka mbajtur disa funksione edhe në institucionet e Serbisë. Aktualisht është drejtor i Shërbimit të Drejtorisë së Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore, i cili operon nën sistemin serb. Pikërisht ky institucion gjendet në objektin kontestues në Mitrovicë të Veriut. Drejtor i Fondit të njohur në Serbi si Pio, është Millan Radojeviq, po ashtu nga Lista Serbe. Deri në nëntor të vitit të kaluar, Radojeviq ka qenë edhe kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut, e cila funksionin nën sistemin e Kosovës.
Në këtë ndërtesë janë të vendosura edhe tri institucione të tjera serbe: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.
Përveç Simiqit dhe Radojeviqit, edhe zyrtarë të tjerë të Listës Serbe kanë pozita në institucionet e Serbisë. Për shembull, kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq, është drejtor i Ndërmarrjes Publike “Standard” dhe po ashtu është i punësuar në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, i cili funksionon nën sistemin serb.
Çfarë thonë nga Lista Serbe?
Lista Serbe tha përmes një deklarate se punonjësit e institucioneve të Serbisë janë njoftuar se duhet t’i lëshojnë vendet e tyre të punës, përkatësisht “të largohen” nga objekti brenda tri ditësh.
Këtë situatë, ajo e lidhi me krizën në veri të Kosovës, ndërsa njeriun e parë të Mitrovicës së Veriut e quajti “kryetar të Kurtit”.
“Pas ftesës së komunitetit ndërkombëtar që kryetarët e paligjshëm të komunave të punojnë nga lokacione alternative, ata shkuan një hap më tej dhe duan të na i marrin edhe hapësirat tona”, tha Lista Serbe.
Duke iu drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, ajo pyeti se a po respektohet në këtë mënyrë thirrja e saj që “kryetarët jolegjitimë të bëjnë vetëm punë administrative dhe të mos marrin vendime politike kundër qytetarëve të komunave tona”.
Kryetar i Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai i fitoi zgjedhjet e prillit me rreth 550 vota, pasi procesi i votimit u bojkotua në masë të madhe nga komuniteti serb.
Mospajtime për pronësinë
Objekti i diskutueshëm, për të cilin autoritetet lokale të Kosovës dhe Lista Serbe pretendojnë se është i tyre, është ndërtuar në periudhën e paraluftës.
Ligji për agjencinë kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës e rregullon çështjen e objekteve të tilla.
Ky ligj ka hyrë në fuqi në vitin 2016, pas së cilës gjë është formuar Agjencia Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës, mandati i së cilës, ndër të tjera, është t’i zgjidhë çështjet e pronave që ka qenë të Serbisë deri në qershor të vitit 1999.
Lista Serbe ka qenë kundër këtij ligji dhe ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese ta shpallë atë jokushtetues. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur.
Si funksionojnë institucionet e Serbisë në Kosovë?
Institucionet e Serbisë kanë vazhduar të funksionojnë edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, ndërsa ato në zonat në jug të Ibrit janë zhvendosur në mjedise ku jetojnë serbët.
Për shembull, institucionet serbe që kanë funksionuar në Prishtinë para luftës, tani ndodhen në Graçanicë – njërën nga gjashtë komunat në jug të Ibrit.
Ato funksionojnë kryesisht në objekte private, të cilat, ndërkohë, janë rinovuar nga Serbia, me buxhet të saj.
Nga ana tjetër, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – ka institucione të Serbisë që punojnë në të njëjtat objekte ku kanë qenë edhe para vitit 1999.
Kosova dhe Serbia, për më shumë se një dekadë, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por, për çështjen e pronave, palët kanë qëndrime krejtësisht të kundërta dhe nuk kanë arritur ende ndonjë marrëveshje për të./rel
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...