Google ADS

E fshehën në çorape kokainën, të dyshuarit kapen nga Policia e Kosovës

10:50 | 26 Shtator 2021
V. S.

Policia e Kosovës, Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik në Ferizaj, pas hetimit disa mujor dhe aplikimin e masave të veçanta në rastin koduar “ODA”, në funksion të zbatimit të planit taktik, në asistim edhe të njësisë anti-drogë në Prishtinë dhe Patrullës së Stacionit Policor në Han të Elezit, dje në rrugën “Adem Jashari” në Han të Elezit, ka ndaluar për kontroll veturën e tipit VW Passat, me targa vendore, ngjyrë kafe, të cilën e drejtonte i dyshuari me iniciale N. L. me pasagjer të dyshuarin B.T.

Vetura fillimisht është ndalur nga Patrulla policore, mirëpo pasi të dyshuarit kanë vërejtur hetuesit e Antidrogës, vozitësi është nisur më vrull duke ikur nga vendi i ngjarjes.

“Patrulla e Policisë dhe hetuesit e Antidrogës janë nisur në ndjekje. Në proces të ikjes me veturën e lartshënuar, në rrugën “Imri Curri “ , pasagjeri ka hedhur nga xhami i veturës një qese të zezë. Pas ndjekjes rreth 1.5 km, në fshatin Paldenicë në Han të Elezit, Patrulla ka arritur të ndal veturën me personat e lartshënuar me iniciale. Gjatë kontrollit të veturës dhe personave, nuk është gjetur asgjë e dyshuar, kurse në rrugën “Imri Curri”, në anën e djathtë të rrugës, në një gropë të hapur, afër rrjetit të ujësjellësit, është gjetur një çorapë e zezë, në brendësi të së cilës gjendej një substancë e bardhë e dyshuar për Kokainë, e mbështjell me qese të tejdukshme najloni”, njofton policia.

Personat e lartshënuar janë arrestuar dhe janë dërguar Stacionin Policor në Han të Elezit e pastaj në Ferizaj për procedura të mëtutjeshme policore .

Lidhur me këtë është kontaktuar Prokurori kompetent, në konsultim me të dhe me urdhër të gjykatësit, me qëllim të sigurimit të provave që ndërlidhen me rastin, në Prishtinë nga antidroga e Prishtinës është kontrolluar një banesë.

“Gjatë kontrollit të banesës nuk është gjetur asgjë e dyshuar, kurse në korridor, në një orman-kuti të postës pa emër është gjetur një peshore digjitale, që dyshohet se është përdorur për matje të substancave narkotike.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar/konfiskuar, dëshmitë si në vijim:

Substancë e dyshuar për narkotikë të llojit Kokainë, me peshë 205.8 gram, Telefon i tipit Iphone XR, ngjyrë të kuqe , Telefon i tipit Iphone 8, ngjyrë vjollcë , Para: 1 X 100 euro, 1 X5 Euro, 1X10 dinar të Serbisë, 2 X 100 Denar të Maqedonisë, Një kartelë e bankës, Një çelës i veturës BMW , Veturë e tipit VW Passat , me targa vendore, ngjyrë kafe, Iphone 11, ngjyrë e zezë, Një kartelë të bankës , Një peshore digjitale, ngjyrë e zezë”, njofton tutje policia.

Policia e Kosovës njësitet e antidrogës në Prishtinë dhe Ferizaj janë duke punuar në identifikimin dhe kapjen edhe të paktën një personi tjetër që dyshohet të jetë i përfshirë në këtë rast.

Pas intervistimit të dy personave të dyshuarve tani më të arrestuar nga Policia, Prokurori i Shtetit lëshon Aktvendim mbi Ndalimin e tyre për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme